Hasan & Irma Kurti: “E kaluara dhe e tashmja”29 Mars 2006


Ditë të çuditshme me ne që bëjmë ç’është e mundur për t’i jetuar si normale.
Është ora dhjetë e një mëngjesi plot diell. Po bëjmë shëtitjen e zakonshme drejt qendrës së qytetit. Ndërkohë flasim në celular me vajzën në Tiranë, por koha në dispozicion dhe largësia s’na lejojnë të themi çfarë duam. Fjalë e mendime mbeten pezull në ajër.

  • Ulemi e pushojmë pak? – e pyes Sherifen, sikur të jem unë ai që ka me të vërtetë nevojë. Ajo miraton. Vazhdon të jetë e heshtur. Është vetëm një përshtypje e imja? Ajo që vetëm fliste, bënte shaka dhe përcillte pozitivitet te të gjithë, tani më duket gjithnjë e më e heshtur. Por kur dëgjon vajzat i kthehet humori. Për të mos folur për nipin… Ato më japin gjallëri, më thotë.
    Është e detyruar të hajë racione të vogla, të cilave nuk mund t’u hedhë kripë, as gjalpë e vaj. Me një fjalë, gatime krejt pa shije. Por nuk ankohet. Ngrihet dhe e gatuan vetë supën, të hollë si ujë, makaronat dhe orizin. E megjithatë i ha dhe i duket normale, nuk psherëtin, nuk ulërin, nuk pyet përse kjo duhet t’i ndodhte asaj dhe jo një tjetri. Është e qetë, e gëzon fakti që rrethohet nga dashuritë më të mëdha.
    E do jetën me të gjithë shpirtin. E ka dashur dhe në atë ditë të ftohtë shkurti të martesës sonë, kur hymë në apartamentin tonë të ri, pothuaj bosh… Apo kur u zhvendosëm në shtëpinë me një dhomë e kuzhinë në Tiranë. Ajo i jepte gjallëri apartamentit me ecejaket, buzëqeshjen, me humorin, me karakterin e hapur dhe të dashur, me miqësinë që u ofronte fqinjëve dhe njerëzve në përgjithësi, me dëshirën për t’i ndihmuar. Ëndërronim një shtëpi më të madhe, por deshëm çdo centimetër të asaj që mundëm, duke e mbushur me kujtime, gëzime e shqetësime.
    Paraditeve, unë dilja për një shëtitje në rrugët e kryeqytetit, apo për të bërë pazaret, ndërsa Sherifja shkonte te motrat. Takoheshim pastaj në shtëpi rreth orës së drekës. Pasi hanim, ajo sistemonte tavolinën, vendoste pjatat dhe enët në pjatalarëse dhe më pas shtrihej në njërin prej divaneve të kuzhinës dhe shikonte televizor, ashtu si unë. E kisha përballë. E zinte gjumi me gishtërinjtë e futur në flokë, për t’u ngritur vringthi sapo dëgjonte trokitjen në derë.
    Jam e lumtur, më thoshte, dua vetëm pak shëndet dhe asgjë më tepër.
    Sapo kthehej Irma nga puna, ajo ulej pranë së bijës dhe e pyeste sesi e kishte kaluar ditën.
    Lëre të hajë rehat. Keni kohë për të folur, i thosha duke qeshur, por ajo nuk më dëgjonte.
    Më pas shkonin në dhomë, që gjatë dimrit ishte e ftohtë si frigorifer dhe vazhdonin seancën e dytë të bisedimeve. Rrinin mbi krevat dhe mbuloheshin me një kuvertë të trashë. Për t’u ngrohur ne përdornim një furnelë elektrike që e zhvendosnim nga një dhomë në tjetrën. Të qeshurat e tyre vinin deri në kuzhinë, si një dritë që ndriçonte çastet e errëta…
    Unë dhe gruaja marrim rrugën e kthimit, ndërsa e kaluara dhe e tashmja i lënë pareshtur vendin njëra-tjetrës.

Marrë nga libri “Kujtimet e një mjeku” shkruar nga HASAN KURTI e IRMA KURTI, botuar në Itali nga Shtëpia Botuese Kimerik, 2020. Vepra është botuar në gjuhën shqipe nga ADA, Tiranë, 2021.