HUNDA
Ç’është thënë, ç’thuhet dhe çdo thuhet për të mjerat
Ato kanë epitete më shumë se të tjerat,
Nuk janë njësoj si gojë, veshë e sy,
Njeriu një hundë ka, po vrima janë dy.
Qofsh i shkurtër apo i gjatë,
Hunda e njeriut ka shumë gallatë.
Dhe, me hundën duhet të jesh shumë i matur,
Sepse hunda nuk është vetëm për të nuhatur …
Qoftë për grua, qoftë dhe për burrë,
Qyfyret për hundën s’kanë të sosur kurrë.
Kur një njeri s’bindet dhe bën prapësi,
Të gjithë thonë “është hundëlli”.
Thonë se s’merr vesh, nuk ha sqepar,
“Nuk e lë hunda të kullosë bar”.
Kur një njeri ngrë zërin dhe bërtet,
Të gjithë thonë “është hundëpërpjetë”.
Kur një njeri s’dëgjon e bën pas mëndjes së tij,
Lëre mos e nga, thonë, se “është hundëlli”.
Kur një njeri kërkon të bëjë gjithmonë sherr,
Lëre mos e nga, thonë, se “është hundëderr”.
Shumë probleme krijon hunda e mjerë,
Kur kërkon të hyjë derë më derë …
Hunda të bën për të prerë e vrarë,
Jo vetëm me të huajt, por dhe në fis e farë.
Kur njeriu mendon vetëm për vete,
Hundës i ngjitin shumë epitete.
Oh, sa qyfyre tregohen për hundën mjerane,
Thonë “hundëspec” dhe “hundëpatllixhane”.
Njëlloj i thonë, të riut dhe të vjetrit,
Kur hundën e fut në punë të tjetrit.
Ndaj me hundën do patur kujdes,
Mos e lër hundën që të bëhet ves.
Çdonjeri në jetë kështu duhet të veprojë,
Shqisat e tij t’i kontrollojë.
Sidomos hundën, o njerëz, po mundët,
Se vjen një moment, që tjetri të thyen hundët …
