Hakërrim shpirti-Vladimir Muça


Vladimir Muça

Në shurdhërinë e shpirtit tënd

Jeta mbeti në hije,

Si një murg shpirt-tharë

Në piskamë vetmije.

Në zemrën time

Ç’kambana bien në hakërrim

Me tinguj elegjie?!…

Kambana zije

Në arkëmort dashurie.

Të fshiva nga strehë e dashurisë,

Nën qepallë më mbeti lot i ngrirë;

E vetme je në libër kujtimesh,

Në syrin tim

Një lot pasqyrë.

STINË ÇMIMESH

E mbyta sot dhe një ditë të harrume;

Fytyra më ngjan me tjetër fytyrë,

Vitrinat më ngjajnë “si mollë e ndalume”

Me qelqet e lara, me tjetër ngjyrë.

Ndalem, përqëndrohem, si djalli nga temjani,

Me xhepat grisur, shpirt errësirë;

Bashkë me zhgënjimin zbulohet grimi

I një stine çmimesh, në lamtumirë.

ËNDËRR EMIGRIMI

Pulëbardhat ëndrra

Zgjuar në qelën e mendimeve.

Trak, truk, trak truk nallanet e fëmijërisë,

Brerore kujtimesh amëshume

Trakullojnë dyerve të pleqërisë.

Në hijen e viteve tretet kujtimi

Nën peshën vrastare të hidrës skleroza,

Fëmijëria e motive të ndriçimit

Ëndërron lakminë e mbretit kurorë.

Ëndërra emigrimi si ligje jete,

Zjarr i shpirtit nuk m’i treti;

Si kalë legjende, me shumë derte:

Levë që tund botën prej Arkimedi