Ikën pleqtë në lagje dhe më s’u panë-Llesh Gjoka


Hijet e tyre sokakëve u zhdukën

Çapitjet e lehta kur zbrisnin nëpër shkallë

I përkasin një kohe të shkuar.

Ikën pleqtë shpejt si një kollë e thatë

Ndër avlli të gurta ka rënë qetësia

Ç’ishte kjo sëmundje e ligë, kjo lëngatë

Që i thirri pleqtë të dilnin nga shtëpia?

Ata ikën shpejt, kokëulur nxitonin

Një vargan zie rreshti i tyre ngjante

Askush nuk na tha pse aq larg po shkonin

Sa kthimi do të ishte një hatá e madhe.

S’ka më trapeza shtruar nëpër oborre

Kafe të zezë, duhan dhe raki të sertë

S’duken gjyshër të lumtur me fëmijë përdore

S’dëgjohen fjalë të urta dhe troç muhabete.

Ikën pleqtë poshtë tendave të hardhive

Ku kuvendonin me lezet në behar

Mureve u ka rënë një tis ngjyrë grije

Qentë angullijnë si në vaj.

Një shkop këtu, një patericë atje

Pa lëvizur rrinë nën shkallë

Kujtim i trishtë i kohës që s’vjen më

Loti që pikon ndër të gjallë.

Ikën pleqtë e lagjes dhe më s’u panë

A thua ta kishin bërë me fjalë

Portat gërvijnë shumë më rrallë

Kur hapen dhe mbyllen kanë mall.