Histori dashurie
Të kam dashur që në fëmijëri
tani që u rrita dhe ditë pas dite thinjem
por dashuria për ty është njësoj
vetëm se më e fortë, më serioze, më e mençur.
disa i kanë lexuar
letrat e shumta që i kam nisur dhe e kanë kuptuar
se unë do të vdes,
duke të mbajtur në dëshirën time.
dashuria për ty është ajri, pulsi
kuptimi dhe keqkuptimi,
e fshehta e kursyer nëpër fjalë,
arsyeja shpëtimtare në mes të jetës,
si në një det i trazuar
anije velëtendosur, rri në limane… mendimi.
shpesh jam dëshpëruar,
kur të kam parë me shokët e mi dhe miqtë,
dyshoja se ishe lezbike,
kur të shihja me ndonjë mike,
kam dyshuar aq shumë herë tek ti e dashura ime
pastaj jam kthjelluar dhe e kam menduar,
se mund të shkosh me të gjithë ata
që të duan vërtet,
e gjithnjë me mua (zotëron sekretin e madh)
të jesh e virgjër.
në ndonjë çast trishtimi, i zemëruar
letrën e ndarjes me ty,
e kam menduar e shkruar
bash at’botë je gjendur pranë meje, ngjitur me mua
aq afër sa prej teje ndjeja,
se e merrja frymën.
oh sydrita ime!
sa trishtohem,
kur disa shtiren se të duan
afrohen pranë teje,
pozojnë si të dashuruar, bëjnë foto me ty,
duke të verbuar me sekondat plot shkrepje blicesh,
vrapojnë me foton tënde në dorë
ndërsa ia tregojnë botës plot mburrje e shtirje,
duke shpallur të pavërtetën :
“ kjo dikur ka qenë e dashura ime!”
mblesët e këtyre fotove
duartrokasin dashnorët fallco,
ndërkohë ne, që të duam vërtet, fshijmë lotët
përjetojmë sërish dashurinë e përjetshme
ani pse duke të dashur tashmë u thinjëm
e dashura ime e përhershme :
“ e shtrejta ime, Poezia ime!”
