Hasan & Irma Kurti:“Ftesa e martesës”


Hasan & Irma Kurti:“Ftesa e martesës”

Martesa jonë u bë pa ceremoni e pa festime, sepse kushtet ekonomike nuk na i lejuan, por megjithatë mbetet kujtimi më i bukur që rrezaton dritë mbi të gjitha të tjerat.
Me vështirësi po i shkruaj këta rreshta, nuk mundem t’i hedh fjalët mbi fletën e bardhë. Ngrihem për një çast, vij vërdallë në shtëpi, kthehem, nuk gjej bllokun e shënimeve, pastaj nuk e di ku kam lënë stilolapsin. Emocionet janë të mëdha. Do të ishte bukur të kisha time shoqe pranë e ta ndanim sërish bashkë atë kujtim.
Me kursimet e pakta blemë mobiliet nga kombinati “Misto Mame” në Tiranë. Përgatitëm ftesat për të afërmit, miqtë e të njohurit. Ishim të varfër, por shpirtin e kishim plot me projekte dhe ëndrra. Dëshironim që ajo ditë të ishte speciale, për ta kujtuar tërë jetën si të tillë.
Në duar mbaj një kopje të ftesës së martesës, e vështroj dhe provoj një botë emocionesh. Për të tjerët, mund të jetë një kartë e zakonshme, që nuk thotë asgjë, por jo për mua.

Latif e Ikbale Mezini lajmërojnë martesën e vajzës së tyre Sherife me Hasan Kurtin. Të dielën më 7 shkurt 1965, vizitat priten prej orës 10.00 – 12.00. Në të tilla raste jua shpërblefshim. Rruga “Brigada VIII”, pallati “Agimi”, shkalla 11, numër 220, Tiranë.

Ditën e shtunë në darkë në shtëpi ishin vetëm prindërit e Sherifes dhe një teze e saj me të shoqin. Nuk e di nëse erdhën si të ftuar apo ishte rastësi.
Prindërit e Sherifes rrinin më të heshtur se zakonisht. Dukeshin të menduar, me një gëzim të përmbajtur, të përzier me melankoli. Me siguri, kishin përfytyruar një martesë të madhe, me shumë njerëz, me dhurata, me lule, por mbi të gjitha, ta shikonin të bijën të veshur nuse, me fustan të bardhë si një ikonë e vërtetë e bukurisë. Ndoshta i mërziste mungesa e familjarëve dhe të afërmve, të cilët s’mundën të vinin, ngecur në rrjeta merimange fjalësh dhe intrigash.
Të ulur në tavolinë, ne burrat mbanim një gotë raki përpara dhe hera-herës shqiptonim ndonjë frazë. Fjalët ishin të pakta, çdonjëri pëlqente më mirë të rrinte në shoqërinë e mendimeve. Ishte një ditë e zakonshme në dukje, me pak njerëz, por me shumë dashuri.
Unë dhe Sherifja qëndronim pranë njëri-tjetrit. Ajo më shprehu dëshirën për të veshur fustanin e bardhë të nusërisë.
Edhe për pak çaste. Kjo është ëndrra më e madhe e çdo vajze, më tha.
Shkuam në studion fotografike “Skënderbeu”. Ime shoqe me një fustan nuseje të marrë me qira dhe unë i veshur me kostum gri të errët e këmishë të bardhë. Bëmë plot fotografi. Koha nuk e ka zbehur hijeshinë e tyre. Ajo ishte e bukur dhe tërheqëse, velloja i binte mbi supe si një ujëvarë e bardhë, buzëqeshja ishte e natyrshme, kuptimplotë dhe sytë i ndritnin nga gëzimi. Përkrah saj ndihesha njeriu më i lumtur në botë!

Marrë nga Libri “Kujtimet e një mjeku” shkruar nga HASAN KURTI dhe IRMA KURTI, botuar në Itali nga Shtëpia Botuese Kimerik, 2020 dhe në vitin 2021 nga Shtëpia Botuese ADA në Tiranë.