I tërë Llapi ishte ekzaltuar fort-Zymer Mehani


I TËRË LLAPI ISHTE EKZALTUAR FORT
(Fragment nga romani im “Fanarët e një shrëngate”, SHB “SHKROLA” Prishtinë, 2021)
Ditët po kalonin duke ia lënë vendin njëra-tjetrës.
Erdhi ai mëngjes i shumëpritur i 19 qershorit.
Front Llapi u zgjua shpejt, i ngazëllyer nga moti i ngrohtë e me diell. Si gjithmonë mendja i punonte për çlirimin e Mesianës dhe të mbarë trevës së Llapit.
E ç’mund të mendonte tjetër?!…
Ky ishte mendimi i tij i vetëm, qëllimi i tij i vetëm dhe kishte nisur ta parashijonte agun e lirisë.
Papritmas, lart, nga rruga “Skënderbeu” u dëgjuan disa zëra. Njerëzit filluan të grumbulloheshin shpejt në qendër, para hotelit “Llapi”, ku dëgjoheshin qartë duke brohoritur të entuziazmuar:
—NATO! NATO! UÇK! UÇK!
Ata përkuleshin përpara ushtarëve të NATO-s, ashtu siç përkulen kallinjtë e grurit para rrezeve të korrikut, duke i përshëndetur gurkat britanike, njësinë elitare, si pjesë e KFOR-it— bashkëçlirimtarët e Kosovës.
Pas pak, zëra të tjerë u dëgjuan pas atyre brohoritjeve. Ishin me dhjetëra, me qindra, ishin shumë…Dukej se tërë Llapi ishte në shesh të Mesianës. Zhurma shtohej: dëgjohej oshëtima e turmave, në atë ditë të bekuar.
Në ç’mënyrë të çuditshme është ndërtuar njeriu: kujtimet që na kanë mbushur me lumturi, prore na shoqërojnë.
Ardhja e ushtarëve të KFOR-it në qytetin e Mesianës shkaktoi dallgë stuhish entuziazmi. Qytetarët ua kishin zili dhe i admironin, e secili përpiqej t’i vështronte sa më parë, me qëllim që pastaj për tërë jetën t’u tregojnë nipave dhe mbesave se kishin pasur rastin t’i shikonin dhe t’i përshëndetnin shpëtimtarët e këtij populli, që ishin si dielli, rrezet e të cilit, duke shpërndarë errësirën, ndriçuan atdheun tonë me shkëlqimin e tyre.
I tërë Llapi ishte ekzaltuar fort.
Shiheshin pleq, burra, gra e fëmijë, që edhe nga dritaret dhe nga ballkonet e ndërtesave, me fyryta të shtrembëruara nga gëzimi për ardhjen e lirisë përshëndetnin me dorë ushtarët e KFOR-it.
Ngjau shpërthimi i entuziazmit të përgjithshëm të emocioneve.
Njerëzit, tanimë të lirë filluan ta përqafonin njëri-tjetrin duke uruar për fitoren. Ata po vraponin e po kërcenin drejt qiellit. Gëzimi dhe hareja zëvendësuan frikën e brengat.
I madh e i vogël po depërtonte nga rrugët dhe rrugicat, porsi lumë vërshues drejt sheshit të Mesianës për ta ndarë gëzimin me të njohur dhe të panjohur, si dhe me ushtarët e NATO-s; për t’i falënderuar dhe për t’i përqafuar ata.
Nga zemrat e llapianëve shpërthenin përgëzimet, duartrokitjet, brohoritjet duke hedhur lule mbi tanket e NATO-s dhe duke u dhuruar lule në duar edhe ushtarëve shpëtimtarë.
Kjo ishte dita e lirisë….

      Aty, para hotelit “Llapi” ishin pozicionuar edhe forcat serbe, që vazhdimisht kërcënonin dhe krekoseshin para qytetarëve.

