Vullnet Mato
Grua-bota kundërshto dhunën,
nga egërsirat që imitojnë faunën!
Ti duhet të jesh, aq krenare,
sa është dielli i jetës planetare;
Erdhe me kavaleri meteorësh,
kur Toka kish mungesë banorësh,
solle gjenezën jetës së rifillimit,
gjenet e gjallesave të popullimit.
Dhe këtë botë e krijove vet,
pse të jesh e ndrydhur në jetë?!
Kush mundohet të lë në hije,
është vet në errësirë paditurie;
Është furtunë që merr kot,
pa ditur nga erdhi në këtë botë,
bën gratë, nënat, të lotojnë,
kur gëzimin së pari meritojnë.
Grua, e bukura, mes lulesh
zbukuron vendin, ku ulesh,
vështrimi yt, porsi magnet,
në të gjitha zemrat troket,
Burrat çmenden pas teje,
të ndjekin, si shiu mes reje
sa të lagin me epshin e tyre,
të trajtojnë sikur je lavire.
Të nëpërkëmbin burrecët,
ngritur mbi pleh si buburrecët,
s’ta dinë vlerën e vërtetë,
kur ti qëndron më lart se mbret.
Mbretëreshë në tokë e dete,
kudo ku frymojnë, gjallesa jete.
Pa ty, askush s’merr frymë jetike,
nga pelenat, te raketa kozmike
Të mundojnë e të dhunojnë,
daljen nga barku, yt harrojnë,
se dorën ua ka bërë të rëndë,
gjaku i bardhë, i gjirit tënd.
Linde heronj, të globit mbarë
mendjendritur, shkencëtarë,
kontinentet, miliarda banorë,
pranverën e blerimit njerëzor.
Ndonëse mundohen ca qafirë,
të të lenë prapa në errësirë,
por sa herë globi lëviz rrotën,
ti je gjysma, që ndriçon botën.
Grua-bota kundërshto dhunën,
nga egërsirat që imitojnë faunën!
Ti duhet të jesh, aq krenare,
sa është dielli i jetës planetare.