Greku Kondo-Petraq Pali


episodi 6-10

6.

U nisa nga Selaniku në drejtim të Janinës me dy mëndje, një mëndje më thoshte ta festoja pashkën e madhe me një mikeshën time në Selanik, e cila më lutej duke qarë që të gëzoja festën së bashku me të, qoftë në shtëpi të saj, apo nëpër Buzuqa… e mandej në krevat …(ajo ishte vejushë dhe kisha vite që isha në miqësinë intime me të…), apo ta bëja së bashku me familjen e znj. Tushe, si zakonisht.

Padronia ime znj. Areti Zoi, pothuaj çdo vit e kishte bërë si rregull, që në festat tradicionale Pashkë e madhe, Krishtlindje apo Vitin e Ri, të na ftonte në shtëpinë e saj për të festuar së bashku festën.

Ajo, me familjen ftonte pothuaj të gjithë punëtorët emigrantë, që s’kishin familjet aty, të festonin së bashku.

Në festat e organizuara prej saj nuk mungonte asnjëherë asgjë, çdo gjë derdhej lumë e ahengu nuk mungonte deri në mëngjes.

Grekët, siç thamë, janë të thekur për ahengje dhe qejfe.

Ajo na respektonte gjithmonë, sepse edhe ne i bënim punën.

Qysh në fillim na pajisi me siguracione dhe “ensima”, siç thonë këtu, dhe puna shkonte mbarë si për atë, ashtu edhe për ne.

Kjo më detyroi që të braktisja festën me miken time “intime”, M.V, e cila më përcolli me lot në sy dhe thashë ta festoja, si zakonisht, në familjen Zoi.

Ajo, “M. V.”-ja, ishte dyzet e tre vjeçe dhe me një fëmijë…! Ishte shumë e bukur dhe shumë seksi! Jetonte mirë, ishte e kulturuar dhe më dukej se kishte lindur për qejf.

U nisa, sapo u ndava me të, nga ora një e natës.

Ishte një natë e zezë sterrë, një suferinë dhe një erë e ftohtë e tërbuar nuk më linte dhe më pengonte shikimin. Xhamat e “Volvos”, megjithëse fshirëset i gradova ne shkallën më të lartë, çdo sekondë kullonin ujë. Ula shpejtësinë dhe u përqendrova i tëri në timon…! Mendja më kulloste s’di se ku dhe si në një film në sekonda apo në të qindtën e sekondës kujtova jetën time të mjerë, që kisha lënë pas. Isha dhe u rrita jetim, pa nënë, pa babë, pa motër e vëlla, i rritur në shtëpinë e fëmijës, keq e mos më keq…! Kisha dëshirë të vazhdoja shkollën, po kush mund të më ndihmonte mua bonjakun?!

Ishte një kushëri i largët i tim eti, që në ato kohë ishte punonjës i policisë në degën e sigurimit, me gradën kapiten i parë, (ishte nga të rrallët, që nga krahina jonë punonte në ato dyer…), ai që hodhi dorën e më ndihmoi.

Sa mbarova klasën e shtatë, më siguroi një punë në ndërtim, ku haja e pija në kantier, ndërkohë vazhdova dhe gjimnazin natën…!

Kur shkova ushtar, isha me të mesme. Kushëriri më rregulloi në kurs të shoferëve, në Korçë, dhe, kur u ktheva, mbas tre vjetësh ushtri, më siguroi edhe një makinë në NSHN, një zis i vjetër, që më dha emër. Atje u bëra i njohur, falë ndershmërisë dhe punës time, që nuk përzihesha me njeri dhe isha si “ndryshe” nga të tjerët. Më donin të gjithë, pavarësisht se i gjithë qyteti më drejtohej “greku, Kondo”, “… zisi i grekut”, madje edhe në fletudhëtimet shpesh dispeçerët injorantë shkruanin Kondo “greku”. Me pak fjalë kjo m’u bë si mbiemër i dytë…!

30 31

Kjo, më pas kur fitova dhe u riaftësova të vozit kamionë me naftë…nga Bulqiza me krom e Memaliaj me qymyr, Shupenzë, Kukës a Bajram Curri me trupa, apo në aksione kombëtare, si në tërmete, në hekurudha, sepse punova disa herë në dispozicion të parkut të mallrave me “shytën” e NSHNsë, e cila më dha emër pothuaj në tërë Republikën…!

Këto mendoja atë mbrëmje, kur asfalti ishte i lagur dhe moti ishte i tërbuar… Përpiqesha të shmangia mendimin apo t’i largohesha ëndrrës që më kllapiti dhe të përqendrohesha në rrugë, të evitoja ndonjë aksident të mundshëm! Lashë Selanikun dhe u përpoqa të mos lodhja trurin me “ëndrra” që në mënyrë të pandërgjegjshme më lodhnin. Kisha kujdes në parakalime dhe gjithmonë ndihmoja të tjerët me drita kur kryqëzoheshim. Qarkullimi në atë orë zakonisht ishte i pakët, bile rrallë takoheshe me makina të tjera. Vetëm një i marrë si unë, që bëja jetë “nate”, mund të udhëtonte në këtë kohë.

Rruga gjarpërushe dhe tejet e vështirë, instinktivisht, m’i preu si me thikë “ëndërrimet”! Po zbrisja kodrës në një të tatëpjetë shumë të thepisur dhe për pak do të kaloja urën metalike të lumit për të kaluar në anën tjetër. Ecja me kujdes dhe përdorja plotësisht bllokazhin e “Volvos”, e cila uturinte si e shtrënguar dhe sikur e kishte zënë lubia në fyt. Herë pas here frenoja me shumë kujdes dhe jo fort, në karrocerinë e mbuluar kisha plot 100 kv miell. Papritur, kur po futesha në urë, ndjeva në parandjenjë jo të mirë dhe një siklet. Shpejtësinë e kisha ulur pothuaj në ndalim të plotë, mbasi ura ishte e vjetër, një kalimshe, e ngushtë, por edhe shumë e lartë nga shtrati i lumit.

Kisha kaluar mbi të qindra herë, ditën dhe natën, madje çdo segment të sajën e njihja përmendësh, pragjet apo parmakët e saj ishin metalikë tip kapriate!

Në errësirën e natës, sa do t’i afrohesha urës, u llahtarisa kur dallova një veturë të parkuar në krahun e djathtë, me sinjalet e pasme ndezur, të cilat punonin me rele nxituar!

Nuk dallova njerëz brenda.

Nuk u tremba, as u emocionova, por, teksa bëra përpara, po vrisja mendjen, se pse duhej të ishte ai mjet aty! Në çast, u bëra pishman që nuk ndalova se ndoshta dikush kishte nevojë për ndihmë, por jo, vazhdova të ikja në punën time, se ndodh nga ndonjëherë që përpiqesh të bësh mirë dhe gjen keq…! E tillë është bota! Kush bëri mirë e gjeti mirë?

