Hekurosje, avull, poezi
Jam një dridhje e lehtë në këto çaste
në monotoninë e ditës që zvarritet.
Jam një përkëdhelje emocionesh të fjetura,
një gjethe që lëkundet nga pëshpërimat.
Një avull endacak loz me ndjesitë e mia,
më shtyn të shoh konturet e trupit tim.
Lëvizje të shkujdesura më gllabërojnë.
Shoh ngjyrat që rrëshqasin nëpër gishtërinj.
Ime bijë më afrohet: – Po shkruan poezi?
Të qeshurat e saj shkundin përhumbjen time.
Një çlodhje e verdhë më fshin fytyrën e djersitur.
Mbyll sytë. Sa çaste të magjishme!