HAPAT
Hapat,
marshet e lëvizjes:
Të shpejtë,
progresivë,
regresivë.
Hapat flasin,
lënë gjurmë,
të vogla e të mëdha.
Disa treten,
ikin pa kujtesë,
pa një varg kënge,
pa psherëtima.
Hapat,
Verbojnë polifemë,
bëhen legjenda,
tinguj lahute,
kthehen digresione,
kryqe heshtje.
Hapat,
ecin sipas rrahjes së zemrës
e shtegtimit të largët të mendjes.
Në zellin e hapave
çelin ylberet,
në zellin e hapave
mëngjeset bëhen muzgje.
Hapat,
porta e parajsës,
porta e ferrit.
@Seti Pezaku Vladi
