Hoxhë Bodini (Sefer Bodini), Selishtë, Dibër, (1862-1913), rilindas dhe klerik atdhetar që dha jetën për atdhe


sakip cami

Hoxhë Bodini (Sefer Bodini), Selishtë, Dibër, (1862-1913), rilindas dhe klerik atdhetar që dha jetën për atdhe

Nga Sakip Cami

Për arsye të shërbimeve të tij në Dibër të Madhe thirrej edhe Hoxhë Tanusha.

Sefer Jashar Bodini u lind në verën e vitit 1862 në fshatin Selishtë në një familje me tradita të shquara atdhetare.
Fisi Bodini në Selishtë dhe dega e tij në Mat e ka fillesën që në kohën e Skënderbeut, banorë dhe luftëtarë në Kalanë e Stelushit. Në regjistrin turk të vitit 1467 gjëndet emri i Gjergj Budinit, i përjashtuar nga taksat për shërbimet e tij ndaj kalasë. (Mëhill Elezi, “Kalaja e Stelushit)
I rritur në varfëri dhe i mbetur jetim, i urtë e i pjekur para kohe, në moshën 14 vjeçare emigroi për në Dibër të madhe (Shehri i sotëm),ku i ndihmuar nga vëllezërit Strazimiri, vazhdon të punojë për të mbajtur veten dhe për të ndihmuar familjen. Krahas punës mëson shkrim e lexim me fëmijët e Strazimireve.
Për intelektin dhe vullnetin e fortë u shqua që në moshë të re. Nga Dibra ai shkoi në Manastir ku vazhdoi dhe përfundoi studimet. Studioi edhe për teologji dhe mori titullin hoxhë. Shërbeu si hoxhë jo vetëm në fshatin e tij, por edhe në fshatrat e Dibrës së Madhe.
Në prag të Lidhjes së Prizrenit, krahina e Dibrës, e cila ishte ndër të parat që rrezikohej të coptohej nga forcat shoviniste ballkanike,u bë një vatër e fuqishme e lëvizjes.
Në këtë front lëvizjeje u vu dhe atdhetari Sefer Bodini, i cili qe bashkëkohës dhe mik me Seit Najdenin, Dervish Himën, Jashar Erebarën e Mulla Bajramin (Bajram Bucin) e Lukanit.
Periudha në të cilën jetoi Sefer Bodini ishte e mbushur me plot ngjarje dhe luftra ku del në pah veprimtaria e këtij kleriku atdhetar.
Ky qe ndër ato rilindas që jo vetëm luftoi për gjuhën e kombit, por u shqua dhe me pushkë në dorë si prijës në frontin e betejave për të fituar lirinë dhe pavarësinë kombëtare.

Hoxhë Bodini duke patur lidhje të ngushta me shumë veprimtarë të shquar të kohës, dha një kontribut të madh edhe për shkollën dhe gjuhën shqipe.
Në prag të Kongresit të Manastirit 1908 Sefer Bodinit,(Hoxhës), i dhuroi një libër Abetare, Hoxhë Voka (Sahid Najdeni), të cilën e solli në Selishtë. (Gazeta “Drita Islame, Nr 17, gusht 1992)
Në këtë periudhë ai ngriti në shtëpinë e tij shkollën (Mejtepin), ku filloi t’ju mësojë disa djemve të rinj në atë kohë shkrim e këndim.
Mejtepi ose shtëpia shkollë e Hoxhës ishte mbi rrugën automobilistike,(poshtë kompleksit tregtar të sotëm në Selishtë). Ajo shërbeu në atë kohë edhe si vend i mbledhjeve dhe propagandes patriotike, si vend rekrutimi të luftetarëve të lirise në mbështetje të thirrjeve të luftës për liri,por dhe i pergatitjes për të pritur pleqtë, gratë dhe fëmijët e fshatrave përreth,sidomos në anën lindore të Selishtës, kur ishin nën veprimet gjakatare të shovinisteve sllavë gjatë luftrave ballkanike e me gjërë.
Në vitin 1913 , pas luftës së Grykës së Vogël, në janar 1913, ku serbët u tërhoqën, në hakmarrje dogjën fshatrat e kësaj zone dhe qindra shtëpi, në shtëpinë e Hoxhë Bodinit në Selishtë është strehuar familja e Shaban Camit nga Golevishti (Viçishti), një familje e madhe me shumë kurorë, me shumë gra e fëmijë. Hoxha i priti me dashuri dhe bujari, por këtu nuk kishte kushte për një grua lehonë sepse hynin e dilnin shumë njerëz dhe ishte frika e ndonjë spiunimi, prandaj i përcolli për te Ali Dervishi në Lukan. (Uke A. Cami, kujtime, “Shpirti ynë liridashës”, 2007)