Majtas e djathtas qe formuar një mur njerëzish, sytë e të cilëve shkëlqenin, sikur u gëzoheshin rrezeve të diellit… Ata ishin të ngazëllyer… dhe me të drejtë, madje.
Ndërmjet tyre dhe ushtarëve të NATO-s po qëndronte një grup të rinjsh, në mesin e të cilëve ishte edhe studenti Besnik Breza.
Ai nga pështirosja që i shkaktoi prezenca e pjesëtarëve të forcave serbe, iu drejtua eprorit të tyre:
— Ti si za sve kriv. Imate oružje kojim ste ubili naše porodice. A mi ovde,— tregon ai me gisht turmën e bashkëqytetarëve e të ushtarëve të NATO-s, — vas molimo da nas lažete svojim slatkim rečima o humanizmu.( Ju e keni fajin për të gjitha. Ju i keni armët, me të cilat na i vratë familjet tona. E ne këtu kërkoni të na gënjeni me fjalët tuaja të ëmbla për humanizëm).
Do t’ju bëj thirrje të gjithë juve, nëse ju ka mbetur një fije ndërgjegjje, që menjëherë të ikni nga atdheu ynë, për të mos u bërë bashkëfajtorë të kasap Milosheviqit e të suitës së tij.
Morate biti zlobni, — iu drejtua ai me gisht oficerit serb, — da biste ostali u vojsci, koju vode kriminalci, (Duhet të jesh i poshtër të qëndrosh në një ushtri, të cilën e drejtojnë kriminelët.)— i tha atij studenti llapjan.
Oficeri serb nga marazi ishte skuqur në fytyrë. Ai i hodhi një vështrim të rreptë dhe armiqësor studentit 20-vjeçar shqiptar, që po fliste, të cilit iu drejtua:
— Nemoj da pričaš sa mnom! Ja nisam zločinac! (Mos folni kështu me mua! Unë nuk jam kriminel!) —kundërshtoi kërcënueshëm ai.
Djaloshi u përpoq të mbante gjakftohtësinë.
— These can do anything, —iu drejtua ai ushtarakut të NATO-s. — Even now, in your presence, they are waiting for the opportunity to get rid of us with a bullet in the neck. (Këta mund të bëjnë çdo gjë. Edhe tani, në prezencën tuaj, këta presin rastin të na heqin qafe me ndonjë plumb në zverk).
Ai foli me ton bindës dhe u pozicionua ndanë rrugës.
—We cannot accept this, —tha ushtaraku, në mënyrë të prerë. — It is clear to the serbian side that our mandate obliges us to maintain peace and establish order here. Therefore, you, — iu drejtua ai oficerit serb, — you are ordered to leave the territory of Llap and Kosovo as soon as possible! (Këtë gjë ne nuk mund ta pranojmë. Është e qartë edhe për palën serbe se mandati ynë na obligon ta ruajmë paqen dhe ta vendosim rregullin këtu. Prandaj, ju urdhëroheni sa më parë ta lëshoni territorin e Llapit dhe të Kosovës!)
Të jeni i arsyeshëm! Po të mos i bindeni urdhërit tonë, ju nuk do të ktheheni në vendlindjen tuaj kurrë i gjallë! Pra, komanda jonë do të bëjë çdo gjë që varet prej saj, e ju, nga ana juaj, kujdesuni për shtyrjet dhe zvarritjet e largimit tuaj! — e përfundoi fjalën e tij, apo më mirë të themi, urdhrin e tij ushtaraku i NATO-s.
Oficeri serb po e vështronte atë me habi. Frenimi i befasishëm i vetëvetes e bindi se duhej të largohej.
Ata u larguan.
Ata dinë ç’të bëjnë dhe si të sillen kur ballafaqohen me më të fortin…
Më në fund, e turpëruar dhe humbëse kolona e forcave serbe, që shëmbëllente në një njollë të zezë të një vizatimi fëmijësh, u nis rrugës drejt veriut për të mos u kthyer kurrë më në Llapin ilirik.
Aty për aty, te sheshi u ndryshua gjithçka. Muri i formuar prej njerëzve u prish. Për një çast, një burrë rreth të 70-tave, u doli përpara ushtarëve të NATO-s dhe ata u ndalën.
Ai u afrua tek ata dhe u tha:
—Më vjen të qaj, kur ju shoh juve që na shpëtuat nga shfarosja e sigurtë.
Një epror i trupave ndërkombëtare, duke ia rrahur supet, i tha:
—Serbia e humbi luftën dhe pa pjesëmarrjen tuaj në këtë luftë, as ne s’do të kishim mundësi t’i dëbonim forcat ushtarake të tyre nga territori i Kosovës. Ju shqiptarët do ta ndërtoni paqen dhe do ta zhdukni përgjithmonë militarizmin nga këto troje.
Pastaj ushtaraku, nëpërmjet megafonit iu drejtua masës:
—The war is over! It is over. You can feel completely at ease!…( Lufta ka marrë fund! Ajo ka përfunduar. Mund ta ndjeni veten krejt të qetë!…)
Sapo e mbaroi fjalën e tij ushtaraku i NATO-s, përnjëherësh shpërthyen brohoritje, duartrokitje dhe britma gazmore nga turma e qytetarëve:
-NATO! NATO! NATO!
S’ishte dëgjuar kurrë në jetë asgjë më magjepsëse se ky lajm, të cilin e kumtoi ushtaraku i KFOR-it. Ai mbeti për llapjanët melodia më e ëmbël, që s’mund t’ia kalojë asnjë harpë, klarinë, okarinë a fanfarë…
Një lumë falënderimesh u derdh për ushtarakun e NATO-s prej syve tanë.
Radhët e para të qytetarëve zunë të lëviznin e ai burri vazhdonte të ecte përkrah ushtarëve të NATO-s.
Më në fund burri që bisedoi pak më parë me ushtarët, u zhduk shpejt në mes të turmës. Ai kishte qenë një fshatar, të cilit paramilitarët serbë ia kishin vrarë dhe masakruar tërë familjen.
Sheshi ishte mbushur plot e përplot me njerëz. Në dritaret dhe në çatitë e ndërtesave ishin mbledhur tufa-tufa kokat e njerëzve.
Aty, rreth mesditës, në shesh të qytetit erdhi edhe një mori luftëtarësh. Disa rrinin në këmbë, grupe-grupe duke folur me ngazëllim. Të gjithë ishin të rinj dhe ndjeheshin krenarë, edhe pse dukeshin të zbehtë e të këputur nga lodhja dhe andrallat që sjell lufta.
Front Llapi, Lis Bajgora, Furtuna Forta, Vigan Llapiasi, Shkëmb Kaçandolli dhe shumë trima të tjerë, që janë mishërimi i forcës dhe i rinisë së kombit shqiptar, ishin shumë të ngazëllyer.
Atyre po u binin në veshë fragmente bisedash nga çdo anë…
Me vendosjen e flamurit kombëtar në ndërtesën e komunës nga luftëtari Sokol Llapi, tani e tutje zot të këtij vendi do të jenë shqiptarët dhe, pamjet e luftës, gjaku, vuajtjet, vdekja, mizoria e ashpërsia e betejave, të gjitha këto shëmtira do t’i takojnë së djeshmes… së kaluarës.
Është tejet ngazëllyese ora e çlirimit, pas së cilës s’kemi për t’i ndier më ankthet e tmerrit e s’kemi për t’i provuar më as vuajtjet e deridjeshme, që na i solli lufta.
Ishte data 19 qershori 1999, kur dita pothuajse qe e barabartë me natën…