I falet tempullit pa kokë-Angjelina Gjeka Murtezi


Shpirti jem ashtë nji me rranjët e tokës

aty, flen qetësisht, harroi të zgjohet

se aty ashtë ngrohtë.

Rrin larg zhurmës së pjatave bosh

e poterës së kuajve t’harbuar

që me hingëllimën e vrapin e shfrenuar

çojne mjegull dhe detin.

Vendi dridhet

qielli vrangoset,

nga klithma e zogjëve të bardhë

që ikin të lemerisun,

kanga u thye n’dysh me ylberin

që zhgarravitet në tokën e plasaritun

nga thonjtë e shumëkambëshave.

Hana përgjaket se njerëzit ndihen bosh

në shpirtin e pa shpirtë,

rrathët e kohës fundosen

nga dëshpërimi i ditës së mardhun

që lyp kangën e zogjëve t’humbun.

Natën ushtojnë daullet e fatit

që rrine symbyllun,

endacaku mbytet në ngashërim

nji qen kambë thyem

zvarritet t’u shpëtojë

gurëve që hedhin mbi ta,

qan me hungërimë vajtuse

kërkon të zotin ta shohë në sy.

Përse e braktisi?

Por ai, s’kishte sy

por nji kafkë boshe me dy vrima të zeza!

Qeni iku duke vajtua për t’zotin

që i falej tempullit pa kokë!