Imer Hysa: Uni i egër:Roman i autorit Ervin Hysaj


Uni i egër

Roman i autorit Ervin Hysaj.

Romani “UNI I EGËR” i shkrimtarit dhe poetit kurbinas Ervin Hysaj, në dukje me një titull disi intrigues, të shtyn kureshtjen për ta lexuar pa ndalesē.

Ai unifikon pak a shumë natyrën e vetë autorit, pavarsisht përmbajtjes ku trajtohet historia e dashurisë së dy adoleshentëve në një shkollë të mesme dhe rrethit të tyre shoqëror.

Nuk është pak të thuhet se aty nuk trajtohet thjeshtë një histori dashurie, pasi ka shumë më tepër. Është mbi të gjitha një fotografi e saktë e vetë kohës, e problematikave që zgjasin e zgjasin në historitë e të rinjve Shqiptarë.

Shkrimtari, dhe pse e ka shkruar këtë vepër që në vitin 2010, rreth moshës 21-22 vjeç, (kam patur fatin ta lexoj dorëshkrim që në atë kohë), nuk ka lënë pa përmendur edhe atë pjesë që quhet korrupsion dhe që rëndon kaq shumë edhe tani në shoqërinë Shqiptare. Një shoqëri ndoshta jo e pasur ekonomikisht, por që në romanin UNI I EGËR trajtohet me një delikatesë dhe pasion të madh.

Ervini shkruan me shumë pasion, ka një rrjedhshmëri tepër të ëmbël në fjalitë e sakta dhe figurative të këtij romani, që është edhe i pari në prozën e gjatë të autorit. Vjen si një kumbim i një djaloshi të ri që artin ka zgjedhur si armën e vetme për t’u ndeshur me botën e mbrapshtë, e ndoshta edhe për të fituar.

E gjithë ajo që trajtohet në roman rrjedh krejt natyrshëm, i ngjan vërtetë asaj fotografisë që i bëhet befasisht një momenti kohor, por që mbetet pastaj një tablo që i shkon çdo kohe, pasi gjithmonë ka rini, probleme, sfida, dashuri të humbura e të fituara, tabu të thyera, pra ka jetē të zhurmshme.

Nga leximi i romanit del natyrshēm bindja se të rinjtë Shqiptarë i thyejnë tabutë kur duan, edhe duke humbur diçka nga jeta e tyre.

Në këtë roman shumë nga veprimet e personazheve nuk janë pozitive, por janë të ndiera, ato dalin vrullshëm nga zemrat e tyre për t’u njësuar pastaj me realitetin. Nuk është detyrim që një dashuri të quhet e bukur vetëm nëse dy persona kalojnë jetën bashkë, e bukur ose mbresëlënëse është ajo çfarë mbetet në kujtesë.

Romani UNI I EGËR, mund të ngjajë kontradiktor vende-vende, dhe autori është i vetëdijshëm për këtë, por kjo e bën vepren e Ervinit si një gjurmë që nuk fshihet, në kujtesën e lexuesve por edhe të asaj letrare.

(Romanin dhe vëllimin poetik të autorit mund ta gjeni te Hipermarketi Sali Lika Laç dhe Librari Kuvendi Lezhë)

Imer Hysa

About Post Author