Shtrëngova timonin me të dyja duart akoma më shumë dhe, aty nga mesi i urës, me gjithë errësirën që në moment u ndriçua nga dritat, instinktivisht syri më kapi siluetën e dikujt, që përpiqej të hipte në parmakët e saj metalikë në formë kapriatash…!

Era po i lëvizte nga pas pallton apo pardesynë, të cilën nuk e dallova dot. M’u rrëqeth mishtë, u befasova, më shkuan mornica në trup!

Në mënyrë të papërgjegjshme thashë se mos e shtypja dhe, për të evituar ndonjë aksident të mundshëm, ngula frenat dy metra pranë siluetës. Frenat ulëritën kaq shumë, sa personi në mënyrë të rrufeshme ktheu në një moment kokën dhe ndërkohë hipi në parapet.

Një skenë e tmerrshme, tronditëse dhe shumë e llahtarshme! Lëshova frenat dhe iu afrova shumë i tronditur. Gjunjët po më dridheshin, nuk kuptova se ç’po bëhej dhe çfarë po ndodhte!

Ju luta zotit dhe frenova avash-avash, për t’i treguar personit që u ngjit në parmakë se nuk e pata vënë re, por dhe të mos trembej…!

Për Perëndi, zoti më dha forca, hapa menjëherë derën e kabinës që ishte pothuajse në lartësinë e parmakut dhe e mbërtheva nga palltoja.

Dëgjoj një ulërimë dhe një të sharë të fëlliqur, me një greqishte të cunguar: “afiseme, afiseme, se parakalo qirje, kane si dhulasu”… (lëshomë, lëshomë… të lutem zotëri, bëj punën tënde.)

E mbërtheva tek zverku në pallto, njërën këmbë e kisha në shkallën e kabinës dhe tjetrën në parmak dhe sa munda përpiqesha ta tërhiqja nga rreziku!

Ishte grua, shtatlartë me kapuç në kokë e veshur trashë. I bërtita sa munda: “stamata, qiria, stamata”… (ndaloni, zonjë, ndaloni…!).

32 33

Ajo kishte vendosur t’i jepte fund jetës dhe kuptova menjëherë se po zbërthente kopsat e palltos, të më linte atë në dorë, se m’u lirua krahu. Atëherë po rrezikoja për vete më shumë, nuk ma mbajti të ngjitesha lart, se mos më merrte me vete, por në mënyrë të rrufeshme pa ia lëshuar pallton, me dorën tjetër, mbërtheva dorën e saj dhe ia shtrëngova si në morsë. Në këtë kohë ajo kërceu për të rënë në lumë!

Lumi ishte i zi sterrë dhe uturinte! Gruaja më mbeti e varur në dorë, dora ime e varur në parmak mbante komplet peshën e saj të varur si në çengel! U ndodha në një situatë të rrezikshme dhe shumë me përgjegjësi, mend po më binte të fikët. Isha komplet i pafuqishëm për ta sjellë sërish në pozicionin e parë, ta hipja së paku mbi parmak. Era frynte si e marrë, aq sa çuditem si nuk e rrëzoi më parë, kur hipi aty.

Pozicioni im ishte i rrezikshëm për ta mbrojtur gjatë atë! Në qoftë se unë lodhesha, ajo do të më shkiste nga dora dhe do të përfundonte… Unë vetëm i vdekur mund ta lëshoja dhe lusja zotin të kalonte ndonjë makinë, që të më vinte dikush tjetër në ndihmë. Mirëpo, fatkeqësisht mendoja dhe atë tjetrën që, po të binte në lumë, do të quhesha unë “krimineli”. Çfarë nuk ndodh në këtë shekull!

Njërën dorë e kishte nxjerrë nga palltoja në kohën që e ç’kopsiti atë dhe palltoja tani valëvitej nga era mbi trupin e saj me tërbim. Edhe sot e kësaj dite nuk mund ta konceptoj se sa zgjati ai moment, por di të them se mua m’u duk pafundësi duke pritur ndihmë. Ndoshta gjysmë ore? Një orë? Dhjetë minuta, një ditë, apo një shekull?

Ndërkohë, për fat, erdhën disa njerëz nga të dy krahët e urës dhe, kur panë se ç’bëhej, u llahtarisën! Zërat e tyre nuk dëgjoheshin thuajse fare nga motori i ndezur i “Volvos” 12 tonësh!

Ata plasën sa na ndihmuan…! Unë nuk thërrisja dot për ndihmë, isha shokuar i tëri…! Dritat e “Volvos” po zbeheshin…!

U përmenda të nesërmen, kur e pashë veten në spital! Nuk mora vesh se si kishte ndodhur. M’u duk vetja se isha në ëndërr! Dora dhe zverku pothuaj më ishin paralizuar…! Në gjoks, në krahun e zëmrës kisha një hematomë të madhe.

Mbas kushedi sa orësh nga ngjarja, erdhi në spital policia. Hetuan se ç’lidhje kisha me “viktimën”, si njihesha, si ndodhi…! Nga ekspertiza mësova se ajo quhej Ritë Maudoja, shtatzënë dhe me origjinë franceze. Në makinën e saj u gjet edhe një letër, që bënte të qartë gjithçka.

Kisha bërë një kryevepër se shpëtova dy njerëz nga vdekja! Si është dhe si vazhdon Jeta! Asnjë nuk e di të nesërmen…!

Petraq, po u lodhe, e ndërpresim! Jeta ime është “ndryshe” nga të tjerët, dëgjo ç’do të të them për më pas!

– “Grek”, vazhdo rrëfimin se më hipnotizove…!

Kapitulli i dytë

7

Dr. Aleko Pressa, së bashku me Efijeni Gjerekon, të alarmuar dhe të tronditur në kulm, e lanë Athinën dhe ndërprenë “shërbimin”, duke fluturuar urgjent me aeroplan në drejtim të Selanikut, sapo morën vesh se Ritë Maudoja kishte tentuar të vetëvritej.

Doktorit, ky lajm i dukej i pabesueshëm dhe nuk mendonte kurrë se ajo do të arrinte deri aty sa të kryente një akt të tillë makabër, sa të vetëflijohej…!

34 35

Gjithsesi, me të mbërritur në Selanik, fill mbas grekut “Kondo”, ai iu nënshtrua një hetimi tepër të egër nga asfalia lidhur me marrëdhëniet që ai kishte kohët e fundit me të shoqen.

Në këtë hetim u përfshinë shumë njerëz, miq të afërm, komshinj, qofshin këta edhe prindërit e tij, apo edhe vetë e bukura Efijeni Gjereko, për të cilën doktori kohët e fundit përgjërohej.

Ndërkohë, Ritë Maudoja ndodhej ende në spital, në gjendje tejet të rëndë shëndetësore. Për tre-katër javë rresht, ajo qëndroi në gjendje kome dhe nuk shfaqte asnjë shenjë jete, bile as edhe shpresën më të vogël për t’u përmendur nga ajo llahtarë që kishte përjetuar.

