Grua-Vaso Papaj


Grua,

Qetësinë do të t’a sjell

Dhe do ta mbaj me kyç.

Në zemrën tënde strukur.

Le të rrahë e qetë atje

Dhe unë do të jem i lumtur.

Grua,

Universin do t’a mbledh

Dhe do ta sjell në grusht,

Në mendjen tënde ndrydhur.

Të ngopesh me pafundësi

Dhe unë do të jem i lumtur.

Grua,

Do të t’a sjell edhe durimin,

Do ta strehoj aty,

Në shpirtin tënd të bukur.

Durimi shpirtin të të shplodhë

Dhe unë do të jem i lumtur.

Grua,

Me orë, ditë, vite, më mban në sy.

Gjysmë njeriu u bëra që kur të njoha,

Se gjysmën tjetër timen t’a kisha falur ty.