Nga Janko LL.PALI
——————–
Parathënie:
Kam shkruar edhe një herë tjetër një historik të shkollës sonë. Nuk i gjendet gjurmë për fat të keq, i rënë diku nga ku nuk duket se është e lehtë që të nxirret përsëri në dritë dhe të shërbejë për qëllimin që u shkrua.
U vura të shkruaj një tjetër historik shkolle! Vështirësitë janë të shumta për arsye se kemi shumë mungesa në të dhëna dhe në ndodhi që do të shërbenin si vërtetim deri diku të atyre që do të radhiten këtu më pas. Megjithatë po ia nis!
Para se të radhis fillimin e ndonjë ngjarjeje në lidhje direkt me temën që kam ndër mend të përpunoj dhe që do të përbëjë, si të themi, boshtin kryesor rreth të cilit do të vijnë përreth çfarë dihet për shkollën, kur e si u themelua, si fshati ynë u tregua shumë arsimdashës dhe si arritëm që sot të kemi dy shkolla tetë-vjeçare, mu duk e arsyeshme dhe e udhës që të zgjerohem pak dhe të kërkoj të vendos në historikun e shkollës ngjarje e ndodhi që në të vërtetë duken se s’kanë asnjë lidhje direkt me të.
Boshti (!) do të ishte krejt i parëndësishëm dhe në se do të radhiteshin në të vetëm ato të dhëna të pakta që disponojmë. – Vetëm e vetëm për sa i takojnë shkollës.
Mendova pra të përmbledh e të radhis disa nga ato që brez pas brezi hiqen në gojë dhe ruhen nga populli, ku gjatë e ku shkurt, në mënyrë e me qëllim që të figurojnë diku të shkruara dhe të ruhen sa mundet më mirë; se edhe brezat e ardhshëm do të kenë sigurisht, edhe ata qejfin e dëshirën për të pasur ndonjë të dhënë rreth fshatit tonë, lagjeve të tij, themelimit të tij, me jetesën e tij mijëvjeçare, me luftërat që ka bërë me pushkë e me penë, me dëmet që ka pësuar dhe në lidhje me të parët tanë çfarë njerëzish ata kanë qenë e a kanë qenë trima, që është virtyti i parë i kujtdo që ka lindur shqiptar.
Do thotë dikush se jam zgjatur shumë e kam dalë jashtë temës. Por… kur një punë bëhet me vullnet të mirë, pa interes, por edhe me shumë mundim, mendoj se nuk është zgjatja e vetmja e metë që mund të ketë puna e bërë, aq më tepër kur me zgjatjen ndjen një kënaqësi më të zgjatur sikur t’i vihesh me gjithë mend e ta shkosh në duar duke e lexuar me durim.
Për të metat, le të më falen! Kujtoj dhe shpresoj se diçka do vlejë dikur në të ardhmen puna që kam bërë sot.
Shtator 1975
Janko Pali
Janko Pali,
Fletore me :
..doreshkrime,hulumutime,krijime,perkthime,studime,histori,ese,
proze,poezi….folklore,anekdota,fjalore,………….bema,ngjarje , quajtur ndryshe:
“Encikopedia e Qeparoit”
pjp