Iliaz Bobaj:Elegji për Ali Podrimjen


Iliaz Bobaj

Elegji për Ali Podrimjen

(elegji)

Po nisem për në Prishtinë. Këtë herë,

me peshën e mungesës tënde në shpirt.

Kosova e ka të pamatë dhimbjen për ty,

po prapë ajo nuk i mjafton, natyrisht.

As dhimbja e krejt kombit nuk është e mjaftë,

të matet me përmasat e së vërtetës.

Dhimbjet e mëdha, vëllai im, janë si deti,

nuk ngopen me ujë për jetë të jetës.

Ndaj dhimbjen time po e sjell të gjithë,

e di, sado qoftë, një dhimbje është pak,

por pa të nuk mund të vij kurrsesi,

nuk mund të vij, po të lë një grimë pas.

Në sy kam kujtimin tënd të përkorë,

poezinë e artë, ku mendohet mendimi,

bekimin e fjalës që më ngre lart:

”Miku im, kij besim, ne do mbrrijmë tek ylli!”.*

Biseda e fundit nga Marseja e largët,

më ngjan se vjen nga një tjetër planet,

mesazhet e ngrohtë me dritëzim fjalësh,

të freskët, të gjallë më rrinë në kujtesë.

Cila mace e zezë ta preu udhën,

aty pas kuintave të qytetit francez

dhe ty, që me art ke mundur bajlozët,

guxoi të ta ndërpriste udhëtimin në mes?

Ti kishe shumë punë, s’mund të ikje kaq lehtë,

s’mund ta lije në mes veprën e ndritur.

Për të luftuar me gjigandët, duhen gjigandë,

duhen kolosë, për të ngjitur ”Hartën e grisur”.**

Frymën e fundit e le pranë një lumi,

nuk di ç’tallazitje pate në ndërgjegje:

Lumi qe dashuria jote e pafund,

Lumi qe dhimbja jote e përjetshme.***

Tani, me siguri, je midis yjesh,

një yll midis yjesh mund të rrijë qetësisht.

Sa herë do ta kërkojmë strehëzën tënde,

aty mes yjesh do ta gjejmë, sigurisht.

Rrugës për në Prishtinë, 21 korrik 2012

* Këtë shprehje ma thoshte shpesh Ali Podrimja në bisedat tona.

**Titulli i librit në gjuhën greke, i vendosur dhe i përkthyer prej meje në greqisht.

*** Lumi, aludohet me emrin e të birit të tij, i cili ndërroi jetë në moshë të njomë, duke mbetur edhe dhimbja e përjetshme e Podrimjes. Libri i tij: LUM LUMI,(për mendimin tim libri i tij më i bukur), i kushtohet pikërisht Lumit, të birit të tij.

About Post Author