Homazh për Kujtim Micin dhe disa kujtime-Muhamet Tartari


“Tërbaçioti Kujtim Mici,

Vargun e bukur skaliti,

Këngën e derdhur nga shpirti,

Malin e Çikës e rriti!”

E kam për nder dhe krenari që punën time e kam nisur në shkollën 8-vjeçare Halim Xhelo të Tërbaçit. Sapo isha diplomuar nga gjimnazi Halim Xhelo në Vlorë dhe u emërova mësues në shkollën e Tërbaçit ku drejtonte me zotësi dhe kompetencë drejtori Kujtim Mici.

Atje gjeta mësuesit e shkëlqyer, Shezai Abazi, Zaim Hoxha, Mejdi Skëndo, Rexhep Abazi dhe Zenel Haska. Në Tërbaç i kish shërbyer me nder arsimit edhe Tofik Deda.

Nga këta emra të nderuar unë mësova shumë. Ishin kompetentë në mësimdhënie, ishin intelektualë, ishin njerëz! Kishin edukuar një brez nxënësish të shkëlqyer.

Kujtim Mici dinte të komunikonte me mjeshtëri si me mësuesit, ashtu edhe me nxënësit dhe prindërit. Ai kishte edhe një detyrë tjetër: atë të drejtuesit të Grupit Polifonik të Tërbaçit. Mësova shumë nga Kujtimi në procesin e mësimdhënies, ashtu edhe në drejtimin e grupit polifonik.

Këtë përvoja të vyer do ta konkretizoja gjatë 15 viteve në Shtëpinë e Kulturës në Vranisht përditë me Grupin e Vranishtit dhe 25 vite si drejtues i Gjimnazit të Horës.

Mbaj mend ata burra e djem si Ago Beqiri, Izet Skëndaj, Sinan Hoxha, Syrja Hodo, Mujo Gjondeda, Rexhep Abazi, Mejdi Skëndaj, Ali Barjami, Izmir Kapo, Pajtim Skëndoj dhe zonjat Dashuri Mehmeti dhe Ferzilete Barjami.

I kujtoj me nderim dhe respekt të gjithë. Ish kolegëve të mi mësues u uroj edhe 7 marsin.

Homazh për ata që s’janë mes nesh dhe një urim për shëndet e jetë të gjatë atyre që jetojnë sot.

HOMAZH PËR KUJTIM MICIN

Kush ngriti grupin e zjarrtë,

Kush derdhi talent e art,

Mjeshtëri i Madh e ka hak,

Kujtim Mici i Tërbaçë.

Hapet kënga dhe lezeti,

Maleve jehona mbeti,

Vala si valë tërmeti,

Shqipëri nuse bregdeti!

Kush e rriti këngën lart,

Marrësa Sinan e Syrjat,

Edhe kthyesi Nebi Xhakë,

Tërbeçiotë të tërë bashkë.

Grupi me gjëmim të rëndë,

Të ka lezet ajo këngë,

Vargjet e lara në hënë,

Kujtimi i ka gdhëndë!

Grupi i Tërbaçit me famë,

Të rinjtë që kanë dalë,

E paçin këngën e mbarë,

Kujtim Micin idhull kanë.

Me respekt,

Muhamet Tartari, “Mjeshtër i madh”

Horë, Vranisht, 4 mars 2024