Ibrahim Kadriu dhe zëri i vetmisë


IBRAHIM KADRIU DHE ZËRI I VETMISË

Poezia “Vetë i dyzeti” e Ibrahim Kadriut është një reflektim mbi përballjen me vështirësitë e jetës dhe peshën e problemeve kolektive që ngarkojnë individin. E krijuar mbi një shtrat tradicional, por me qasje ekzistencialiste, ajo sjell në vëmendje të lexuesit kryesisht sfidat shpirtërore të njeriut si vetminë dhe kërkimin e kuptimit të jetës. Poeti shfaq një udhëtim të brendshëm e të jashtëm, ku përballet me pengesat e përditshme, njerëzit dhe emocionet e tij. Vetmia dhe ndjenja e një kërkimi përshkojnë vargjet, duke theksuar përpjekjen për të kuptuar jetën dhe për të gjetur qetësi shpirtërore.

Në përpjekjen për kuptim të jetës, nëpërmjet vargjeve poeti shpreh ndjenjën e zhgënjimit dhe pasigurisë. Ai kërkon vazhdimisht kuptimin e jetës, por çdo përpjekje duket se rezulton në përplasje herë me paqartësinë dhe herë me problemet e ekzistencës. Ky është elementi bazë që krijon cikël të vazhdueshëm kërkimi dhe humbjeje dhe thellon ndjenjën e vetmisë. Përmes një strukture të rregullt e përdorimi fin të figurave letrare, Kadriu përcjell ndjenjën e ngarkesës së tij shpirtërore, por duke lënë gjithashtu hapësirë për një rezistence pozitive që buron nga akti i krijimit poetik.

I-Duke pasur parasysh që kuptimi i shprehjes “Vetë i dyzeti” është një frazeologji popullore që përdoret rëndom nga një person i rënduar me derte, brenga e halle të shumta, të cilat për t’i mbartur normalisht duhen dyzetë vetë (apo dhe katërqint në disa variante), poezia e Ibrahim Kadriut më sjell ndër mend një këngë popullore të viseve të mia që thotë: “Hallet e dertet e mia/Nuk i di as Perëndia/Por i di zemër mavria (e zezë)” duke shfaqur kështu peshën e rrëndë të jetës që i ka rënë mbi supe dhe brengat e shumta të shpirtit. Meqënë se populli ynë brengat dhe hallët e tij i shprehte në këngë, le ta dëgjojmë kur rrënkon-këndon: “O moj ti zemër e shkretë/Hapu bënu fletë fletë/Që të dalin marrazet-ë”. Sigurisht këngëtari popullor ka brenga shpirti për të cilat:”Tu drejtohem maleve/ Malet më largohen”, sepse dhe ato (malet) nuk ishin në gjendje ta mbanin peshën e tyre. Para se të flasim për peshën e halleve dhe derteve të Ibrahim Kadriut, unë dua t’ju them se: shpalosja fletë fletë e zemrës së tij në vargje është një qasje me artin oral, ku artisti popullor vetëm këngës i beson sa brengat dhe hallet aq dhe të fshehtat e zemrës. Duke krijuar këtë poezi shumëvargëshe Kadriu s’bën gjë tjetër veçse respekton traditën e artit shqiptar, me një ndryshim të vogël: ai ja beson poezisë sekretet e tij të shpirtit. Mos u mërzitni ju këngëtarë, melodiciteti dhe muzikaliteti që përmban poezia e çon lehtësisht atë drejt këngës, ja sa të gjejmë një kompozitor, pastaj do ta këndojmë së bashku dhe do harrojmë fare që është poezi e Ibrahim Kadriut. Sigurisht unë dhe disa shokë nuk do ta harrojmë këtë fakt, por në dalldinë popullore të këngës askush nuk do ketë nge të na dëgjojë.

II-Le ti dëgjojmë poetikisht këto halle dhe derte të Kadriut e më pas të flasim për ato:

Në poezinë “Vetë i dyzeti,” poeti Ibrahim Kadriu shpreh në mënyrë të ndjeshme brengat dhe shqetësimet e tij personale, të cilat kapërcejnë barrierën e përvojës individuale dhe ngrihen në dimension universal, në përjetimet e njerëzimit. Problemet që poeti trajton janë si pasojë e rraskapitjes së përditshme fizike në punë, vetminë, hipokrizinë, zhgënjimet dhe pyetjet ekzistenciale, por pikërisht këto elemente i japin poezisë së Kadriut një përmasë filozofike.

