Grua, ti ke një emër!Llesh Gjoka


Ti u linde për lindje të tjera

fillesë, qelizë ku tharmon jeta

Ëndrra më e bukur për të jetuar

për çdo burrë që dashuron

Këngë e re, e panjohur

që do të këndohej nga buzët plot zjarrmí

në një shtrat të hijshëm, plot lule.

Ti je kryefjala

në kumtin e ditës që fillon

në strehëzën e dashur ku jeton dhe burri, fëmija.

Thirrje që gufon nga gjokset e dhembjes

Hera – herës bëhesh flakë që ndez

çdo aventurë, çdo pasion

Disa herë si një valë me zhaurimë

shuan çdo xixëllimë ku do të mbarsej urrejtja.

Ti nuk je një urë e sajuar për të tjerët

ku kaluar mund të kreshpërohet dhuna, poshtërimi.

Sepse ti je një krijesë e dashurisë

Dhe dashuria nuk mund të shtypet.

Ti nuk je një stoli që shkëlqen

e mbyllur në një vitrinë

ku para saj sodisin kureshtarët.

Ti u linde për lindje të tjera.

Ti ke një emër

thellësi misteresh nëpër botë të reja.

Grua, ti ke një emër

Ti i ngreh stuhitë dhe i shuan ato

me një grimasë, me një gjest të thjeshtë.

Dhe fuqia jote

përkthehet përulësisht

në një puthje, në një përqafim të përndeztë.

Në prehrin tënd të paqtë

ku flatrat e një zogu nisen në fluturim.

Grua!

Ti ke një emër!