Iliaz Bobaj
Do të hesht
Do të hesht si një shtëpi e vetmuar
dhe heshtjes,
di t’ia mbyll derën brenda vetes.
Por druhem si i padituri përballë dijetarit,
se çfarë do të them,
kur të flas pas heshtjes…
………………………………………………………………………..
DASHURIA
I japim gjithçka dashurisë,
shpirtin tonë me gjithë ç’ka brenda.
Vjen çasti na lë,
si një zog, drejt qiejve të lirisë turret.
Na merr gjithçka nga ngrehina e shpirtit,
na lë vetëm muret.
………………………………………………………………………
ORA E MBETUR
Rri e varur në mur,
si një kujtesë e kohës së shkuar.
Akrepat flenë diku në shkretëtirën e fushës,
zemra e aparatit ka heshtur.
Tashmë ekziston thjesht si një numër.
Si njeriu i gjallë, që jeton si i vdekur.
…………………………………………………………………
LOJA ME FJALËN
Fjala sjell jetën dhe vdekjen.
Njeriu bëhet edhe rob edhe zot i vetvetes,
me një fjalë të vetme.
Janë të çuditshëm njerëzit që guxojnë e luajnë me fjalën.
Nuk luhet,
me një armë të tillë kaq të tmerrshme.
…………………………………………………………………….
SHTËPIA E DJEGUR
I kanë mbetur vetëm zgavrat e dritareve,
eshtrat e kolonave,
skeleti i gurtë i kokës,
ku vinte kapelen çatia.
…Ka mbetur edhe hiri,
që rëndon më shumë se shtëpia…
