Rudina Muharremi Beja

GRATË QË VRAPOJNË NËPËR HËNË
Gratë që vrapojnë nëpër hënë,
i ngjajnë një pikture,
që shurdhohet nga fjala,
e lexohet në heshtje.
Gratë që vrapojnë nëpër hënë,
i ngjajnë një skulpture të pagojë,
që brenda ruan pafundësi tingujsh e fjalësh.
janë vargje poezie.
I ngjajnë një kënge
që pentagramin shpalos nëpër yje
Gratë që vrapojnë nëpër hënë
digjen, bien
me litar shiu, shuhen
e sërish, si feniksë ngrihen…
s’e mbështesin kryet kurrkund…
e kur lodhen,
ulen të pushojnë buzëgreminave
që përherë kanë uri…!