Hasan & Irma Kurti:“Përqafimet”


Hasan & Irma Kurti

Sot ime bijë vjen nga Tirana dhe po e presim të gjithë me padurim. Kur e telefonova në orën 13.10 kishte bërë check-in dhe kishte zënë vend në avion. Më 13.20 telefoni i dilte mbyllur, ishte në udhëtim drejt aeroportit të Bergamos.
Hyn në shtëpi rreth orës 16.00, e shoqëruar nga Leda. Jemi të gëzuar dhe të emocionuar. Takohet me Sheron dhe rri gjatë në krahët e saj. Kanë një raport të ngushtë, aq sa shpesh më japin përshtypjen se s’janë nënë e bijë, por shoqe. Flasin për gjithçka dhe e di që kanë sekrete që s’i ndajnë me mua.

  • Mezi prisja që të vija, – i pëshpërit, – më kishte marrë malli.
    Duket sikur ka kaluar jo një muaj, por një vit pa u parë. Është rrjedha e ngjarjeve që e ngatërron nocionin e kohës.
    Mozaiku i familjes plotësohet, por gëzimi ynë ka një kufi. Pas entuziazmit të fillimit, krijohet një pushim i ngarkuar me heshtje, që mundohemi ta fshehim. Ka gjëra për të cilat duam të flasim me zemër të hapur lidhur me sëmundjen, si ndërlikimet dhe hamendjet që nuk i kursejmë për çdo lloj situate, por s’mund ta bëjmë përpara sime shoqeje. Kështu, përqendrohemi te gjërat e zakonshme, rutinë, që kanë të bëjnë me udhëtimin, me punën e sime bije që tashmë i përket së kaluarës, për të afërmit, komshinjtë në Shqipëri.
    Tani jam mbështetur në divan dhe po ndjek ndeshjen Milan-Inter, që zhvillohet të premten dhe jo të dielën, për shkak të Pashkëve. Përfundon me rezultatin 1 me 0.
    Mendimet nuk më lënë të qetë. Nën këmbë kemi një terren që lëviz e rrëshqet. Çfarë të papriturash dhe sfidash do të takojmë në këtë rrugëtim? Një nga gjërat që vazhdon të na trembë, por që s’duam ta pohojmë me zë të lartë, është se jemi në një vend të huaj. Dashuria që na lidh me njëri-tjetrin, a do të jetë e mjaftueshme për t’i kapërcyer vështirësitë?
    Mjaftuan pak ditë të shtrimit të gruas sime në spital këtu për të kuptuar ndryshimet e mëdha të dy sistemeve shëndetësore, duke filluar nga korrektësia dhe profesionalizmi i mjekëve, ushqimi, higjiena e pastërtia. Ajo më tregon shpesh për përkushtimin e mjekëve dhe infermierëve, për durimin dhe xhentilesën e tyre.
    Në spitalet shqiptare, çuditërisht, ishim ndjerë të huaj, të keqtrajtuar përballë babëzisë, indiferencës, mungesës së rregullave, mungesës së disiplinës, si dhe të kushteve minimale të higjienës.
    Kemi shpresën se gjërat do të shkojnë mirë. Nëse do të ketë edhe një mundësi të vetme për t’ia zgjatur jetën gruas, mjekët do ta gjejnë.
    Në darkë mblidhemi rreth tavolinës së madhe në kuzhinë. Redi vazhdon të flasë për shkollën dhe për shokët me një entuziazëm që ne na mungon. Nuk arrijmë të përqendrohemi te bisedat e tij dhe i japim të drejtë për çdo gjë, por s’mund të vazhdojmë kështu.
    Në kushte të tjera, do të kishim gatuar apo blerë ndonjë tortë për të festuar ardhjen e Irmës, por meqë ime shoqe e ka tejet të kufizuar menynë, tregohemi më të kujdesshëm që të mos hamë gjëra të mira në praninë e saj. E kemi pakësuar dhe ne gamën e ushqimit.
    Për një çast na duket sikur jemi në apartamentin e rrugës “Bardhyl” në Tiranë. Flasim shqip, ngacmohemi me fjalë e shaka, duke luajtur me kuptimin e dyfishtë të fjalëve. I shmangemi vorbullës së anktheve e shqetësimeve që përpiqet të na heqë qetësinë. Jemi të shkujdesur, të gëzuar, ose ndoshta ky është thjesht një iluzion.
    Vajzat sistemojnë tavolinën dhe vendosin enët në pjatalarëse. Tavolina boshatiset, kështu dhe mbrëmja zbrazet nga fjalët. Leda dëgjon me vëmendje rrëfimin e Redit. Irma shkon tek e ëma dhe e përqafon, Lili vjen tek unë dhe bën të njëjtën gjë, duke i dhënë situatës një ngjyrë humori.
    Përqafimet janë pjesë e menysë së darkës që sapo kemi mbaruar. 14 prill 2006

Marrë nga libri “Kujtimet e një mjeku” shkruar nga HASAN KURTI e IRMA KURTI, botuar në Itali nga Shtëpia Botuese Kimerik, 2020. Vepra është botuar në gjuhën shqipe nga ADA, Tiranë, 2021.