Ikjet
-Cikel me poezi-
Panajot Boli
ME TEKNOLOGJINË E ALFABETIT MORS
Trokëllima e shiut këtë pasdite, më vjen si mike
Herë si një vijë e zgjatur, herë si një pikë statike
Koncertin e tij të dëgjoj,duke kercyer më fton
Kjo zhurmëri tingujsh, alfabetin Mors më kujton

Sa pika e vija duhen për fjalinë’’Sa shumë të dua’’
Ma nis këtë mesazh mikes sime shiu mors? Si thua?
E unë me sy mors i bëj mesazh, u ndez tastjera e tij
Më gaz ia nis të mirës sime,jo një, jo dy, por njëmijë
Kam shumë merak,e shiun e pyes përseri e përseri
Sybukura ime, a i mori mesazhët me këtë teknologji?
DHEMBJA
Plaga e trupit u mblodh kruspull, kutullaç
Rënkonte e rënkonte e dhëmbët i kërcitnin
Me një fasho kërkoi t’ia lidhnin dhembjen
E pastaj më pak melhelm si mike ta gostitnin
E dhembja filloi nga pak të ëmbëlsohet..
Plaga në shpirt ishte strukur thellë,s’kish shenjë
Vesë me cingërimë e gjethe të verdha për dyshek
E lengët dhembja si loti,me fasho nuk lidhej aspak
U bë pa ngjyrë, e padukshëm,u zbeh ngadalë, u mek
E dhembja filloi nga pak të djeg
I krahasuan që të dyja, i vunë me kujdes në peshore
Dhembja e plagës së trupit në fillim, e lehtë si penda
Për çudi, ajo e shpirtit e qelqtë,që ishte si drithërime
Ajo, e padukshmja, pa ngjyrë, ajo ishte me e renda
Si lot stalagmite dhembja pikon e gurëzohet
DITË PA NGJYRË PRILLI
E shkujdesur kjo ditë
Me fustan të pahekurosur
Me flokë të pakrehur
Që era i shpushpuris
Me një nënqeshje ironike.
E shastisur kjo ditë
Shikimhumbur
Mes ca lulesh të mardhur
Që u zvenitën ngjyrat
Nga vesa e padielltë.
Renë në depresion kjo ditë
Numëron petalet e luledeleve
Murmurit diçka me buzët
Që u njomën me piklat e athëta
Të agut të përgjumur
Jetime kjo ditë
Me mengjesin që nuk e la diellin ta përkedhel
E henën duke ikur të lotojë
Mbi çadrën dalëbojë
Qe mban në duar
Po ti ç’pate e dashura ime
Që rri e hutuar poshtë dardhës lulebardhë?
Ke pret e përhumbur
Me petalet qe ulen si flutura
Mbi flokët e malluar?
Ditë prilli pa ngjyrë…..
Me sy enderrues… të ngrirë
IKJET..
Me dhembje ndahet gjethja nga mëma e saj
I kuqëlohet fytyra, bëhet e murmë
Me puçra trishtimi
Edhe dielli e përshendet ditën me çehre të zbehur
E skuq tej e tej horizontin, e murmuros
Më pluhurin e muzgut
Sakaq, mali im gjelberosh bëhet i kuqeremtë
Se e panë zogjtë kur shkonin në fole
Qe puthte ditën
Dy buzë kuqeluan në cepin e rrugicës tek putheshin
Nxituan të mbeshteteshin te muri
Mos i shikonte hëna
…Se ikjet janë me kuqelim të trishtëe xhaketë ankthi
Me shall të murmë mbeshtjellë në qafë
Mbi flokë, vesë melankolie
KUR MË MUNGON DIELLI
Sa herë, hije si re dalin në qiellin e shpirtit tim
Diellin therras, si miku i bësuar i shpresës
T’i shtyj me berryl, tutje
T’i rrokullis në greminë
Me pika shiu
Më mbjellin vetminë
Sa herë hap sytë dhe xhami i dritarës nuk ndrit
Diellit, patjetër, retë xheloze i kanë zenë pritë
I urrej ato…të shpifura
Sa shumë i urrej
Më ngjyrë hiri
Ma mbulojnë gëzimin
Sa herë nuk shoh diellin të më perkedhël sytë
Në perandorinë e shpirtit tim është ditë zie
Si lulja pa dritë
Më dridhet qerpiku
Çarçaf te trishtë më vë para
Të mos shoh sytë e mikes sime
Kur më mungon dielli, kandili im dridhet nga era
Ka frikë nga hienat e natës që afrohen ta shuajnë
Si Anteu do ta shikoj
T’i rrufis pak zjarr e dritë
Hienat me temjan
Tymosin bardhësinë e ditës