I vodha një natë jetës-Kristo Çipa


Sa herë kthen e rikthen fletoret e krijimeve do të gjesh nga një xhevair që të shtyn ta publikosh. Kjo poezi është shkruar para 18 vjetësh dhe ja tek erdhi momenti për ta publikuar

I VODHA NJË NATË JETËS

I vodha një natë jetës

Për bela të këtij shpirti

I thashë-Zhvishu të vërtetës!

Të shoh qiririn e gjirit

Të lexoj ato të fshehta

Të hap kodin e misterit

Se atje gjen paqe jeta

Mes parajsës dhe ferrit

Shtatë ngjyra, shtatë rrugë

Shtatë mistere janë brenda

Udhë e parë të çon në buzë

Pastaj shkon ku ta ka ënda

Nëpër rërën bregdetare

Mollën e artë kërkoja

Dhe me shkumën e një vale

Zuri të më lagej dora

Deti sikur kishte vdekur

Apo përgjonte i ngrirë

Unë me buzën e etur

Thua lumenjtë kisha pirë

Atje lulet ziliqare

Nga marazi vesë pinin

Pemët lëviznin në zalle

Donin të fshihnin burimin

Kur hodha duart në qafë

Shkëmbi lëvizi nga vëndi

Ajo shkau- Sipër rashë

Qielli yjet i hëngri

Sa e bukur qenka bota!

Në mëndafsh të dashurisë

Aty s’ka të dhëmbur koka

Aty gjumi s’ti merr sytë

Po është çast e çasti ikën

Si vegim a ku di unë!

Pastaj zvarrë e tërheq ditën

As i zgjuar, as në gjumë

Moj ” kusarja” dashuri!

Dil e vidh mbrëmje më brëmje

Kjo jetë e shkurtër pa ty

Do ishte si ka parmende

Atë natën e haresë

Qiellin e tërë gremisa

Derdha djersë e piva vesë

Nga dy sumbullat në sisa