I munduari!-Kristo Çipa


E kërkoj e dot s’e gjej

Një shpirt dritë të llagaruar

Më tha plaku:” Mos shko thellë!

Ik tek një jetë munduar!”

Për të qielli është vrenjtur,

Rruga-shteg i rriptë dhie

Mundimi-barrë e pahequr

Gëzimi-bir arratie….

Sofra pulqer me thërrime

Gjumi si robat i grisur

Po prapë shumë ëndërime

Për një botë të farfurisur.

Zemra në dy pjesë e ndarë

Plot me plagë ajo për vete

Gjysma tjetër është behar

Për të tjerët, hoje blete.

Thonë balancë e drejtësisë

Dridhet nga gjykimi i tija

Nuk merr baltë nga botë e pistë

S’mban hatër, si perëndia.

Kur i hap kokrrat e shpirtit

Si diamantet nën diell

-Merr dhe ti!- i thotë Krishtit

S’kam pse ti shpie në qiell!

Të mos jeni të penduar

Siç thotë Dantja penëlirë

Shkoni te një jetë munduar!

Shihni shpirtin në pasqyrë!