Homazh për miqtë


Mihal Gjergji

Ca miq, që thanë se mua fort më duan
U bënë hije, s’di se çfarë pësuan
Ca shokë të ditës, çakërrqejf të tërë
Syri s’mi sheh, se futen vërë më vërë

Mos fol më thonë, se të dëgjon mejdani
Mos shkruaj thonë, se të lexon Sulltani
O skllever e bij skllevrish, si s’kuptoni
Si hiçër keni ardhur, ashtu shkoni

Si shurrë e pulës farefisi humbi
Vdekja s’i mori, paska punë zullumi
M’u hiqni sysh, se zemra keq më theri
Dua t’u fshij nga mendja dhe defteri

E brenda trupit, ca damarë më çpuan
Dua t’i çkul, se gjakun ma helmuan
Shën Pjetri s’jam, profet s’më bëri Zoti
Po rroj në këmbë, e s’shkruaj kot së koti

Shtator 2015.

About Post Author