Seferi duke qene Hoxhë, mbajti të pashuar gjithnjë dashurinë për gjuhen shqipe, për lirinë dhe Atdheun, luftoi panderprerë per te zgjuar malesoret ne oda e kuvende,ne sheshe e mejdane ndjenjen e atdhedashurise, trimerise,kundërvënies ndaj pushtuesit, dashurine per dije e perparim. Në kullën e tij kishte nje bibloteke te pasur me libra te kohes,jo vetem ne turqishte gjuhe te tjera,por dhe abetare ne gjuhen shqipe,doreshkrime dhe kujtime te rilindasve tane kombetar,me te cilet kishte njohje dhe mbante lidhje nepermjet miqve te tij te ngushte si Hoxhë Voka e Dervish Hima..
Rruga e rritjes se Sefer Bodinit vazhdoi me shpejtesi te madhe. Ai po behej nje prijes I kesaj zone ne luftrat per liri ne prag te shpalljes se Pavaresise se kombit,jo vetem vete duke marre pjese ne mjaft takime te rendesishme ne Diber e me gjere,por dhe duke pergatitur luftetare te tjere ne perpjekjet per liri e pavaresi…
Sefer Bodini njihej jo vetem ne Diber,por dhe me gjere,ai ishte bere problem per turqit dhe sllavet dhe per kete mbajti dhe pseudonimin Hoxhe Tanushi, pseudonim që e mori kur Hasan Basri Pasha rrethoi Dibren, dhe Seferi ne bisede me Pashen,duke treguar mençuri te pashoqe,taktikë e diplomaci e detyruan pashen te terhiqet bashke me forcat e tij nga rrethimi..(100 personalitetet shqiptare të kulturës islame, shek. 19-20, bot. 2012)
Perpjekja e tij per gjuhen shqipe ishte e shkrire me atdhedashurine,me dashurine per flamurin e kombit,me vendosmerine per ti dale zot me arme ne dore tokave e trojeve shqiptare.
Në luftën e Malsisë në janar 1913 ishin të shumtë luftëtarët nga Katër Grykët. Në këtë luftë dha jetën edhe kushëriri i Seferit, Sali Bodini.
Në kryengritjen e shtatorit 1913, Seferi, Hoxhë Bodini, se bashku me Hoxhë Bucin organizuan malesoret në nje beteje te pergjakshme në Petrinë, Ohër e Strugë duke e mundur e perzene armikun deri ne Petrino te Maqedonisë..
Ne mesymjen e dyte, kunder forcave sllave ai vritet ne ballë të luftës. Bashkë me të vritet Imer Margjoka dhe Hoxhë Buci së bashku me të birin Mustafën. Plagosen për vdekje Avdi Dervishi dhe Shaban Xhafer Dervishi. Në front ndodhej edhe vëllai i Seferit, Haxhiu, por e kishte të pamundur ti afrohej.
Seferi kishte lënë nusen me barrë në bark. Pas disa muajsh ajo lindi djalë dhe ja vunë emrin Sefer, për të përjetësuar Hoxhë Sefer Bodinin, tregon nipi Ferit Sefer Bodini.
Sefer (Hoxhë)Bodini nuk harrohet. Në odat e Dibrës dhe të Katër Grykëve këndohej kanga e Hoxhë Bodinit:
” …Dhe kur thirri Hoxhë Bodini,
U drodh fusha, ushtoi Drini…”
……………………………….
Poeti nga Lukani i Katër Grykëve Mevlud Buci shkruan:
“N’at’ Petrinë ranë për liri
Hoxhë Buci me të birin
Trima të rrallë, lind për Arbëri
Krah për krah me Hoxhë Bodinin….”

Ndërsa Hysen Dervishi shkruan për Hoxhë Bodinin:

“Hoxhë Bodini tuj dhan’ shpirt
Mbushi grushtin plot me dhe
U lut burri n’muhamedin
Zot i madh, ti qofsh me ne !”
(Hysen Dervishi, “Dibra, zemra e kombit” faqe 78)
Hoxhë Sefer Bodini renditet në 100 personalitetet shqiptare të kulturës islame (shek XIX-XX ), faqe 217-218 e enciklopedisë, botim me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë.
Kanë kaluar 110 vjet dhe emri e vepra e Hoxhë Bodinit është transmetuar brez pas brezi. Ajo është dhe do të jetë e pavdekshme.

About Post Author