Doktorët bënë të pamundurën ta përmendnin, madje vetë Ambasada dhe Ministria e Shëndetësisë Franceze të alarmuara në kulm, dërguan urgjentisht nga Parisi dy mjekë neurologë të specializuar për këto lloj traumash!

Hetuesia e rreptë dhe shumë e specializuar (edhe nën ndikimin e Parisit) hetoi një për një marrëdhëniet e tronditura të çiftit.

Analiza e letrës që kishte lënë në makinë Ritë Maudoja fliste fare qartë për “tradhtinë”e fëlliqur bashkëshortore të Doktorit, gjë kjo që e vuri me shpatulla për muri dhe po e ngarkonte me akuzë të rëndë.

Rita, në letrën e saj, kishte shpjeguar qartë gjithë miqësinë e tyre, premtimet dhe ëndrrën e bukur greke me të…!

Ajo kishte thënë pak, por jepte sinjale për të kuptuar shumë edhe mbi abuzimet dhe shpërdorimet që doktori bënte në kurriz të shtetit, dhe rruga e korrupsionit që ai kryente në institucionin që drejtonte.

Detyrohem, ndoshta kundër dëshirës dhe karakterit, apo ndjenjave të mia… shkruante Rita në atë letër, të bëj këtë kallëzim e sforcuar, mbasi ai, (ish-burri im) është shumë karrierist dhe i verbuar nga pushteti, aq i etur sa me të padrejtë po braktis familjen dhe një femër të braktisur, siç jam unë, lëre më pas për shtetin…

Unë e dashuroja atë si sytë e mi, por ai më zhgënjeu dhe, pa pikë mëshire, u tjetërsua, aq sa kohët e fundit filloi të më dhunonte, kur unë përpiqesha të distancohesha prej tij. Pabesia dhe poshtërsia e tij më detyron t’i jap fund jetës dhe të mos kem kthim, ndoshta duke marrë më qafë edhe një krijesë që jeton dhe ushqehet me gjakun tim…!

Sa jam gabuar! Kujt t’ia qaja hallin. Prindërve të mi? Ata, nuk janë më në jetë…! Jam jetime e pafat!

Ndërsa prindërit e atij, janë njerëz të mirë, por të paaftë ta kthenin djalin e tyre nga rruga e poshtërsisë dhe shoqërisë, ku ishte futur padrejtësisht është futur. Ata më kuptonin dhe unë i kuptoja ata. Unë heshtja dhe ata heshtnin…!

“Mikja” ime, Efijeni Gjereko dhe disa të tjera, që nuk dua t’i përmend emrat e tyre, hynë pabesisht në jetën time. Unë u besova miqësinë dhe shoqërinë time atyre grekëve, ashtu siç i besova edhe tim shoqi…!

Por edhe ata më tradhtuan. A mos vallë kështu është e gjithë shoqëria këtu! Ata, u futën si “Kalë Troje” brenda meje…!

Kështu që në bazë të letrës, si prova më e pakundërshtueshme, Aleko Prresa, u arrestua fill mbas tre ditësh…!

Mbi të rëndonin disa akuza, të cilat domosdo do të provoheshin më pas, me prova të pakundërshtueshme.

Abuzim i rëndë në detyrë, shfrytëzim i postit zyrtar, mashtrim dhe dhunim personi…

Hetuesia hetoi gjithë çështjen, duke e mbajtur edhe shoferin e “Volvos” në gjendje arresti për katër javë, si edhe tre a katër dëshmitarë të tjerë të asaj nate, që pyeteshin të lirë.

Paskal Kondua, i përzier aksidentalisht në këtë “histori”, tregoi me ndërgjegje dhe me vërtetësi se çfarë kishte ndodhur atë mbrëmje, një ditë para Pashkës së madhe.

Hetuesia e kërcënoi Paskal Kondon, si “alvanos” që ishte, dhe po e implikonte në versione të pavërteta, të rrezikshme dhe të turbullta, mirëpo karakteri i tij i fortë, qëndresa, burrëria, fisnikëria, pse jo dhe besa, apo e drejta që po ndihmonte një njeri, as e bënin të mos i dridhej fare qerpiku…!

36 37

Hetuesia provokonte dhe sajonte disa variante, apo alibi intriguese, të poshtra e të pabaza. Nuk kuptohej qëllimi i tyre, ata në disa raste donin të shtrembëronin të vërtetën!

Nuk di kë mbronin dhe si, mbi çfarë bazë?

Ata e kërcënuan se do ta dëbonin nga shteti grek, se punonte me dokumente të “falsifikuara e plastike”, me patenta dhe leje qëndrimi të pavlera, se kishte abuzuar me “mallin” (mall i botës), se kishte ndihmuar “klandestinë në kalime të paligjshme të kufirit”, se kishte transportuar mallra të “ndaluara”!

Madje e akuzuan dhe si njeri “imoral”! Ata dinin me saktësi edhe “miqësitë” e tij me disa “zonja qejfllesha” nga Selaniku, me të cilat ai pat lidhje intime dhe ia përrëndën gjatë hetimit, me emra…!

Për të gjitha këto të fundit ai u tha pa frikë dhe me plot gojën, se është një e drejtë legjitime e njeriut, a ka ndonjë ankesë nga ndonjëra?!

Por jo! Ata u gabuan, se Paskal Kondua nuk ishte vetëm! Ai kishte me vete të vërtetën dhe misterin e asaj nate. Madje në Selanik, sapo ndodhi ngjarja kishte ardhur urgjent dhe enkas për çështjen e “punëtorit ortak”, duke ndjekur hetuesinë edhe znj. Areti Zoi, padronia e tij, që kishte një reputacion të madh dhe njihej në të gjithë Greqinë si firmë e madhe “Alervi”, por dhe e pasur.

Ajo vendosi urgjent avokatin e njohur arvanitasin, Theoharis Luçis në mbrojte të tij, duke iu përgjigjur çfarëdolloj shpenzimi. (Avokati nuk pranoi më pas të merrte asnjë lloj shpërblimi, mbasi e quajti si ngjarje të rrallë nga njerëz të rrënjëve të tij)

Ai, duke e simpatizuar klientin si shqiptar po e po, si tip, por edhe për karakterin e tij të fortë dhe të çuditshëm, si njeri i veçantë dhe i pathyeshëm dhe duke u bindur plotësisht tek thëniet e tij të sinqerta, e besoi qysh në fillim.

Mediet dhe gazetat greke të kohës e lakuan sipas dëshirave historinë e shqiptarit, që shpëtoi francezkën. Emri i Paskal Kondos, edhe në këtë rast, u përdor për interesa nacionaliste, sepse disa gazeta thoshin “vorio-epiroti”, disa të tjera thoshin “alvanos”, disa të tjera thoshin një “emigrant”, që kishte lidhje me të.

Por deklarata që bëri në një TV privat, Theohar Luçi, arvanitasi i nderuar, sqaroi gjithçka dhe rrëzoi çdo alibi, version, apo mendime të tjera negative dhe komprometuese. (I pandehuri nuk mori vesh asgjë se çfarë thoshin mediet, sepse, natyrisht, në hetuesi nuk u lejua një gjë e tillë).