1. Poeti shpreh rraskapitjen e tij në jetë, e cila buron nga veprimet e përditëshme të lodhshme dhe përpjekjet për të përballuar jetën. Ai ndjen se koha kalon dhe i shton në jetë vetëm barrë lodhjeje e stërmundimi, siç shprehet në vargjet: “Koha vete në ikje në mua veç lodhje /Për çdo ditë raste me njerëz përballë”, te strofa e dytë. Kjo rraskapitje është pasqyrim i vështirësive të jetës, ku çdo përballje me të tjerët shton peshën e saj mbi barrën që mban poeti, i cili përmes këtyre vargjeve, shfaq një ndjenjë njerëzore, ku koha dhe përballja e përditshme me sfidat e jetës shpesh e rëndon individin me lodhje fizike e shpirtërore.

2. Një problem thelbësor që poeti paraqet është vetmia, e cila për atë nuk është thjeshtë një gjendje e përkohshme, por një peshë e rëndë shpirtërore, që e lodh sa shpirtërisht aq dhe fizikisht më tepër se ndonjë ngarkesë fizike. Kjo shprehet bukur në vargjet: “Pesha dhembjes më ktheu nga vetja / Të shikoja nga larg se si unë dukem / Kur jetoj në vetmi më rrëmben etja”. Vetmia nuk është një gjendje fizike, por duke patur një dimension shpirtëror, ajo madje madje është shndërruar në dhembje shpirtërore. Ajo e largon poetin nga të tjerët, e izolon atë, madje e shndërron në një njeri që mbetet vetëm në jetën tij. Ajo është një përjetim i rëndë dhe universal, pse shpreh një ndjesi izolimi që e përjetojnë shumë individë në shoqëritë moderne.

3. Brengat e tij i ka shtuar dhe përballja me hipokrizinë e njerëzve përreth tij, të cilët i afrohen miqësisht, ndërsa nuk ndjejnë dhe as afrojnë asgjë miqësore, pse dashamirësia dhe miqësia që ofrojnë janë thjeshtë maska, ndërsa janë të gatshëm për ligësi ndaj atij dhe të tjerëve. Në vargjet “Endem gjithandej mes njerëzve të uritur / Për t’u shfaqur prore sikurse nuk janë,”, strofa e katërt, poeti denoncon këtë hipokrizi pse ndjen se jeton në një botë ku maskat janë pjesë e njeriut dhe e jetës së tij. Pikërisht kjo ndjenjë e fshehjes së identitetit “me maska” me sjellje të rreme, është reflektim i shqetësimit të shoqërisë, ku jeta pranë hipokri-zisë bëhet një burim trishtimi dhe zhgënjimi për të gjithë.

4. Një tjetër brengë që poeti përjeton është përballja me ironinë e botës dhe kufizimet që i ofron koha.Vargjet “Kur durimi e humb toruan para ironisë / Që sulet e ma plagos shpirtin pa mëshirë”, strofa e gjashtë, shfaqin dhimbjen e shkaktuar nga ironia, sidomos në sfidat e përditshme. Ironia godet (plagos shpirtin) individët e ndjeshëm dhe delikatë që përpiqen të mbijetojnë, dhe u shtuar peshën e vuajtjes, pasi efekti i ironisë është nënvlerësimi i aftësive dhe mundësive të këtyre njerëzve të ndjeshëm e të ndershëm. Duke gjykuar këto vargje duket se poeti është përballur keqas me ironinë e cila i ka dalur përpara në rrugën e jetës, pse është përballur me cinizmin dhe fyerjet e atyre që janë në pushtet apo në pozita më të larta.

