…”Heshtja e klithmës në errësirë…!!!”


…”Heshtja e klithmës në errësirë…!!!”

….Heshtja e thellë derdhet në lumin e qetë, shkel në zallin aty pranë.
Diku më tej lëndon një fjalë e pa thënë me kujdes.
Rrëohet një gjethe tani në vjeshtë, nuk reziston dot.
Si ai myshku i gjelbër, që mbin rrëzë mureve, ku ka pak lagështirë.
Diku thellë rrjedh një mall…
Mos thuaj, që nuk ke pëshpëritur pa zë fjalën e “artë” “Të dua”!!
Atë fjalë magjike!!.
Ktheje kokën me frikë se mos vallë e kishte dëgjuar njeri, trëmbeshe edhe nga hija jote, se mos vallë e kishte dëgjuar nga përplasja në faqet e murit të dhomës së errët.
Dëshiroje ta çaje atë mur të pengesës, por asnjëherë nuk u rrezua dot ai mur.
Dhe ashtu në heshtje, duke pëshpëritur pa zë, “E dua”, thoje dhe me zërin e vetvetes ulërije.
Përplasej dhe shuhej thellë në atë errësirën boshe, pus të thellë, ajo psherëtimë pa zë, por e thellë e shpirtit tënd.
Sa herë në ëndërrat e tua e kërkoje, zgjoheshe e dërsitur.
Nuk e gjeje dhe përsëri të zinte gjumi dhe atëherë hyje në ëndërrat e tij fshehurazi.
Përsëri pëshpërimë pa zë” E dua”
Dhe heshtja mbretëronte kudo.
Aq heshtje, sa vetë pëshpërimën “E dua” nuk e dëgjoje.
Mos thuaj, që nuk ja ke ndjerë mungesën e tij në ëndërrat e tua boshe pa jetë, pa të.
Dhe me fat kur hynte në ëndërrat e tua vetëm një puthje joshëse rrëze veshit e dëshiroje dhe atëherë pa zë, një psherëtimë rrënqethëse lëshoje.
Sa herë kushedi, sa herë të mbyllje sytë e të flije kishe frikë, se mos hynte në ëndërrat e tua.
Zëri yt i heshtur buçet në errësirën e natës pus, e dëgjojnë yjet dhe e kthejnë atë zë, duke pyetur:
“I kujt është ky zë”.
Hëna është e vetmja dëshmitare, e dëgjon dhe ashtu kureshtare sçc është ajo pyet për atë klithme e kujt është, kush psherëtin në këtë natë.
…..Ai zë shuhet ngadalë atje tej në errësirë dhe ashtu butë, butë, si pa kuptuar klithma e heshtjes një shpirt të trazuar vret ngadalë…

Pirro Minella Millona

Tiranë, më 7 Shtator 2022

About Post Author