Ndër të tjera avokati theksoi se Paskal Kondua bëri një vepër, që askush nuk mund ta bënte dhe do të shënohet në histori. Falë karakterit, personalitet, prejardhjes dhe forcës fizike të tij, ai bëri një kryevepër, duke shpëtuar nga vdekja dy qenie të pafajshme njerëzore.

Pikërisht mbas tre javësh, hetuesia e mbylli dosjen dhe jo vetëm e quajti të pafajshëm “grekun Kondo”, por edhe e dëmshpërbleu për ditët e humbura, si edhe për shqetësimin moral që i sollën atij si person, apo kompanisë ku punonte.

Për dëmshpërblimet materiale, Kondua as kishte nevojë sa të kishte Tushen, se ajo ju bë nënë e motër!

Sa e lanë të lirë, Paskal Kondua, i brejtur nga dashuria njerëzore, apo nga akti që kreu, i vuri qëllim vetes të njihte nga afër femrën që ndihmoi.

Kush ishte, nga vinte, pse donte t’i jepte fund jetës?

Paskal Kondua gjatë hetuesisë nuk arriti dot ta mësojë historinë e vërtetë të saj as nëpërmjet avokatit të tij, pasi taktikat e tyre ishin të specializuara, misterioze dhe enigmatike.

Hetuesia bënte punën e vet…!

Asfalia, natyrisht, nuk mund t’i thoshte të “pandehurit” se kush ishte bashkëshorti i saj, se pse ishte detyruar të bënte vetëflijim, apo dhe si ishte implikuar Ai, (Alekua) në të tjera afera korruptive.

Të gjitha ato, Paskal Kondua, i mësoi më pas nga Areti Zoi, e cila e këshilloi atë që të priste fillimisht derisa e sëmura të ripërtërihej dhe më pas të njihej me të njerëzisht.

Sipas lajmeve, e sëmura po bëhej çdo ditë e më mirë, po dilte nga kllapia dhe nga ai gjumi i pa zakontë letargjik.

38 39

Në pritje të përmirësimit të së sëmurës, ai u akomodua në një hotel modern dhe për njëfarë kohe nuk pyeti, as për “Volvon” e tij, as për punën, mbasi padronia u bë garant për gjithçka.

Për çudi, tani as që i shkonte nëpër mend të takonte ndonjë nga “mikeshat intime” të Selanikut. (Të cilat më pas do t’i braktiste njëherë e gjithmonë!).

Mendja, zemra, shpirti, ndjenjat humane, kureshtja, instinktivisht iu përqendruan tek e sëmura, gruaja që shpëtoi nga rreziku. Si ishte dhe kush ishte AJO? As mund ta dinte, as ishte i sigurt se si do reagonte ajo, por veçanërisht si do ta priste shpëtimtarin e saj. Ndoshta do ta urrente apo do ta “padiste”, që pengoi “vendimin”që kishte ndërmarrë.

Areti Zoi i dha të drejtë dhe e porositi me dashamirësi dhe me sinqeritet, të njihej me çdo kusht me të dhe t’i tregonte, sapo ajo të përmendej, gjithçka kishte ndodhur!

Paskal Kondua, i vendosur për të realizuar këtë qëllim, shkonte përditë në spital tek e sëmura. Ai rrinte me ditë e me orë të tëra në stolat e spitalit, duke pirë kafe e cigare njëra pas tjetrës dhe pyeste çdo çast për të.

Ishte i mërzitur dhe pa humor, pritja gjithmonë është e vështirë!

8

Nuk ishte e lehtë as u bë e mundur për Paskal Kondon, të komunikonte me të sëmurën, me gjithë përpjekjet e tij të pandërprera për ta takuar.

Pasi doli nga kllapia, zonjën e çuan menjëherë në një qendër rehabilitimi, për qetësi absolute, e vëzhguar gjithmonë nga mjekë specialistë, sociologë, por natyrisht ndoshta edhe nga “asfalia” si person i veçantë…! (Këtu duhet të kemi parasysh dhe interesimin e shtetit francez dhe ambasadës së saj në Athinë).

Qendra e rehabilitimit ndodhej në një ishull larg, ngritur mbi një luginë në një mal të lartë afër, disa manastireve të lashtë karakteristikë në veri-lindje të Greqisë, me detin karshi.

Ishte tip kampi shumë modern, me kushte bashkëkohore dhe me ambiente qetësuese natyrisht, nën ndikim të kishës ortodokse, e cila jo vetëm që e administronte, por edhe e sponsorizonte, duke e mbajtur kështu gjallë aktivitetin e tij prej dekadash, duke ushtruar shkolla fetare dhe kurse të ndryshme. Kampi i “pushimit” kishte roje të rrepta dhe rregulla të forta, ku pothuajse, nuk lejohej takimi me të jashtëm.

Dikur ky kamp ishte përdorur si qendër internimi për të huaj, italianë, shqiptarë, maqedonas, malazezë, bullgarë etj., që donin të “minonin” qeveritë e Greqisë në kohën e luftës Italo-Greke në prag të Luftës së Dytë Botërore. Atje janë dergjur edhe dhunuar bashkë me ta edhe mijëra çamë. Më pas u bë qendër spiunazhi, ku përgatiteshin agjentë kundër po këtyre popujve.

Një vend karakteristik i gjelbër dhe i bekuar nga Zoti për nga bukuria.

Lëvizja e zonjës fatkeqe nga spitali u bë në mënyrë sekrete për shumë arsye, një nga të cilat, sipas medieve, pa dyshim ishte kurimi dhe shërimi i detyrueshëm i saj… (nga depresioni mendor), por një arsye tjetër ishte fakti se emri i dr. Aleko Pressës, përbente një diskreditim për nëpunësit shtetërorë në të gjithë Greqinë (dhe u gjend e udhës që Rita, ish-bashkëshortja e tij, në njëfarë mënyre të izolohej që të mos nxirrte në dritë gjëra që dëmtonin imazhin e qeverisë greke në botën Perëndimore).

Ai po hetohej për abuzime, ryshfete e mitmarrje dhe për sjellje të padenjë në shoqëri, qoftë edhe si mashtrues. Asfalia dhe hetuesia e quajtën “grupazh”, sepse me të ishin edhe disa miq të tij, gjithashtu edhe znj. Gjereko.

Nga gjithë këto masa s’kishte si ta mësonte largimin dhe drejtimin që mori Anë Mudoja, shpëtimtari i saj, z. Paskal Kondo!

Ju deshën ditë të tensionuara plot ankth dhe shqetësime në shpirt. Instinktivisht, ai po e vuante dëshirën që kishte për ta takuar, dëshirë kjo që për çdo ditë i kthehej në domosdoshmëri.

40 41

I kishte vënë qëllim vetes dhe betohej se do ta realizonte atë.

Me ndihmën e znj. Areti iu drejtua përsëri avokatit të saj, z. Theohar Luçit, arvanitasit zemërmirë, që ligjërisht t’i jepej mundësia të takonte të “shpëtuarën”prej tij.