5. Në vargjet “Nuk gjej përgjigje në pyetjen ç’është jeta / Që më shtynë andej e këndej deri n’ varr,”, strofa e katërt poeti trajton brengën shpirtërore ekzistenciale mbi kuptimin e jetës. Realisht ky shqetësim ka munduar njerëzimin përgjatë shekujve dhe në poezinë e Kadriut merr format filozofik, gjë që tregon rëndësinë e përgjegjes të tij. Pyetja “ç’është jeta” është shqetësim universal, dhe kërkojnë përgjigje të gjithë ata që përballen me dilemën e ekzistencës dhe përpjekjen për të kuptuar thelbin e saj. Kjo pyetje nuk ka një përgjigje,ndaj dhe poetin përplasjet e përditshme e mbajnë të lidhur pas këtij kërkimi të pafund. Në fakt mendohet se gjetja e përgjigjeve për jetën është problem I filozofëve, por nqse I qasemi artit gojor të popullit, mund të dëgjojmë dhe vargjet: “O moj jetë, jetë e rreme/që kur linda më gënjeve/ pleqërinë s’ma rrëfeve”.

6. Vargu “Në çdo hap më ndjek hija e fatit të keq,” përfaqëson fatalizmin që mbulon jetën e poetit. Ai e ndjen veten të përndjekur nga tersi, fati i keq, një pengesë a peshë që ai s’ka fuqi ta kapërcejë apo ta mbajë. Ky fatalizëm shpreh brengën se përpjekjet e tij për të përmirësuar jetën janë të kota, dhe ajo do vazhdojë me pengesa, që ai s’do t’i kapërcejë dot. Kjo ndjenjë pesimizmi dhe fatalizmi është reflektim përjetimi për njerëzit supersticiozë ose që ndihen të mbërthyer në rreth vicioz ku fati i përcakton të gjitha gjërat.

7. Brengë e madhe e poetit është dhimbja e vetmisë, e cila në këtë poezi mund të shihet si metaforë dhe simbol dhe përfaqëson gjendjen ekzistenciale të poetit, që është i përfshirë në një udhëtim të pafund shpirtëror, duke kërkuar kuptimin e jetës, por pa gjetur përgjigje. Kjo vetmi nuk është thjesht mungesa e pranisë fizike të të tjerëve, por një vetmi shpirtërore dhe filozofike, një distancë nga shoqëria dhe kuptimi i saj.

Në poezi kjo dhimbje shndërrohet në një metaforë për rrugëtimin e tij të brendshëm, një përballje me vetveten dhe me kohën, siç shihet në vargjet: “Isha gjithnjë në rrugë të arrija prehje / Ecja n ‘largësi – që do të kishte fund / Në luhatje n ‘vazhdim – kërkoja dehje / E kuptimin e jetës nuk e gjeja askund.” ku vetmia është një udhëtim i pafund në kërkim të një qëllimi, por me një ndjenjë të thellë boshllëku dhe mungese. Dhimbja e tij është simbol i zhgënjimit nga vetë jeta dhe njerëzit, si dhe një pasqyrim i jetës njerëzore në përgjithësi. Në aspektin ekzistencialist, kjo vetmi dhe dhimbje pasqyrojnë ndjenjën e absurditetit dhe humbjes së orientimit, një temë qendrore në ekzistencializëm.

Po ashtu vargu “Pesha e dhembjes më ktheu nga vetja”, strofa e tretë, na sjell idenë se dhimbja, në vend që ta lehtësojë poetin, e shtyn atë të përballet me ato plagë që kërkojnë dashuri për të shëruar. Kështu dhimbja, bëhet formë kërkimi e dashurisë, një përpjekje për t’u rikthyer te vetvetja dhe për të rikuperuar pjesët e humbura të identitetit që dashuria mund të kompletojë. Këtu shfaqet aspekti ekzistencial i dhimbjes, i cili lidhet me mungesën e reciprocitetit në dashuri, mungesë që ndikon në ndjesinë e poetit për jetën. Vargu “Duke më lenë kështu në rropatje vetë i dyzeti” përfaqëson kërkimin e pafund në jetë, që krijon boshllëk shpirtëror, ku kërkimi për dashuri shndërrohet në përjetim të ankthit ekzistencial.

