Grua!Teuta Shaqiraj


Edhe kur vala marramendëse e dyshimit

të gllabërojë ,

le të kërcasin takat e zemërimit.

Përpara ec!

Herët a vonë zëzëllima do të heshtë,

e penduar, mjerane, si njerkë

me gjuhën jargamane jashtë.

Edhe kur erërat e zhgënjimit

ta thërmojnë zemrën

e shpirti noton nëpër valë të trishtimit

mos u tremb atë ditë!

Ajo prore do të rrahë,

si flatra pëllumbi në fluturim

mes hapësirës të dashurisë do gjeje një strehë

deri në rikthim.

Edhe kur puthja gënjeshtare Judiane

mbi buzën qershi

të ketë rënë,

mos e tret buzagazin e ëmbël,

si vesa mbi petale lëngëzuar!

Ec, vrapo!

Ec me mirazhin e oazit në shkretëtirë,

me ëndjen e ëndrrës së pashuar

në horizontin ravijëzuar .

E nëse shigjetat gjarpëruese ,

dashakeqe,

duan të të zhbirojnë,

ndiz më fort dritën e syve,

si prushi nën hi mbuluar!

Aty le të përzhiten,

të digjen e prapë të bien

para këmbëve të tua, o grua,

mbushëlli jete e shenjtëruar.