Goja-Bilbil Murataj


GOJA

Zoti njeriut gojën ja ka dhënë

Edhe për të folur, edhe për të ngrënë.

Të hajë me karar, jo sa sheh me sy,

Se enjtet e trashet, bëhet si fuçi.

Të hajë me masë, jo ç’i del përpara,

Të ëmbla, të kripura, të lara e të palara.

Të hajë e të pijë në këtë jetë,

Po dhe kujdes me ngrënien duhet të ketë.

Një funksion tjetër, që ka zonja gojë,

Është që njeriu me njerinë të komunikojë,

Të komunikojnë e flasin për hallet që kanë,

Por jo të përgojojnë gjithë dynjanë.

Të flasë fjalë të mira e jo fjalë të ndyra,

Sepse i thotë goja, por skuqet fytyra.

Fjala e mirë nga goja e nxjerrë,

Të jep vetëm vlera, s’të skuq asnjëherë.

Ndërsa, po nxore broçkulla nga goja,

Një ditë prej ditësh do të të dalë boja.

Sepse një njeri, kur do të ofendojë,

Të thotë “mbylle të flamosurën gojë!”.

Poqese çdo njeriu i kthen xhevap,

Njerëzit do thonë “është gojë çorap”

Ndaj mbylle gojën e mos fol fare,

Se ndryshe të thonë “gojë kamare”

Edhe goja ka të keqen e vet,

Kur vend e pavend nuk pushon, veç flet.

Nëqoftëse gojën nuk e komandon,

Atëhere nga goja vetëm vrer lëshon.

Një fjalë e dalë nga goja pa menduar,

Të gjithë dynjanë e ka ngatërruar.

Se goja ka funksionin e saj,

Lum ai që di zap ta mbajë.

Nga goja njerëzit bëhen të neveritur,

Janë vrarë e prerë dhe armët kanë ngritur.

Ndaj, o njeri, me gojën kujdes të bësh,

Fjalën aty ku e gjen, aty dhe ta lësh.

Ndaj bëni kujdes me fjalën e thënë,

Jo dëgjon një dhe njëqind e bën.

Ndaj është e mira që kyçin të vësh,

Sepse po foli goja, belanë do gjësh.

Thuaj ato që janë për të thënë në jetë,

Sepse fjala të ngatërron, por edhe të vret …

About Post Author