Nqse ndalemi te personifikimi “Vetmia lëshon rrënjët” shohim se ai shton dimensionin e dhimbjes, e cila ka kapluar jetën, jo vetëm të poetit. Në qoftë se lexuesi do kthejë kokën pas në jetë, me siguri do sjellë shembullin e tij për ilustrim. Në këtë aspekt mendoj se në kërkimin e dashurisë, poeti shfaq edhe një përpjekje për t’u shkëputur nga vetvetja, për ta gjetur “ilaçin” diku jashtë tij..

III- Ndoshta duhet të flasim për zhgënjimet e Kadriut në këtë poezi, si ndjenjë e përhershme dhe e ngulitur në vetëdijen e tij, të cilat shfaqen në vargjet ku poeti përpiqet të përballojë realitetin dhe përmes figurave artistike, ai shfaq vuajtjen e tij, duke ndërtuar kështu një univers poetik që reflekton vetminë e individit. Kështu veç vargut “Pesha dhembjes më ktheu nga vetja”, ku metafora e “peshës” pasqyron barrën emocionale të poetit, në vargun tjetër: “Koha vete në ikje në mua veç lodhje,” zhgënjimi merr përmasa të mëdha, ai shndërrohet vetë në një lodhje shpirtërore më shumë se fizike dhe ku personifikimi i “kohës” që largohet pa lënë gjurmë pozitive, është një pasqyrë e qartë e zhgënjimit të tij ekzistencial, që është gjithnjë në rritje. Një zhgënjim më vete na sjell edhe imazhi:”I rraskapitur n’ ofshamë – brez me brez” në strofën e tetë, i cili tregon se këtu nuk bëhet fjalë për një zhgënjim individual (vetëm në dashuri), por një trashëgimi dhimbjeje që kalon nga një brez në tjetrin, duke e bërë zhgënjimin edhe më të thellë dhe të rëndë. Zhgënjimi kulmon në vargun “Vetë i dyzeti në vrapin e pafund të pritjes”, në strofën e fundit, ku poeti shpreh ndjenjën e vetmisë, por këtu shfaqen dy element që kanë nevojë të zbërthehen: I pari , poeti e përjeton zhgënjimin si një barrë që e ndan “vetë i dyzeti”, gjë që të le të kuptosh se nuk bëhet fjalë për zhgënjimin në dashuri. Së dyti fraza e “vrapit të pafund” nënkupton një situatë ku poeti dhe ata që e ndajnë këtë situatë vazhdojnë “pa fund” të kërkojnë një dalje prej saj, por pa ja arritur qëllimit asnjëherë. Së treti, duhet të dimë se numri “dyzetë” në kulturën shqiptare është simbol i plotësisë, gjë që do të thotë se ky zhgënjim është shumëdimensional dhe sigurisht që kjo ndjenjë kolektive lidhet me vetë realitetin shoqëror në Kosovë dhe nuk është thjeshtë një barrë e rrëndë, e përballueshmë për dyzetë vetë, që i ka rënë shorti ta ngrejë vetëm Ibrahim Kadriu, si ndonjë Atlas i ri.

IV- Në poezinë e Ibrahim Kadriut “Vetë i dyzeti”, le të thellohemi në disa aspekte të poezisë që shprehin përmasa më të gjera se ekzistencializmi, duke sjellë në pah elementet universale që i japin kësaj poezie një përmasë më të gjerë njerëzore dhe kulturore. Në vend që ta kufizojmë poezinë në ekzistencializmin si qasje filozofike, le ta shohim si reflektim mbi natyrën e përbashkët të përjetimit njerëzor në kontekste të ndryshme, përtej rrymave filozofike specifike.

1. Nëse analizojmë vargjet “Një vend nuk e gjej për asnjë pushim / Det i trazuar, as një valë për shërim,” te strofa e tretë, mund të dalim përtej ekzistencializmit dhe ta shohim këtë si një shprehje të përpjekjeve njerëzore për të gjetur stabilitetin dhe qetësinë. Valët e trazura të detit nuk janë vetëm simbol i luftës së brendshme individuale, por një metaforë universale që pasqyron mënyrën se si jeta e njeriut, përmes brezave, është e ndikuar nga forca të papritura dhe në këtë mënyrë ky pasqyrim i brengave njerëzore tejkalon kufijtë e ekzistencializmit, dhe shndërrohet në simbol të përvojës së përhershme njerëzore për t’u përballur me realitetin e paqëndrueshëm të jetës.