Si dhe në çfarë mënyre as vetë nuk e kuptonte…!

Në takimin privat, intim, që pati me avokatin, Paskal Kondua, duke ofruar shuma të majme parash (të cilat sërish avokati i refuzoi), mësoi se Ritë Maudoja, mund të ndodhte që të mos dilte kurrë nga ajo e ashtuquajtura qendër rehabilitimi dhe ai, shpëtimtari i saj, të mos e takonte dot kurrë.

Pse? Sepse kjo “qendër” (ashtu i thënçin, të paktën këtë qendër e njihte mirë avokati si dhe “qëllimin” e saj; atje pleksej edhe shteti, edhe Zoti, madje edhe djalli vetë!), ishte një qendër tejet e rrezikshme, ku nëpërmjet ndikimeve dhe influencave të ashpra fetare, (ndoshta shtetërore e policore), si edhe “presionit metodik, shkencor, mendor” nga “dhespotë” “priftërinj” e “sociologë” të regjur dhe “ustallarë” të sprovuar, të cilët bindnin, edukonin, lusnin, detyronin më pas, që këta njerëz me depresione dhe me goditje shpirtërore të ndryshme, t’i dhuroheshin totalisht Zotit…!(dhe të më pas të viheshin në shërbim të tyre).

Me pak fjalë, të flijoheshin, të vetësakrifikoheshin, të humbitnin si në rastin tonë, Ritë Maudoja, ndoshta kundër dëshirës dhe ndjenjave të saj, si e ngelur e vetme në këtë botë.

Synohej, pra, që me “bindje, ndërgjegje të pastër” dhe me mendje të kthjelltë”, duke u betuar para Zotit, do të behej dhe do të ngelej përjetë në manastir, duke u bërë “kallogre”…! ( ndër to ka edhe informatore dhe agjente të regjura, që përdoren më pas nga asfalia si brenda, ashtu edhe jashtë Greqisë).

Bindja e këtyre fatkeqve mund të merrte kohë, por nuk kishte kthim mbrapa. “Ustallarët” studionin raste të tilla dhe gjenin momente delikate, kur njerëz të ndryshëm, qofshin burra, apo gra për arsye të forta depresive e psikike, tentonin të vetëflijoheshin.

Ata dinin t’u futeshin thellë e më thellë ndjenjave dhe ndërgjegjes së fatkeqve, duke i bërë çdo ditë e më shumë pesimistë, të helmuar, të hidhëruar. Madje u krijonin situata dhe gjendje të tmerrshme shpirtërore, zemra e të cilëve drithërohej nga frika si e lepurit, fobia e së cilës mund t’i shtynte përsëri në vetëvrasje apo vetëflijim, me forma nga më të ndryshmet, duke u rrëfyer çdo çast thëniet dhe ndikimin e Perëndisë!

Madje, shpjegonte avokati, në të tilla raste dhe krijesën e saj, kur të lindi do ta kenë në “mbikëqyrje” dhe do përpiqen me çdo kusht që “shoqatat e bamirësisë” ta rrisin e ta edukojnë me ndjenja të forta fetare dhe më pas ta “dhurojnë” sërish tek Perëndia.

“Zoti” i “shpëtonte” këta njerëz duke i marrë në vathën e tij!

Të gjitha këto, Theohar Luçi, i tha miqësisht në mirëbesim, shumë i rezervuar dhe në prezencë të zonjës Areti Zoit.

Avokati vetë u betua para Ungjillit, që thëniet e tij të mos përbënin “mëkat”! Unë, tha së fundi avokati, jam i pa fuqishëm, pasi dhe ligjet dhe kushtetuta e shtetit grek janë të tilla që në “punët” e Zotit, të mos ndërhyhet!

Areti Zoi firmosi çekun e “bardhë” dhe iu lut zotit Theohar të bënte të pamundurën, por ai ia preu si me thikë: “Jam i pa fuqishëm… Ju betohem për KRISHT!”.

Ai u betua sërish dhe u lut shpirtërisht duke bërë tri herë kryq për Ritë Maudonë, që të ishte e kthjellët dhe të mos gjunjëzohej para thirrjeve të “Zotit”, që transmetonin shërbëtorët e tij. Ai, në fund tha:

– Forca jonë dhe ndërhyrja në çfarëdo forme përbën mëkat, Zoti, le të bëjë si të kuptojë dhe të bëjë si është më e mira! Ajo është bijë e Perëndisë si çdo i gjallë mbi dhe. Ne i lutemi atij për ATË të mos e mundojë, të mos e bëjë të vuajë, t’i japë dhe t’i kthejë sërish qetësinë.

Zonja Areti i propozoi avokatit të hanin darkë bashkë me Paskal Kondon, të cilit pas kësaj bisede i kishte hipur në kokë tërbimi.

42 43

Avokati e pranoi me kënaqësi propozimin e tyre, duke iu lutur që të mos e bënin më fjalë historinë e dhembshur të saj!

Gjatë darkës, greku Kondo u përpoq shumë dhe e përmbajti veten duke mos folur thuajse fare. Vetëm pinte verë pa vënë gjë në gojë!

Ai as vetë nuk e kuptoi se pse u lidh kaq shumë me atë grua! Në fund të fundit, çfarë e kishte atë, çfarë e detyronte dhe pse i hyri kësaj aventure?! Ku ishte qëllimi, ç’forca e shtynin nga brenda: ndërgjegjja apo nënndërgjegjja, humanizmi apo ndërgjegjja, fisnikëria, krenaria, prejardhja, besimi apo dashamirësia?

Nuk ishte në gjendje të mendonte asgjë, nuk e nxiste asnjë motiv, derisa më në fund i kaloi ndër mënd se mos mes “viktimës dhe shpëtimtarit” kishte lindur ndonjë shkëndijë dashurie!

Shpëtona o ZOT? Nuk donte ta mendonte për asnjë çast një gjë të tillë! As është nisur nga këto qëllime të mbrapshta; zemra i thoshte që të mos e linte vetëm, ajo ishte braktisur nga kushdo. Perëndia nuk ka të drejtë ta marrë së gjalli. Zoti, ka të drejtë, kur të mbyllë sytë të marrë çdo krijesë!

Këto bluante në kokë Kondua, kur darkonin të tre, avokati, znj. Areti dhe ai, i cili ishte kthyer tashmë në një robot, që bluante në memorien e tij lloj-lloj mendimesh të trazuara dhe të pakuptimta.

Piu gati tre litra verë pa ngrënë asgjë, sytë i ishin bërë flakë të kuq, flokët i ishin shpupuritur dhe si avokati, ashtu e Tushja qysh në fillim e këshillonin të hante sadopak dhe të mos pinte më!

