I dashur shkrimtar !Erosmetrin vendose në zemrën time…Nga Hyskë Borobojka


  • Përshtypje për librin “Erosmetri”, prozë e zgjedhur, Hysen Kobellari –
  • LETËR PA ZARF. SHKRIMTARI I SHKRUAN SHKRIMTARIT …

Nga Hyskë Borobojka

I dashur Hyso !

Po të drejtohem kështu, por mund të të quaja edhe Ceno, siç i përkëdhelin Hysenët andej nga Zona e Korçës. Në Këngët e Kreshnikëve Hyso janë quajtur Hysen Radica dhe Hysen Kraposhniku … Mbase nga ai soj je edhe zotrote. Nejse. Ama, nuk mund të të quaj Hyskë, se jam vetë unë Hyskë Borobojka, oparak si edhe ti, që je me origjinë gjergjevicar kokëçekan e unë që jam lavdarak fjalëshafran. Po nuk po zgjatem me “ç’je ti e ç’jam unë”, se burrat me një barrë mend nuk kuvendojnë kësisoj …

Librin tënd të ri me titull interesant e intrigues “Erosmetri”, ka kohë që e kam marrë dhe po e lexoj ngadalë, që ta kuptoj më mirë e ta shijoj shtruar-shtruar, se kështu i bëjmë punët tani ne, 90-vjeçarët … Megjithëse i mundimshëm, leximi endè mua më jep gëzim të veçantë dhe më mbush me frymëzim për fjalën e bukur shqipe dhe humorin tënd të këndshëm, që rrjedh si gurrë e ftohtë mali, në këtë vapë qershori…. Urime për librin dhe sukseset mos t’u ndafshin edhe në librat e tjerë, që i paske për adet t’i botosh vit për vit.

I dashur mik !

Unë nuk i kam dashur ndonjëherë minjtë, por kur lexova rrëfenjën tënde “Letër Miut”, me të cilin çelet libri, se pse kam filluar t’i dua këto krijesa interesante dhe të çuditshme, që jetojnë nëpër plehra, bodrume e zgafella, por që përpiqen të jenë të pastër e të dëlirë, si pak njerëz përpiqen të jenë të tillë. Edhe tregimet e tjera më pëlqyen, sepse aty nuk e gjej politikën e mërzitshme të ditës dhe as syfete politikanësh  të padashur e të përbaltur shumë, me ose pa të drejtë, përveç tregimit “Në mbledhjen e partisë”, ku figurë qëndrore është një antar i thjeshtë partie, i cili hyn me ëndrra utopike në politikë enthusiast “hekur”, dhe shpejt e kupton se mund të përfundojë si karakter i zvetënuar, si “i vdekur” metaforik.

Në tregimet e tua kam vënë re larmi stilesh, befasi situatash, humor i hollë deri në filigran, perceptim filozofik e psikologjik të virtutit e vesit në jetën e individit dhe të shoqërisë. Ti bën një humor intelektualist, përpiqesh të pasqyrosh një nivel të ngritur shijesh, por të kuptueshëm për të gjithë, duke përdorur materialin jetësor që zgjedh me ato lloj qëndismash letrare, me synimin që të ndikosh në mënyrë aktive në selitjen dhe krijimin e lexuesit të së ardhmes. Unë e di mirë se ç’do të thotë përpjekje e shkrimtarit për të shkruar thjesht e mirë, me qëllim që të të kuptojnë e të të pëlqejnë lexuesit e sotëm, por edhe ata të nesërm. Humori dhe e qeshura është botë më vete, një gjë e madhe për njeriun; është shumë interesante se si qesh, pse qesh, me kë qesh, për kë qesh njeriu në kohë të ndryshmet. E qeshura me masë është shëndet, kulturë, mprehtësi, gëzim, optimizëm, forcë morale. Pastaj janë disa rrethana që e shndërrojnë humorin në satirë e në grotesk. Vështrimi komik i realitetit është vështrim kritik i tij. Tregimet e librit tënd më bëjnë të besoj se humori e satira aty ndihen të përtërira, të freskëta e plot gjallëri, falë përvojës sate gjysmëshekullore shkrimore, mjeshtërisë artistike të fituar me kohë në jetë e lexime dhe punës së papërtuar për të qëmtuar të veçantën artistike në krijimtari. Tregimi “Këpucët” është një himn për to, një himn që nuk e kam ndeshur tek asnjë autor tjetër, kjo ty të nderon, po kam qeshur me lot me tregimet “I dehuri i tretë”, po dhe me “Dhëmbët” …

Kam bindjen se si liber, ky yti përbën një bërthamë premtuese për krijime të tjera në të ardhmen, për tregimin satiro-humoristik (modele të ndryshmet tregimi të shkurtër), novelën satirike (Gjeli dhe Bosi) si dhe monodramën satiro-filozofike (Erosmetri). Me atë Erosmetrin tënd, Dashurimatësin e famshëm më ke kënaqur vërtet, si shpikje madhore e mendjes njerëzore, prandaj dua ta vendos aparatin e vogël pranë zemrës sime, për të treguar se kjo zemra ime gati shekullore është e mbushur plot me dashuri për familjen, për njerëzit e kombit tim dhe njerëzimin në përgjithësi, për vendlindjen time, për vendin ku jetoj dhe për botën dhe jetën përgjithësisht …

Kam qejf të të them, se “Erosmetri”, është libri më i mirë që kam lexuar prej teje, po kam frikë se “Gjahtarët e Nuselalës” me personazhe djemtë e Oparit më ka bërë që të jem me dy mendje në ketë drejtim. Pale, po sapo mora në dorë edhe librin e ri “Mbreti Gafur dhe Gjysmëkungulli” me përralla e ndodhi gazmore, për të cilin do të të shkruaj veçmas.

Kam shumë gjëra për të të thënë, o Hyso, po shpresoj të t’i them kur të piqemi e të flasim sy më sy, se tani sikur po hapet përsiëri bota dhe mund të dalim e të llafosemi vënçe si dikur …

Mirushikofshim,i dashur miku im shkrimtar !  

Hyskë Borobojka (Gaqo Veshi)