2. Ka një dyvargësh të bukur (mes të tjerëve) Ibrahim Kadriu te kjo poezi, dyvargëshin “As koha s’është më kohë që dikur më preu rrugën / tani vjen si fshesë që m’i merr kujtimet,” (te strofa e katërt) që të ngelet në mendje, jo vetëm pse poeti shpreh ankthin ekzistencial mbi kohën, por pse ai përçon një perceptim universal të kohës si forcë shkatërruese gjer në humbje të gjurmëve të egzistencës. Ky koncept i kohës nuk është i kufizuar në filozofinë moderne, por e përshkon të gjithë historinë e njerëzimit, duke u bërë një element në mite, legjenda, përralla të ndryshme si greke, babilonase etj. Koha, siç është në realitet, por edhe shfaqet në këtë poezi, është një fuqi që ndikon mbi të gjithë qeniet njerëzore dhe që çon harresën e kujtimeve njerëzore.” Koha fshin çdo gjë” thotë një fjalë e urtë e jona.

3. Vargjet “Djegur nga dritat që s’janë asgjë veç hije / Vështroj si nata më ngulfat me frikë” mund të interpretohen përtej zhgënjimit të ekzistencializmit individual, pse kapin një ndjesi të thellë dëshpërimi, ku përpjekja për t’u kapur pas “dritës” si shpresë, megjithëse e pranishme, nuk ofron ngushëllim por vetëm hije. Kjo kontradiktë mes dritës dhe hijeve forcon ndjenjën e vuajtjes së poetit, por ndërkohë hijet përfaqësojnë limitet e përvojës njerëzore në përballjen me forca të mëdha, natyrore apo shpirtërore. Kjo është një ide universale dhe prek kulturat që kanë hulumtuar marrëdhënien mes njeriut dhe forcave të natyrës apo të botës shpirtërore.

4. Gjithashtu ajo që e thellon universalitetin e poezisë është përdorimi i imazheve natyrore si “det i trazuar” e “valë.” Deti dhe vala janë simbole në letërsi e poezi dhe këtu, Kadriu i përdor këto elemente për të shprehur shqetësimin mbi paqëndrueshmërinë dhe përpjekjet e njeriut për të mbijetuar në një botë të tillë. Nga mitet e lashta greke deri te poezitë bashkëkohore, deti ka qenë një metaforë për forcat e brendshme dhe të jashtme që ndihmojnë formimin e fatit njerëzor. Pra, në këtë kontekst, poezia e Kadriut nuk trajton thjesht problemet individuale të poetit, por përfaqëson një përvojë universale për njeriun në rrapor me natyrën.

5. I trishtë vargu”Në rrugët pa fund, njerëz shfaqen dhe ikin / Asnjë fytyrë s’e njoh, vetëm në përplasje fikem”, i trishtë gjer në dhimbje, pse vetmia që përjeton poeti nuk është një reflektim i vetmisë ekzistencialiste, por është përvojë që prek individin në çdo kohë dhe në çdo vend. Vetmia është përjetim i përhershëm njerëzor, që jeton në të gjitha kulturat dhe epokat historike. Kjo ndjesi e vetmisë, e ndarjes së njeriut nga komuniteti është aspekt i përbashkët i njerëzimit dhe mund të kuptohet vetëm në kontekstin filozofik ekzistencialist, por edhe si pjesë e një përjetimi universal të të qenurit njeri.

V-Poezia e Ibrahim Kadriut “Vetë i dyzeti” është një poezi moderne, por e ngritur mbi një shtrat tradicional, madje mund të themi se është shembull i integrimit të elementeve tradicionale që shërbejnë si bazë për thellimin e ndjenjave ekzistencialiste të poetit. Qasja me këngë të ndryshme popullore të viseve jugore, që përmendëm në fillim të shkrimit, është një dëshmi e pakundërshtueshme. Në realitet kjo poezi e Ibrahim Kadriut përfaqëson një ndërthurje harmonike mes elementeve tradicionale dhe ndërtimit modernist, ku tradita shërben si bazë për krijimin e një poezie bashkëkohore dhe ekzistencialiste. Poezi tregon se si Kadriu merr elementë të tradicionalitetit dhe i përpunon në një formë moderne, ku ndjenjat dhe përvojat e individit marrin një kuptim më të gjerë, duke prekur përjetimin e përgjithshëm njerëzor. Për të kuptuar ndërthurjen, le të shqyrtojmë disa prej elementeve dhe mënyrën sesi ato funksionojnë si bazë për poezinë moderniste.

