Ia dolëm,plak-Vaso Papaj


(Shokut që më mungon)*

Ti ishe hija e dritës sime.

Unë hija e dritës tënde, vetë.

Tani me kë të ndërroj mendime,

Se as nuk di ku je, vërtet.

Si Atlantida, vallë, të jesh,

Që koha ëndërr ma kish lënë?…

Po n’ëndërr vetëm ëngjëj ndesh,

Se dashurinë si fe më kanë dhënë.

Ke qenë si heshtja e pafund.

E thitha unë me ajrin bashkë.

Ta kesh atë, asgjë s’të mund.

S’të djegin flakët si fije kashtë.

Ma dhe, tek ikje, dorën fort,

Se gjer në fund s’u bëre plak.

E di që s’do të t’zbehë një mort,

Se s’ka një kohë të t’zbehë, qoftë pak.

Kaluam bashkë të madh rrebesh,

Si hije-dritë nën diell përvëlak.

Po s’kishim monstra brenda nesh:

Ia dolëm plak dhe kjo s’qe pak.

*Një mëndjendrituri të rrallë (S e Palit e thirrnim), që erdhi në këtë jetë nga bashkimi i qytetarisë durrsake të fillimshekullit

të kaluar me traditat më të mira mirditore.