GRIMCA AKULLI E PRUSHI
(Rituali është fjalë)
Shiu bie vetëm për mua.
I imët, i shpeshtë, i rrafshët.
Zhurma e tij ka heshtur gjithçka.
Nuk dëgjohet cicërimë shpendi.
Mali është nën mbulesë të kristaltë .
Të gjitha gjallesave u është zënë fryma.
përveç frymës sime avull.
Ec ngadalë, me ëndje.
Është çasti i shumëpritur.
Çast festiv.
Në stinë të ditëlindjes
kur dëshpërimi bëhet gëzim.
Si asnjëherë më parë
jemi bashkë unë dhe shiu
dhe askush tjetër.
Hapin e rralloj dhe qetë e lëshoj.
Ec me ritmin e pikave.
Mikut nuk dua t’a prish melodinë.
Marr frymë thellë disa herë.
Përgatitem për ritual.
Rituali është fjalë
e tretur në zemër të shpirtit,
që thuhet pikërisht tani –
si këngë
Si këngë që bashkon grimca.
Grimca akulli e prushi.