Ndër elementët tradicionalë që kanë shërbyer për krijimin e kësaj poezie moderniste ne mund të përmendim:

1. Figura e vetmisë, durimit dhe vuajtjes, në poezinë tradicionale shqiptare janë motive të zakonshme që lidhen me përballjen e individit me sfidat e jetës.”Morra udhën për Janinë/ Natën-o, vetëm-o” dhe “Duro vashë të durojmë, siç duron mali dëborën” rrënkon-këndon artisti popullor. Në të njëjtën linjë dhe Kadriu përdor këto motive për të ndërtuar ndjenjën e përjetimit të vetmisë dhe vuajtjes, por ndryshe nga tradita, ai u jep atyre një dimension më të gjerë, më kolektiv. Vargu “Vetë i dyzeti në vrapin e pafund të pritjes” përfaqëson këtë përjetim emocional, ku individi ndjen peshën e vuajtjeve të të gjithëve, jo vetëm të vetes. Këtu shohim dhe ndjejmë se vetmia nuk është vetëm personale, por një dukuri kolektive.

2. Motivi i pritjes në traditën poetike shpesh është simbol për një shpresë, për një ardhje që do të zgjidhë problemet dhe tu japë jetë shpresave. “Të prita mike pse s’erdhe” thotë një këngë popullore. Si te kjo këngë popullore edhe në poezinë e Kadriut, pritja është e pafund, pa shpresë, është një zhgënjim. Te vargu “Një vend nuk e gjej për asnjë pushim/ det i trazuar as një valë për shërim” pritja humbet kuptimin e saj si shpresë, shndrrohet në një përjetim të lodhjes dhe dëshpërimit.”Nga muri do ngjitem, ta di se do vritem” klith poeti popullor në caste të tilla.

3. Koha dhe kujtesa në poezinë tradicionale, shpesh shihet si forcë që shëron plagët (koha I shërron plagët) ose i jep kuptim jetës në një të ardhme të afërt. Por te Kadriu, koha merr një karakter të egër dhe të pamëshirshëm. Në vargjet “As koha s’është më kohë që dikur më preu rrugën/ tani vjen si fshesë për të marrë kujtimet,” koha nuk sjell shërim, por përku-ndrazi ajo fshin gjithçka, duke e lënë njeriun, pa një të kaluar, qoftë dhe ëndërr dhe pa një pikë referimi. Kjo qasje ndaj kohës është një element modernist, që pasqyron ndjenjën e humbjes së orientimit në botën bashkëkohore.

Sigurisht që këtu mund të shtojmë dhe strukturën poetike, rimën dhe ritmin e poezisë si dhe tonalitetin e ulët dhe të trishtë që ka qasje me tradicionalen, por kjo është tepër e dukëshme për këdo, por për ne ka më shumë rëndësi të shohim ndërtimin modernist të poezisë mbi bazën tradicionale.

1. Le ta shohim këtë dukuri te fragmentarizimi i përvojës, pse ndryshe nga poezia tradicionale, që ka linjë të qartë narrative ose përfundim moral, poezia e Kadriut është fragmentuar dhe përjetimet janë të copëzuara. Psh, vargjet “Djegur nga drita që s’janë asgjë veç hije/ Vështroj si nata më ngulfat me frikë” tregojnë sesi drita, që në traditën poetike përfaqëson shpëtim dhe shpresë, këtu është e zbrazët, pa substancë, dhe e len individin në errësirë dhe frikë. Ky fragmentarizim i përvojës është karakteristikë e modernizmit, pse ai nuk kërkon një zgjidhje, por përjeton momentin në të gjitha kontradiktat e tij.