Kur kishte kaluar ora një e natës dhe kur darka do të mbyllej, Aleko Kondua, instinktivisht, i nevrikosur, i papërmbajtur dhe thuajse në gjendje të dehur, i mbushur me urrejtje kundër “njerëzve të Perëndisë”, shpërtheu duke ulëritur në mes të lokalit, i përlotur dhe me zë të lartë:

– Ju betohem se atë “dele” nuk do ta lejojmë kurrën e kurrës ta shpiem në atë vathë, ku era e djersës dhe e temjanit, shuan ëndrra dhe pushon zemra njerëzish! Kurrë! Ju betohem se sërish do jem shpëtimtari i saj! Po! Unë, Paskal Kondua, ju betohem avokat, ju betohem znj. Areti, më ndjeni, kam pirë pak, më falni për shpirt të prindërve të mi! Sikur të humbas dhe jetën për të, nuk më dhimbset fare. Ja që tani do t’i them burgut hapu! Ju betohem, nuk do t’i ndahem, mos më thënçin Paskal Kondo!

Ata u përpoqën ta qetësonin, por Paskal Kondua nuk mundi t’i mbante më lotët. Ai shpërtheu në të qara, por pa e dhënë veten! (në opinion dukej sikur qante nga pija).

Karakteri i tij nuk e pranonte të lotohej, por diçka e brendshme po e mundonte në shpirt! Ishte Ritë Maudoja, e cila vuante fajësinë e pafajshme të saj dhe dhimbja për të nuk njohu kufi!

(Këto të gjitha i foli në shqip, se si avokati, por edhe znj. Areti, që e kishte nënën nga Çamëria, e dinin gjuhën shqipe për bukuri).

Ata u munduan, e qetësuan duke i folur fjalë të mira dhe duke e këshilluar të bënte kujdes në vende publike se nuk ishte aspak e hijshme të diskutohej nëpër rrugë fatkeqësia e saj.

I hipën makinës së avokatit dhe e çuan të dhembshurin në hotel duke e lënë të qetësohej.

Greku Kondo gjithë atë natë dhe në atë gjendje të tmerrshme që ishte doli në ballkon dhe ndezi cigaret një nga një deri në mëngjes sa ra dita dhe i doli pija.

Kokën e kishte daulle, por mendimet i kishte të kthjellëta dhe të qarta!

Zbriti poshtë, zuri një vend në një kafene buzë detit dhe numëronte valët, poshtë kangjellave që përplaseshin në mur, mbi mbajtësin prej betoni…!

Prej aty soditi një tufë pulëbardhash, të cilat, të lodhura e të lira, po i afroheshin bregut për të gjetur pak ushqim që të mbijetonin!

Mendja i shkoi sërish tek Ritë Maudoja, së cilës po i mohonin lirinë.

Ai sivjet nuk e festoi Pashkën e madhe si çdo i krishterë. Në jetën e tij dikush kishte hyrë pa e menduar kurrë ndonjëherë!

44 45

9

Ritë Maudoja, pas kaq kohësh e kurash intensive në spital, kujtonte si nëpër tym situatën e rëndë, poshtëruese në marrëdhëniet bashkëshortore, sjelljet brutale e skandaloze të të shoqit, largimin e tij të fundit për Athinë me dashnoren e re dhe vendimin e saj të prerë për t’i dhënë fund gjithçkaje. Iu kujtua çasti kur doli nxituar dhe plotësisht e çmendur atë natë nga shtëpia, dhe për disa orë në atë gjendje turbulluese shkoi dhe ndenji në një kafene, duke pirë rreth dy litra verë recinë, pa ngrënë dhe pa vënë gjë në gojë.

Aty ajo shkroi letrën e lamtumirës nga kjo botë, arsyet dhe motivet që e shtynin të bënte vetëflijimin dhe momentin kur u nis drejt fundit…

Dëshmitarët pas aktit kishin deponuar se letra ishte shkruar më datën 14 prill, dy ditë para Pashke, në tavernën “Barba THOMA”, në Periferi të Selanikut.

Kështu ajo po dilte nga spitali pothuajse e turbulluar dhe krejt e pa kthjelluar, si në ëndërr përpiqej të mësonte se çfarë kishte ndodhur me të.

Iu deshën ditë të tëra të perceptonte historinë e asaj nate, ku me ndihmën dhe citimin e “asfalisë”, e cila përpiqej të bënte raportin e ekspertizës duke marrë fakte dhe prova nga letra që u gjet në makinën e saj, si edhe deponimet e vërteta dhe vendimtare të shqiptarit Paskal Kondo, dy-tre dëshmitarëve të tjerë të po asaj nate si edhe të Aleko Pressës, bashkëshortit të saj, që ishte i arrestuar bashkë me të dashurën, znj. Gjereko.

Aleko Pressa akuzohej për një sërë shkeljesh të ligjeve në fuqi.

Ndërsa Ritë Maudoja, në ditët e fundit të qëndrimit në spital, krahas depresionit dhe ankthit që po përjetonte, iu nënshtrua edhe vizitave gjinekologjike për të shikuar gjendjen e embrionit të ri që ushqente në barkun e saj.

Ajo kishte ngelur shtatzënë dhe, kur u sigurua që kjo ishte e vërtetë, në sytë e saj lindi një rreze e re dite dhe një shpresë për të jetuar. Ajo e ndëshkonte veten për vendimin e marrë dhe, kur policia ia paraqiti të gjithë skenarin si dhe çfarë kishte ndodhur, ajo u trondit dhe nuk e besonte se kishte arritur deri në atë pikë.

Doktorët e porositën se gjendja e saj hë për hë nuk ishte e qetë dhe, si e tillë, duhej të shkonte në një qendër rehabilitimi e pushimi sa të bëhej mirë.

Prej andej, ajo do të zgjidhte vetë dhe me ndërgjegje të plotë të ardhmen e saj.

Ritë Maudoja nuk e quajti me vend këtë vendim të tyre, ajo u tha se unë jam fare mirë, jam e qetë dhe kërkoi menjëherë të divorcohej nga Aleko Pressa, duke mos pretenduar asgjë nga ai. Njëkohësisht, njerëzve të qeverisë, u tha se donte të njihej me “shpëtimtarin” e fëmijës së saj si dhe të vetes…!

Njerëzit e qeverisë dhe të “Perëndisë” i thanë Ritë Maudosë se kjo do të ndodhte në momentin kur ajo të “qetësohej” plotësisht. Ajo plotësoi formularët dhe Aktpadinë për divorcin me doktorin, duke mos argumentuar asgjë nga ato që kishte lënë me të shkruar, por thjesht se nuk puqeshin në karakter.

Ajo tha dhe nënshkroi se letra që kishte lënë, qe bërë pa ndërgjegje dhe nën efektin e alkoolit dhe si rrjedhojë të mos merrej për bazë! Po aq “të forta” ishin deklarimet e tjera të saj:

– Aleko Pressa, është një person me të cilin nuk u përshtata dot me të si të martuar dhe si çift! Unë nuk kam punë më me të! Për sa u përket marrëdhënieve të tij me qeverinë, kjo është në kompetencën tuaj dhe punë për ju. Nuk dëshiroj të paraqitem në ditën e gjyqit dhe nuk dua të bëj asnjë seancë pajtimi. Jam plotësisht e ndërgjegjshme, që fëmija që kam në bark ka atësinë e tij.

