Imer Hysa:Me Humoristin Fadil Hasa


Me Humoristin Fadil Hasa

(Artist I Merituar)

Me artistin dhe humoristin e madh Fadil Hasa kam miqësi tē herëshme. Veç takimeve në bar kafe apo restorante në Laç, Durrës apo Tiranē disa herë e kam patur edhe mysafir në familje.

Ishte vêrtetë artist I madh, jo vetëm humorin e kishte të thekur, por dhe bisedat e lira i bënte gjithë humor dhe të “imponohej” për ta dëgjuar me shumë kënaqësi. Pëlqehej nga të gjithë moshat.

Babai im ndjesë pastë lumturohej pa masë kur takohej me të dhe bisedat e tij u’a tregonte me kënaqësi miqve të tij.

I pelqente të tregonte ndodhi nga më të ndryshmet, nga mbresat dhe kujtimet që i ishin ngulitur në kujtesë nga shfaqet e shumta të dhëna nëpër rrethe.

-Ymer, mu drejtua një ditë, a mund ta takojmë Luan Malukën këtu në Laç, ka qenë talent i rrallë si aktor, ndër më të mirët në vend. Më vjen keq për tē që perfundoi ashtu.

Sistemi komunist i kishte ato gjëra i thashë, sa pêr të kaluar bisedên.

-Jo jo, kjo varej nga njerëzit që të rrethonin dhe veçanërisht nga ata që shikonin shfaqen, veçanërisht të deleguarit e partisë dhe anëtarët e jurisë..

Të tregoj një ndodhi që na ka ndodhur në takimim me estradën në Shkoder. Shkodranët njihen për humorin e hollē, por dhe për vënjen në lojë të pushtetit.

-Ishte një skeç që luhej nga aktoret e estradës së Shkodrës. Bëhej fjalë për arrestimin e një personi që kishte shfaqur hapur pakënaqësi kundër pushtetit popullor. Personi që “arrestohej” ishte Gzim Kruja, i cili luante rolin e atij ‘’armiku’’ të regjimit.

Polica i trokiti në derë, ishte ora 12 e natës.

Ai doli te dera. Në moment i hodhën prangat duke i thënë: ‘’Në emër të popullit jeni i arrestuar”

– Lërëni more popullin se ai është në gjumë, bëni atë që ju kanë urdhëruar.

Batuta u pëlqye dhe u duartrokit, nuk ishte e shkruar në skenar, Gzimi e shtoi vetë.

Neve që e dinim skenarin na ngriu gjaku, mendonim çdo moment se do i vinin hekurat, por nuk ndodhi. Mbase nuk e fiksoi njeri batutën, Gzimi shpëtoi.

-Ne aktorët e estradës rrezikun për tu ndëshkuar e dënuar e kemi patur më pranë se të tjerët. Humori i hollë ironizonte veset e drejtuesve dhe më shumë. Kur i prekje dikuj me pushtet në kallo ikje me pranga në duar nga vendi i punës. Sa aktorë e patën këtë fat të hidhur, më vjen keq për ta, nuk ka qenë vetëm Luani.

Ishte i lezetshëm shumë në bisedë. Kur vinte te unë merrte shofer një mik të afërm të tij Xhodën. I pëlqentë të pinte raki,

– Më knaq gurmazin dhe prekte me majën e gishtit tregues mollën e adamit.

Të bëftë mirë i thoja, mos të dhimbset, kam me kuintalë.

Qeshte dhe më falenderonte.

Ta pijmë nga një me fund për shëndetin e babës më thoshte, baba mos ta pij, e pijmë ne, ne kemi detyrime për ta, ata e kanë bërë detyrën e vet. Hajt gëzuar dhe e kalonte si ujë.

Bisedat bëheshin rreth humorit, roleve të tij.

Këtë radhë jam aktor në një film të gjatë.

Në çfar filmi?

Mao Ce Dun.

Çësht ky film?

Film humoristik por dhe dramatik, e kam përjetuar shumë personazhin, jam shkrirë me të. Jam bërë Hekuran Romalini.

Do ta shoh me kënaqësi.

Ja ke marrë dorën roleve në film. U bënë disa dhe të rëndësishëm madje.

Po, vërtetë, “Te zëvendësi i Grave” në rolin e Shabanit, te “Trapi i vjetër” në rolin e oficerit, te “Lutje Dashurie” në rolin e besimtarit mysliman, besoj ja kam dhënë spektatorit atë që kërkonte prej meje si aktor.

Sigurisht që po, ti je i njohur dhe i preferuar nga i madh dhe i vogël në mbarë Shqipërinë, je aktor profesionist prej dekadash,

-Ore vërtetë kam shumë vite. Kam filluar që në vitin 1963 si aktor në Estradën Amatore të Portit të Durrësit deri në vitin 1970 dhe pas këtij viti në Estradën Profesioniste të Durrësit.

Po me Rrem Hoxhën e pyesja, edhe ai më pëlqente si aktor.

Ah, për Rremën mund të them se ka qenë zbulimi im, është talent i rrallë dhe tregonte shumë role të tij dhe role që kishin luajtur sëbashku. Kur tregonte për skeçin Spiunët, si ja kishin futur njëri tjetrin thoshte nuk qe vetëm humor, por dhe hall i madh. Nuk dinim kush na është vënë pas. Vetëm kur ta shihnim veten me pranga në dorë.

Teksa bisedoja me të ndjeja në fjalët e tij, shihja në fizionominë e tij “seriozitetin” që ai përjetonte të personazhet duke u vënë në pah idiotizmin, naivitetin, mungesën e karaktereve. Sikur nuk kisha para syve artistin e madh të humorit Fadil Hasa, por Rremën te “Or ti i Këshillit”, Hamdiun te “Mysafiri i pa ftuar” apo atë që ai kishte më për zemër Hekuran Romalinin.

Na mungon miku im, na mungon fizikisht, por të kemi pranë përmes humorit kaq të këndshëm.