Ildije Xhemali:Ç’ donte Lumjani në shtëpinë tonë ?!


Ildije Xhemali:Ç’ donte Lumjani në shtëpinë tonë ?!

Kujtesa në moshën e tretë ka arkivin e saj aktiv dhe të fjetur .Ca kujtime fshihen dhe nuk rikujtohen, ca kujtohen mjergullisht dhe ca të vinë të qarta si sekuencat e një filmi jo të plotë.

Kështu më ndodh edhe mua me ngjarjet e fëminisë Një e tillë është edhe ardhja e një malësori, kur ishte errur, duhet të ketë qenë aty nga funid i vjeshtës, në shtëpinë tonë.

Ishin ato vite, kur hotelet i gjeje vetëm në qytetet e mëdha. Shqiptarët njëri-tjetrit, hallexhiut i gjendeshin pranë. Jo më kot kishte zënë rrënjë në mendje e zemër fjala e urtë:”Miku ha bukën e tij.”

Me mikun lumjan ishte vëllai i dytë, aty ke 16 vjetët, ose pak më i madh.

Nëna na kishte dhënë darkë,na rregulloi shtresat për të fjetur dhe priste tim vëlla që kishte shkuar të takonte vëllanë ushtar në Tiranë.

Treni i fundit vinte vonë në qytezën ku do zbriste vëllai, i cili do ecte edhe 30 minuta në këmbë për të arritur në shtëpi.

Kishte kohë që nata kishte mbuluar gjithëçka me errësirën e saj, edhe pse ndriçonte një hënë e përgjysmuar, herë-herë të ndillte edhe frikë në rrugët e pandriçuara të atyre viteve ku në fshatra, ndriçohej nëpër shtëpi me llamba vajguri.

Ishte një nga këto netë që nëna ndjeu të shtyhet dera e rrethimit që ndante oborrin nga rruga ku kalonin bashkëfshatarët tanë

Bushtra ndjeu erën e vëllait dhe në fillim nuk lehu, por më vonë i dëgjuam një të lehur të egërsuar.

Nëna, e shqetësuar, rrëmbeu llambën dhe hapi derën e banesës sonë prej dy dhomash dhe u gjend jashtë!

– Lara, pusho, qetësohu, foli im vëlla. Ajo u qetësua, por të lehurit nuk e pushoi.

“Nane nuk jam vetëm, jam me një mik.”

-Futuni brenda bir. Mirë se ka ardhur miku. Dera qoftë e hapur, foli ajo pa u lënë kohë mendimeve t’i vërshonin në kokë .

I rehatoi në dhomën që përdorte si guzhinë, zgjoi Astritn, e ndihmoi të vishej dhe e nxorri në derë dhe mori tiganin të skuqte dy vezët që ruheshin për miqtë, se dihej që djathi nuk mungonte tek gratë nikoqire, përgatiti darkën.

Të ishte ditë dinte ajo me çfarë ta priste mikun, se zarzavatet e çdo stine nuk mungonin në oxhakët e mbjlla e të rritura me aq kujdes, si edhe erëzat e shumëllojta që ia shtonin shijen gatimeve.

Astriti u kthye shpejt dhe me zë të ulët i tha nënës:

“Nane, dajua nuk ishte në shtëpi , ishte tek Xhevua në Durrës.”

Ajo s’ tha asnjë fjalë, por sot e kuptoj gjendjen e saj.

“A bëra mirë që pranova këtë njeri të panjohur në shtëpi ?!

“Mirë djali i papjekur ,por mua me një barrë thinja ku më çon mushka?”

“T’i jap darkën e t’i them të flejë jashtë, se jam vetëm dhe me fëmijë të parritur.”

“Ku qëlloi edhe Mustafai sonte tek e bija në Durrës. Po të ishte në shtëpi, i kisha thënë ta mirrte mikun dhe gjumin ta bënte atje tek ai.”

Një sy i vëmendshëm, mund ta lexonte shqetësimin e mbuluar me një tis të shtirur qetësie të kësaj gruaje vejushë me një vatër fëmijë.

Edhe miku ishte gjithë sy e veshë dhe buka që po hante më tepër po e mbyste nga sikleti, se sa po e ngopte.

Miku i rastësishtëm që ishte ulur mbi një lëkurë leshi mbasi mbaroi së ngrëni, i tha bujtësit bujar : “Me këto lëkurët dhe një mbulojë fle këtu jashtë, se jam mësuar.”

Po nuk qe dakort e zonja e shtëpisë.

U shtroi të dyve mikut dhe djalit nga një dyshek poshtë, dy jorgan, njërin e mbante në sepete, u uroj “Natën e mirë” dhe si kloçka u bërnjas pranë fëmijëve

në dhomën e gjumit.

Lumjani ndezi një cingare nga duhani i tij i sertë pora se të binte të flinte dhe më tepër i veshur se i zhveshur u shtri dhe vuri kokën në jastëkun e butë.

*

Ajo ditë kishte qenë shumë e lodhëshme .Edhe pse kishte udhëtuar herët nga Luma drejt Tiranës për të parë e për të takuar të jatin në Tiranë në Sanatorium, mbrëmja duhej ta gjente pranë deleve të tij në kodrat e Divjakës ku i dimëronin.

Dihet nisja ,por jo mbrritja. Duke e bërë copa copa rrugën nuk arriti në kohë dhe zbriti me errësirë në Rrogozhinë dhe mori udhën për në stan që duheshin nja 3 orë të mira të ecte një i ri e të arrinte. Natës i mungonte edhe ndriçimi i hënës së plotë.

Duke ecur dëgjoi hapa që po i afroheshin edhe një përshëndetje mbyturazi.

-Lumjani ia ktheu përshëndetjen dhe të dy u muarrn vesh se një copë udhë do ta bënin bashkë.

Për Ibrahimin lumjanët nuk ishin krejt të panjohur. Ishte takuar me disa prej tyre buzë Shkumbinit, në një vend të hapur, e lënë djerrë se përmbytej kur dilte lumi nga shtrati, kur ata shtegtonin në ardhje dhe në kthim me delet e tyre.

Kur erdhi koha të ndaheshin Ibrahimi i thotë :”Hajde fli tek ne sonte dhe nisu herët nesër”

Lumjani mbeti mëdyshaz në qëndrimin e tij, por lodhja, rruga e gjatë që duhej të bënte

sa të arrinte tek stanet…

“Mos bre fisnik..” Por djali , si i rritur e tërhoqi drejt rrugës ku kthehej gjithmonë dhe u gjendën tek shtëpia e tij.

*

Këto kujtime të freskëta po i vërshonin para gjumit lumjanit duke thithur duhanin e tij.

Djali pranë tij, nga lodhja, po bënte një gjumë të paqtë si ata shelegët e tufës së tij.

Sa zbardhi , butë-butë preku djalin dhe i kërkoi ta përcillte gjer në xhade.

Të dy u gjendën në këmbë dhe nga udha më e shkurtër, pranë kasolles sē atyre 10 kokë delesh që i kullotnin më shumë të vegjëlit e familjes, dolën në xhade.

U përshëndetën dhe lumjani e porositi: “Kur të kthehemi për në Lumë nga maji, hajde më tako se ne qëndrojmë 2-3 ditë këtu pranë Shumbinit.

Një qingj do ta ndaj për ty e familjen tënde.”

Tregimi i përfunduar.

About Post Author