46 47

Do ju lutem, deklaroi e kërkoi Ritë Maudoja, mos të më bëni kurim të “detyruar”, mbasi nuk jam as e çmendur, as e marrë. Jam vetëm një fatkeqe, që vij nga një vend i madh dhe me një fat të vogël! Kurrë dhe askujt nuk i kërkoj ndihmë, kurrkujt dhe askujt nuk i kam ndonjë borxh. Kam vetëm një kërkesë dhe një dëshirë nga ju, autoritetet e qeverisë, që të më jepet mundësia t’i shpreh mirënjohjen e thellë njeriut dhe njerëzve që shpëtuan jetën e fëmijës tim, që padrejtësisht desh e mora më qafë, së bashku me veten time. Këto ia citova edhe avokatit tim, ashtu siç po jua citoj edhe ju. Ai më premtoi se do të bashkëpunonte me autoritetet, të fitoj qetësinë e humbur.

“Ekspertëve” të kësaj pune, si ato policore, të “djallit”, apo të Perëndisë, do iu lutesha të mos privohem me kurim të detyrueshëm, jam e ndërgjegjshme dhe e kthjellët për sa thashë.

Gjithsesi, me gjithë lutjet e saj francezkën, bonjake dhe të pafat, e dërguan për “qetësi” në një “spital” afër Perëndive dhe që aty ajo do të vendoste për më tej.

Lidhur me kërkesën e saj për të takuar shpëtimtarin, ata, me qëllim ose pa qëllim, as e përmendën diku në

Procesverbalin përcjellës. Me pak fjalë, nuk ishin dakord që ajo t’i shprehte mirënjohje Paskal Kondos dhe njerëzve që u ndodhën në tragjedinë e asaj nate.(Qëllimin dhe ndalimin ajo nuk e mësoi kurrë pse nuk e lejuan).

Ritë Maudoja u skandalizua nga rregullat ushtarake të “spitalit” të ri. Ajo atje kujtoi se ishte mbyllur në një manastir dhe ishte “dhuruar” e tëra zotit. Natyrisht, e “detyruar” dhe kundra dëshirës dhe ndjenjave të saj!

Atje, edhe “doktorët” ishin të zinj, si priftërinjtë, (me mjekër, kamillafë të zinj, me raso dhe me kryqe varur mbi gjoks) edhe “sociologët” ishin njerëz të Zotit, edhe “infermieret”, edhe kuzhinierët, edhe “pastrueset”, edhe “lulishtarët”, edhe edhe edhe “rojet”!

Ishte një “spital” (se kështu i thanë kur e dërguan aty), me të gjitha komoditetet, me kushte bashkëkohore, disiplinë dhe rregulla të forta. Të tilla ishin zgjimi, larja e pastrimi vetjak në mëngjes, mëngjesi, orari ilaçeve, orari i “studimit” të librave të zotit, dreka, pushimi, filma, video, biseda dhe recensione për “fuqinë” e Perëndisë.

Si edhe koha e gjumit…!

Edhe ëndrrat atje i shihje të zeza dhe me ZOT!

“Ciceronë” dhe “igumenë”, “kallogre” dhe gra e vajza të “përkushtuara”, herë me futa të bardha me shirita të zinj dhe disa herë me të zeza të kallnin frikën!

Atje ilaçet bazë ishin “aloperidolët” dhe “steriotipet”, që të mpinin trurin dhe të shkatërronin hormonet. Uji ishte gjithmonë i kloruar në përqindje skandaloze. Gjella bëhej kurdoherë pa kripë!

Burrat rinin veç, ndër ta kishte djelmosha fare të rinj, ashtu siç kishte gra apo vajza të reja në krahun tjetër!

Hotelet, apo “rezidencat” ishin ndërtuar në një pyll të stolisur dhe marramendës që ngjante me kopshtin e “Edenit”, me shumëllojshmëri pemësh dekorative të rritura mjeshtërisht nga artistë “murgjish”; kudo bar lule dhe ambiente fantastike. Shihje plot monumente antike dhe me vlera kulturore të vendosura simetrikisht nëpër parqe, lulishte, apo kopshte në formë amfiteatri. Në qendër dhe në krye qëndronte Jezusi dhe unazë, si rreth, i rinin 12 apostujt besnikë të tij.

Heshtja e tyre të frikësonte.

Në krahun tjetër, mbi një piedestal të lartë mermeri, qëndronte “Hipokrati” ai që u betua për humanizmin shëndetësor. Më tej Sokrati, Aristoteli, Aristofani, Eskili, Ezopi, Themistokliu, e lloj-lloj dijetaresh e filozofë të lashtësisë greke.

“Kampi”, “Spitali”, apo qendra e “Zotit” ishte një muze më vete. Natën ky amfiteatër ndriçohej nga llamba vajguri ose qirinj në shishe, që bënin dhe formonin një zinxhir apo gjerdan të artë dritash nëpër pemët dhe kopshtet e bukura.

I madhi i “këtij institucioni” ishte zoti Papa Theofan, që hera-herës vishej si dhespot, hera-herës si doktor, asnjëherë si “polic”, megjithëse thoshin me të drejtë, që ai ishte dhespoti, të tjerë thoshin që ishte doktori, disa thoshin është

“Petropulua” (“shef i Asfalisë greke në luftën Italo-Greke).

48 49

Rezidenca e Ritë Maudosë ishte e lartë, një dhomë antike gjumi me dy krevate, një sallon, një gardërobë e madhe, një kuzhinë normale, një banjë me tip dush vaskë dhe një ballkon i gjatë. Ballkoni binte perpendikular mbi shkëmbinjtë e thepisur mbushur me qiparisa të lartë.

Peizazhi ishte marramendës dhe horizont pa kufi. Prej andej dukej deti me gjithë valët e tij të përjetshme!

Si shoqe dhome e Ritë Maudosë ishte zonja Persa, një maqedonase që kishte “mëkatuar”, duke u dashuruar dhe duke shkelur ligjin e Perëndisë, apo kurorën e “shenjtë” të aktit martesor! Ajo ishte e sëmurë nga “presionet” e ndryshme mbas këtij akti dhe po kurohej me ilaçe dhe me fjalën e Zotit, apo me “porositë” e tij!

Znj. Persa, ishte rreth të tridhjetepesave, ishte një zonjë e bukur si yll, brune, sytë e zinj të mëdhenj si ulli, flokë durudhe, buzë dhe qerpikë të trashë, gjoksmadhe, këmbëleshe, e gjatë dhe belhollë. Ishte shumë e zgjuar dhe hokatare!

Mbasi u miqësua mirë me Ritën (se ditët e para nuk i fliste fare, aq sa Rita më shumë trembej prej saj), i tregoi gjithë historinë.

Kishte dy vjet atje, nuk i dhembte gjë dhe nuk vuante nga ndonjë sëmundje. E kishin sjellë nga ishulli Paros, ku banonte së bashku me familjen.