2.Elementet tradicionale në poezinë moderniste përdoren për të krijuar simbole e metafora komplekse, të cilat i japin poezisë një dimension filozofik. Psh, simbolika e fshesës që fshin kujtimet në vargun “tani vjen si fshesë për të marrë kujtimet” përfaqëson jo vetëm harresën, por dhe zhdukjen e gjurmëve të individit, duke theksuar kështu krizën identitare në modernizëm. Pra, ndërsa në tradicionalitet kujtesa shërben si arkivë për të ruajtur vlerat identike dhe momentale, në modernizëm zhduket, duke lënë individin pa kujtesë, pa origjinë në botën moderne.

3. Në poezinë tradicionale, shpresat janë të pranishme në fundin e poezisë, dhe ofrojnë një zgjidhje ose një rrugëdalje nga vuajtja. Në “Vetë i dyzeti,” nuk ka një përfundim të tillë, Kadriu e lë poezinë të hapur, me ndjenjë pasigurie e ankthi, si te vargu “Vrapin e pafund të pritjes,” ku pritja nuk sjell asgjë, dhe zhgënjimi është i përhershëm. Kjo mungesë e zgjidhjes përfundimtare është karakteristikë thelbësore e poezisë moderniste.

Pra, këtu shohim se poezia “Vetë i dyzeti” është poezi që ngre ura mes tradicionalitetit dhe modernitetit, ku elementët tradicionale si vetmia, koha dhe pritja janë të pranishëm në bazën e saj, por Kadriu i shndërron këto elemente në mjete për të eksploruar një krizë ekzistenciale moderne. Duke i përdorur këto elemente si bazë për ndërtimin e një poezie moderne, ai krijon një vepër që pasqyron ankthin dhe pasigurinë e individit bashkëkohor, duke ruajtur lidhje me traditën, veprim me të cilën shfaqet si një mjeshtër që ndërtton kryevepra me mjete rrethanore.

VI- Mënyra se si i ka formuar Kadriu figurat artistike, që japin finesë estetike poezisë dhe mbështesin ekzistencializmin tregon për një talent në rritje dhe një përvojë të pasur krijimtarie. Kështu ndjejmë se poezia “Vetë i dyzeti” shfaq estetikisht vargun poetik dhe shpreh thellësinë ekzistencialiste të jetës njerëzore përmes një përdorimi të sofistikuar të figurave artistike. Metaforat, simbolet, personifikimet dhe imazhet, përveçse shërbejnë për të pasqyruar ndjenjat dhe emocionet, krijojnë gjithashtu një kontekst të pasur për reflektimin mbi ekzistencën, dhimbjen dhe kërkimin për kuptim.

Metaforat në poezinë e Kadriut nuk janë thjeshtë “lule” në ballkonin poetik, por ato ilustrojnë kompleksitetin e jetës dhe ndihmojnë në thellimin e mesazhit ekzistencialist. Vargu “Pesha dhembjes më ktheu nga vetja” sugjeron barrën emocionale që individi përballon, pse dhimbja shpirtërore e shkëput atë nga identiteti i tij. Ky fragment thekson ndjenjën e vetmisë, duke reflektuar krizën e identitetit që shpesh ndjek individin në jetë. Po kështu metafora, “I tëri shndërrohem veç një rrëfim”, e bën individin të ndihet si një histori e humbur në rrjedhën e kohës, duke krijuar atmosferë ekzistencialiste ku individi përballet me pyetje mbi ekzistencën e tij. Një varg tjetër, “Koha vete në ikje në mua veç lodhje”, personifikon kohën si një forcë që ecën si njeriu, që kalon, duke përcjellurr ndjenjën e kalimit të shpejtë të jetës dhe lodhjes që e shoqëron atë. Kjo metaforë tregon mënyrën se si individi përjeton kalimin e kohës si një ngarkesë që përplaset me realitetin e tij ekzistencial.

