(Dëshmoi me jetën e tij, 81 vite më parë)

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj
Historia e Luftës Nacionalçlirimtare është e mbushur me emra të rinjsh, të cilët me guximin dhe sakrificën e tyre u bënë shembull frymëzimi për brezat që pasuan. Njëri prej tyre është edhe Hysen Shahin Sheshi, i lindur në vitin 1926, në fshatin Grace të Devollit, në një familje me ndjenja të thella patriotike. Që në fillim të Luftës, babai i tij, Shahini, bashkë me gjithë familjen, u kthyen në një bazë të sigurt për partizanët e zonës, duke dëshmuar se dashuria për atdheun trashëgohej dhe zbatohej me vepra.
Rruga e Hysenit në radhët partizane nisi me batalionin “Fuat Babani”, por shumë shpejt, në ditët e formimit të Brigadës I Sulmuese, ai u rreshtua në këtë formacion dhe u caktua mitralier. Luftoi me vendosmëri në beteja të rëndësishme, si në Patos, në Shpat të Elbasanit, në Dumre dhe në çlirimin e Krujës. Në çdo përballje me armikun, spikati për guxim, qëndrueshmëri dhe trimëri, duke fituar respektin e shokëve të tij të armëve.
Më 9 shtator 1944, në luftimet për çlirimin e Krujës, Hyseni dha jetën në një përballje trup më trup me armikun. Ishte vetëm 19 vjeç, por moshën e re e kishte mbushur me vepra të mëdha, duke u bërë simbol i sakrificës dhe dashurisë për lirinë e atdheut.
Në shenjë nderimi për veprën dhe heroizmin e tij, me vendim nr. 102, datë 14 nëntor 1969, të Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të rrethit Korçë, Hysen Shahin Sheshi u shpall “Dëshmor i Atdheut”.
Jeta e tij e shkurtër, por e mbushur me atdhetari dhe trimëri, mbetet një shembull i pavdekshëm për të gjithë ata që besojnë se liria fitohet vetëm me gjak, sakrifica dhe dashuri të pakufishme për vendin.