Mbas “mëkatit” i vunë epitetin e të”çmendurës”, ndërsa “policia”, duke i vënë epitetin e “asgjësimit”, se ishte e rrezikuar të ekzekutohej nga “tarafi” i burrit të tradhtuar, me pak fjalë e shkalluan me zor dhe po e çonin për tek Zoti vetë.

Ajo i tregoi Ritës, se nga “mësimet” fetare, nga vetëmohimi dhe dashuria për Zotin, këta “specialistë”, këta “doktorë, këta “sociologë” me punën e tyre vetëmohuese të bindin, të edukojnë, të prishin mendjen, të çorodisin, që me dëshirën tënde të lartë t’i lutesh të Plotfuqishmit, të mëshirojë që të jesh pranë tij në “manastir”, në qendrën ku dhuron të gjithë trupin, deri në amshim dhe përjetësi për së gjalli!

Natyrisht, jo të gjithë binden apo thyhen që të veshin më pas petkun e murgut, apo të kallogresë, megjithëse shumë prej tyre dorëzohen, jo nga dhuna, as nga varfëria, as nga intriga, por nga bindja, ndërgjegjja dhe dëshira e mirë e tyre!

Një “dekret” i pashkruar, por i realizuar, një ligj i palexuar, por i kënduar të “izolon” nga e vërteta, të shpëlan trurin. Çdo gjë që mëson këtu, është në interes të “tyre” d.m.th të Zotit. Kështu i thoshte Persa përditë Ritë Maudosë, e cila çdo ditë që kalonte po ikte vërtet nga trutë, duke vrapuar drejt çmendurisë. Asaj po i rrëmbenin padrejtësisht lirinë!

Kush dhe përse? Ku thuhej, apo kush e dënoi, cili gjyq, Ritë Maudonë, apo Persën t’i nënshtroheshin këtij dhunimi? Mos vallë Zoti vetë i kërkon këta njerëz të pafajshëm, të cilët në një çast ligështie, ankthi, mërzie, hidhërimi, nostalgjie, apo dashurie të humbasin për së gjalli gjithçka?! Ku është dhe si shprehet kjo forcë, pse dhe si përzihet shteti në të? A mos vallë ky sistem është ndërtuar mbi këto motive, ku është shenjtëria e këtij kombi? Po Zoti vetë, pse “porosit”, “mëson”, “instrukton” predikuesit, të ngrenë institucione të tilla? Falna o Zot! Këto dhe të tjera ëndrra shikonte ato ditë Rita…!

Persa heshtte dhe nuk donte të mësonte asgjë mbi jetën e Ritës, pasi ajo ishte porositur nga “Zoti” të mos merrej me punën e të tjerëve, veçse në rastin kur ato rrëfenin vetë!

Por Rita mbas disa ditësh i foli vetë për jetën e saj të hidhëruar. I foli për prindërit, për dashurinë e humbur, si edhe për krijesën që rritej në barkun e saj!

Persa në këtë rast nuk mëkatohej, sepse nuk i kërkoi asaj të mësonte për të. (Sipas porosive të “Zotit”).

U ndje pak ziliqare që Rita ishte shtatzënë, ndërsa Persa s’e kishte pasur një fat të tillë; ajo ishte shterpë dhe, si e tillë, në “kampin spital”, çoç kishte filluar të plotësonte epshet dhe dëshirat e saj, rreptësisht të ndaluara në atë vend të “shenjtë”, me një igumen 41 vjeçar, i cili më pas i erdhi në ndihmë edhe Ritës, jo për të plotësuar mungesën e mashkullit, por për një “skenar” tjetër… (Ajo, Persa, kur po i rrëfente sekretin për marrëdhëniet me atë mashkull në vend të ndaluar, i kërkoi Ritës të betohej se do ta ruante deri në vdekje misterin e saj. Rita i premtoi dhe u betua se ishte dhe do të ngelej besnike…)

50 51

Ritë Maudoja i tha Persës se njëfarë faji lidhur me problemet që u lindën, kishin edhe qeveritë e tyre që nuk ndërhyjnë. Por Persa e këshilloi Ritën, se ata respektojnë ligjet e shtetit, ku shtetasit e tyre banojnë.

Rita më pas i tha Persës se ishte shumë kureshtare të njihte njeriun që e shpëtoi, kishte shumë dëshirë dhe ndjehej e detyruar ta falënderonte!

Kështu kaluan javët e para. Ato merrnin bashkë “mjekimet”, “mësimet”, “lutjet”, “ritet fetare”, “studimet” (me përjashtim të mjekimeve e vizitave si shtatzënë, që Rita i merrte veçmas nga kallogreja gjinekologe, doktoreshë Amalia) dhe “zbatonin” me shenjtëri rregullat dhe programet e kampit “spital” të Zotit!

Atje ditën e premte, të shtunë dhe të diel të çdo fund muaji, vinte për “Inspektim” një delegacion i tërë “dhespotësh”, “shkëlqesish”, “priftërinjsh”, “sociologë”, ndoshta edhe “agjentë asfalie” për të shikuar rezultatet. Shtëpia e Zotit ishte e madhe dhe prej andej furnizoheshin mijëra manastire me kontingjente të rinj!

Kishte raste kur burra, gra, vajza fare të reja, pleq, apo plaka, për një arsye apo një tjetër drejtoheshin direkt në këto dyer, (pa kaluar nëpër kampe e spitale të tilla). Ata ose ato, betoheshin e faleshin para Perëndisë që të “shenjtëroheshin” përjetë, duke u kthyer në “murgj”, apo “kallogre”!

Ditët që “inspektorët” e Perëndisë “inspektonin” kampin spital, Ritë Maudonë e zinte vërtet një dhimbje koke, asaj gjatë atyre ditëve i errësohej gjithçka dhe i dukej krejtësisht e zezë çdo gjë, me përjashtim të detit që nuk e ndërronte blunë e tij. Ndërsa Persa gjatë këto ditëve “rrëmujë”, përpiqej të takohej me “varvatin” e saj, murgun Kristofor.

Enigma dhe mistere në një botë çudish…!

Ndërsa çdo të hënë, në kafen e mëngjesit, magjistarja kallogre, zonja Eleonorë, u shikonte vajzave (Ritës dhe Persës), filxhanin dhe fatin e tyre, duke u thënë qindra fjalë e përralla.

Ditët kalonin dhe shpresa për të nesërmen rritej tek Ritë Maudoja, siç po i rritej barku. Ajo ishte në muajin e katërt të shtatzënësisë.

Në kohën e lirë Ritë Maudoja shkonte sodiste me orë të tëra para dhjetëra kuvlive dhe kafazeve të zogjve dhe shpendëve, të cilat kërkonin lirinë duke cicëruar pa pushim natë e ditë!

Ndërsa Persa shpesh në kohën e lirë “humbiste” pyllit në ëndrrën e bukur të dashurisë për jetën së bashku me murgun Kristofor!