Simbolet në poezi ofrojnë një dimension kuptimi. Psh, simboli “Njerëz të uritur” sugjeron nevojën për mbijetesë në një botë të varfër, të ashpër, duke e bërë individin të humbasë besimin në vlerat dhe aftësitë e tij. Vargu “Vdekja që pret” simbolizon frikën, panikun për të humbur ose mos realizuar diçka, thekson pasigurinë e individit përballë ekzistencës. Simboli, “Flluskë sapuni”, shpreh brishtësinë e jetës dhe iluzionin e sigurisë,e bëjnë indivi-din të ndjehet në ankth për të ardhmen. Kështu pra, këto simbole ndihmojnë ndriçimin e ndjenjave dhe emocioneve që e përfshijnë individin në përballjen e tij me realitetin.

Personifikimet u japin jetë ndjenjave dhe ideve, i bëjnë ato më të prekshme për lexuesin dhe theksojnë ndikimin e tyre në jetën e individit. Vargu “Koha m’ shoqëron n’ tokë” e trajton kohën, një element abstrakt në një shok, person fizik, madje duke theksuar ndjenjën e përgjegjësisë apo pasigurisë për të ardhmen. Po ashtu, vargu “Etja m’ shtyn” e personifikon etjen si forcë reale fizike që vepron mbi individin, ndërsa shpreh dëshirat apo nevojat e tijnë atë moment. Një tjetër personifikim, “Vetmia lëshon rrënjët”, tregon se vetmia në identitetin e poetit, duke bërë që individi të përjetojë një lloj vetmie, qëndrimi në një vend, palëvizshëm. Këto figura kontribuojnë në reflektimin e thellë ekzistencialist të individit, duke theksuar sfidat e tij emocionale.

Imazhet i japin bukuri dhe finesë poezisë pse ndihmojnë në krijimin e një atmosfere të të përshtatëshme dhe pasqyrojnë ndjenjat njerëzore. Psh, imazhi “I rraskapitur n’ ofshamë – brez me brez” krijon një pamje të lodhjes dhe vuajtjes që kalon nga një brez në tjetrin, dhe thekson vazhdimësinë e dhimbjes. Vargu “Dhe bota e ethshme – sillej vërdallë” sugjeron një botë kaotike, gjë që pasqyron tensionin dhe pasigurinë e individit karshi sfidave. Imazhi “Dritëhija e kujtimeve” sugjeron se kujtimet, edhe të trishtme, ndihmojnë në ndriçimin e rrugës së individit, dhe e bën atë të reflektojë mbi kalimin e kohës. Realisht duhet të theksojmë se edhe figurat artistike kanë një ngjyrë gri, që i qaset shpirtërisht tekstit poetik, një vlerë e shtuar kjo në talentin e Kadriut.

VII. Unë do t’i ftoja lexuesit që poezinë “Vetë i dyzeti” të Ibrahim Kadriut, të shihnin përtejë vetmisë dhe dëshpërimit të shfaqur në vargje, pasi ajo në vetvete është dhe një shembull se si poezia vetë përbën forcën e poetit për të përballuar vështirësitë dhe ruajtur besimin në të nesërmen. Në këtë kontekst, krijimi poetik nuk është thjesht një akt estetik, por formë e fuqishme e rezistencës ndaj vetmisë, dëshpërimit, vështirësive dhe përplasjeve shpirtërore të subjektit lirik. Ky akt krijues është një formë kundërvënieje ndaj të gjitha problemeve ekzistenciale, jo vetëm të poetit, duke shprehur qëndresën shpirtërore dhe një besim, sado i mjegullt, në një të nesërme më të mirë. Në këtë poezi vetë akti i të shkruarit shndërrohet në një mekanizëm mbijetese dhe rezistence. Vërtet që poezia përshkohet nga tonalitet dëshpërimi e tensioni shpirtëror, por poeti refuzon t’i dorëzohet pesimizmit. Vetë përpjekja për të artikuluar këto ndjenja përmes poezisë, duke u dhënë atyre bukurinë e artit, bëhet një formë e luftës kundër pesimizmit dhe harresës. Figura e Ibrahim Kadriut që shkruan, në këtë rast, përfaqëson individin që kërkon të krijojë dhe të ruajë kontrollin mbi jetën edhe kur duket sikur të gjitha gjasat janë kundër tij. Ndoshta edhe këtu duhet parë ndikimi i fuqishëm I optimizmit të artit tradicional.

Sarandë, më tetor 2024