Heshtja – kryefjala-Nikollë Loka


Nikollë Loka

Heshtja – kryefjala

Fjala kishte ardhur si një lëmsh i heshtur,

pasi ishte tjerrur gjatë…

ishte djegur nëpër fije shkrepsesh,

kthyer në shtëllunga mendimesh atje lart…

Fjala kishte humbur,

ishte djerrur,

kishte ikur,

ishte amshuar, 

kishte rilindur…

siç rilindin nganjëherë pritmëritë!

Nuk ishte e para fjala te Zanafilla,

Kryefjala ishte heshtje,

heshtje mbi të gjitha mrekullitë.

Shpesh ikim

Shpesh ikim e s’e dimë rrugën për në kthim,

çuditemi me vetveten,

mos e kemi një gen endacak,

apo na pushton frika nga qëndresa,

sikur na tërheq e djeshmja,

kur na thërret e nesërmja!…

Ikim nga vetvetja,

e pastaj kthehemi pa u penduar,

te ky vend si djep,

te ky vend që e kemi shkelur,

e ai dhimbjen e ruan fshehur nën lotë,

e s’na e thotë,

për të na e bërë më të lehtë pendesën

dhe kthesën,

pa pasur nevojë

për t’ia kërkuar ndjesën.

Për në kthim,

duhet ecur fluturim,

vetëm zbathur,

mbi tokë edhe me duar,

me këmbë nëpër dete,

siç ecte Moisiu dikur…

Për të jetuar,

për t’u prehur,

për t’u madhëruar në jetë

e në vdekje.

Hijes së agut

Hijes së agut në mbrëmje,

ç’duhet më tepër se drita dhe heshtja,

që mali të zgjohet,

e në shteg të natës,

ç’duhet më tepër se ëndrra!

Kur zbardhet mali

dhe i shtohen rrugës së diellit ca hapa,

që zbresin si shpresë, ndalen si gëzim,

lartësohen,

me një shikim

e prekin maja,

ç’duhet më tepër

se fluturim në këto çaste të ëmbla!….

Pranë gurrave të moçme,

ku ndizet rrezja e diellit në ujëvara…

E në rënie të lirë,

lartësitë e mëngjeseve duken më mirë,

përtej një nate në kalim,

në pritje të një dite me diell.