Hasan & Irma Kurti: E vërteta e hidhur


Ditë të mbushura me stres, me preokupime dhe me ankthin e të nesërmes. Gjendja e sime shoqeje është rënduar. Lëviz pak. Dalim për të bërë shëtitje jo larg shtëpisë, te një park i vogël, por sa arrijmë ajo ulet e dërrmuar në stol.

Nuk flet dhe fikson një pikë të hapësirës, për të mos takuar vështrimin me mua apo me vajzat. Rëndom i gjej me Irmën teksa qajnë të përqafuara. Nuk gjej fjalë për të qetësuar dhembjen e tyre.

Sherifja është 71 vjeç. Kisha menduar se do të jetonim plot vite të tjera së bashku, se do të ndanim gëzimet dhe shqetësimet e vajzave tona, por fati i mbrapshtë është i pandjeshëm ndaj ndjenjave dhe ëndrrave njerëzore.

Marrëdhënia jonë e tanishme përbëhet nga çaste, të vogla, por kuptimplote. Për shkak të kësaj situate dramatike, çdo fjalë e saj na skalitet në mendje.

Një ditë ime bijë shkoi te parukjerja dhe kur u kthye e pyeti të ëmën se si i rrinin flokët.

– Shpirt i mamit, sa mirë që dukesh! Më vjen shumë keq që nuk do të të shoh më…!

Ime bijë nuk mundi t’i thoshte dot asgjë. E përqafoi me lotët që i rridhnin në faqe.

Është pasdite dhe jemi vetëm në shtëpi. Po mbaj shënime në bllok, kur ajo më thotë me natyrshmëri:

– Kam merak që do t’i lë vetëm vajzat.

– Mos u shqetëso për to, janë të zonjat e vetes, – i përgjigjem instinktivisht.

Por ajo më ndërpret menjëherë:

– E megjithatë, ato kanë nevojë për nënën.

– Ke të drejtë. Por ti do të bëhesh mirë, do të shërohesh.

 – Kjo nuk është fare e vërtetë.

Zëri im s’është bindës, sepse dëshpërimi, zemërimi, keqardhja më kanë pushtuar të tërin, ose, ndoshta, problemi nuk është aspak te zëri.

Ime shoqe është optimiste, plot entuziazëm për jetën, me një dashuri pa fund për të bijat, për familjen… e ndien se forcat po e lënë, se trupi po e tradhton, se kurat, dietat, sakrificat maksimale që ka bërë deri tani nuk kanë qenë të mjaftueshme. Kjo është e vërteta, që ne e njohim mirë, por nuk duam t’ia pohojmë as vetes. Ndërsa ajo ka aq kurajë sa nuk e kemi ne të gjithë së bashku.

Shtator 2006