Gurët-Vaso Papaj


Gurët

(motive petromarkiane)

Ikën djem, u kthyen pleq,

I kish lodhur udhë e gjatë.

Sapo mbërritën te përroi,

U bën gurë e mbenë në paqë.

Vite shkuan, atje mbenë

Udhëtarë, a i shikoni?

Tok me ta pini kafenë

E me lule i mbuloni.

Duan fikun dhe ullinë,

Të mos mbeten në vetmi.

Dhe dikë t’u ndez qirinë,

Të dëgjojnë një potpuri.

Papo ujë që zbret nga përroi,

I përkëdhel, i mban të bardhë.

Sa herë urën e kaloj,

Them me vete: Ja, kanë ardhë.