
Të nderuar Zonja dhe Zotërinj, pjesëmarrës në Manifestimin Tradicional Kulturor “Ora e Maleve”, i nderuar Zoti Daci, ju falënderoj përzemërsisht për ftesën dhe mundësinë, që na dhatë për të qenë sot këtu mes jush për të ndarë me ju jetën dhe veprën e një figure të rëndësishme të historisë shqiptare atë të Mustafa Merlika Krujës.
Mustafa Merlika Kruja lindi më 15 mars 1887 në Krujë, në një familje qytetare me zanafillë në malësinë e Kurbinit. Babai i tij, Mehmeti, dhe xhaxhai i tij, Haxhiu, ishin të punësuar në mbarështimin e pronave të familjes së njohur të Toptanëve, më e shquara nga bejlerët e Tiranës.
Mësimet e para i mori në qytetin e lindjes, në mejtepin e Mulla Hysenit dhe në moshën 15-vjeçare shkoi në Janinë dhe u regjistrua në gjimnazin turk të atij qyteti , për të kaluar në vitin e fundit të tij, në një tjetër shkollë të tillë, këtë herë në kryeqendrën e perandorisë, në Stamboll. Me mbarimin e tij mori pjesë në konkursin e “Mylkijes”, universitetit që përgatiste kuadrot e administrimit të jetës shtetërore të perandorisë, duke u rreshtuar i njëmbëdhjeti ndërmjet 73 pjesëmarrësve, për dyzet vende. “Mylkijen” e mbaroi më 1910, në moshën 23-vjeçare, mbas një veprimtarie të gjallë studentore në përpjekjet e tij për shkollat shqipe, e për alfabetin e shqipes me shkronja latine.
U diplomua në “Shkenca politike dhe administrative”.
U kthye në atdhe e filloi punën si mësues i matematikës në gjimnazin e Durrësit. Këtu vazhdoi veprimtarinë e nisur në Stamboll. U miqësua shumë me Dom Nikoll Kaçorrin dhe Abdi Toptanin, atdhetarë me të cilët bashkëndante dëshirat e përpjekjet për autonominë e Shqipërisë. Bashkë me Abdi Toptanin drejtoi si sekretar kryengritjen e Shqipërisë së Mesme të viteve 1911-1912. Në nëntor të 1912 shoqëroi Ismail Qemalin dhe Luigj Gurakuqin në drejtim të Vlorës, ku më 26 nëntor u shpall “Mëvetësia e Shqipërisë”. Aty firmosi atë dokument si përfaqësues i Krujës, u zgjodh anëtar i Pleqësisë me 42vota, u emërua si nënprefekti i parë i Vlorës dhe mbas dy muajsh si kryesekretar i Këshillit të Ministrave në moshën 25-vjeçe. Me dorëheqjen e Qeverisë së Ismail Qemalit u emërua nënprefekt në Pogradec e më pas inspektor arsimi në Elbasan. Më 1914 ishte në radhët e përkrahësve të Princ Vidit e kundër rebelimit të Haxhi Qamilit. U arrestua e u dënua nga Esat Pasha me burgim në Itali, ku qëndroi deri në vitin 1918.
U kthye në Shqipëri në fundin e vitit 1918. Mori pjesë në Kongresin e Durrësit e u zgjodh anëtar i kabinetit të Turhan Pashës, më parë si ministër i Postë-Telegrafëve, e më pas si sekretar i Dërgatës shqiptare në Konferencën e Paqes në Paris, më 1919. Në atë detyrë në bashkëpunim të ngushtë me Luigj Gurakuqin, hartoi të gjithë dokumentacionin, që dërgata i paraqiste herë mbas here Konferencës. U kthye në Shqipëri në verën e vitit 1919 e mori përgjegjësinë e zëvendës Ministrit të Brendshëm deri në Kongresin e Lushnjës, në të cilin nuk mori pjesë. Në votimet e para parlamentare u zgjodh deputet i Kosovës. Në vitin 1921, së bashku me të tjerë pjesëmarrës të jetës politike si Bajram Curri etj., themeloi “Bashkimin e Shenjtë”, një përpjekje për një qeverisje të përbashkët të dy partive kryesore të asaj kohe, Popullores dhe Përparimtares, që nuk dha rezultatin e dëshiruar për mungesën e zotimit serioz të atyre partive.
Në marsin e vitit 1922, Mustafa Kruja mori pjesë në një lëvizje kundër Ahmet Zogut, përkrah Zija Dibrës, Elez Isufit etj. Lëvizja dështoi edhe në sajë të ndërhyrjes së konsullit anglez në Tiranë, Kruja shkoi në Jugosllavi, në Gornja Millanovac të Shumadisë. Atje, brenda gjashtë muajve mësoi serbo-kroatishten dhe përktheu librin e ish kryeministrit të Serbisë, dr. Vlladan Gjorgjeviq “Shqiptarët e Fuqitë e Mëdha”, libër ky i cili ishte një manual antishqiptar. Përkthyesi vetë u shpreh: “s’ka dyshim se si për njeriun më vete ashtu edhe për nji popull qi dëshiron me dijtun e me qortue të mêtat e veta, opinioni i anmiqvet âsht tepër i dobishëm”.
U kthye në Shqipëri në qershorin e vitit 1924 dhe u emërua prefekt i Shkodrës, në qeverinë e Fan Nolit. Në Krishtlindjen e atij viti, mori përsëri rrugën e mërgimit të tretë, kësaj here pesëmbëdhjetë vjeçar, së bashku me familjen, duke u vendosur fillimisht në Zara të Dalmacisë italiane. Mori pjesë në jetën intelektuale të kombit nëpërmjet publicistikes, duke bashkëpunuar e botuar shkrime në një sërë organesh të shtypit kombëtar, që nga gazetat turke me pseudonimin Asim Xhenan e deri tek fletoret e Shqipërisë së pavarur, para e mbas luftës së Dytë botërore, deri në fund të jetës së tij me pseudonimin Shpend Bardhi, më të shumtën e kohës jashtë atdheut. Emri i tij gjendet në shumë fletore, mes të cilave “Mbrojtja Kombëtare” e Dom Mark Vasës, “Populli” i Salih Nivicës, “Shkumbini”, “Politika”, “Corriere delle Puglie”, “Kuvendi” i Sotir Gjikës, “Cirka”, “Liria Kombëtare” e Gjenevës, “Shqipëria e re” e Kostancës, “Hylli i Dritës”, “Leka”, “Përpjekja shqiptare”, “Illyria”, “Shkëndia”, “L’Albanie Libre”, “Ora e Maleve”, “Shpirti shqiptar” e “Shêjzat” e Ernest Koliqit. E gjithë kjo veprimtari publicistike kërkonte një kulturë të thellë në trajtimin e temave, që shtroheshin për diskutim në kohë të ndryshme.
Gjatë atyre viteve të gjata të mërgimit Mustafa Kruja punoi intensivisht për Fjalorin e Madh të Gjuhës shqipe, një vepër e vlerësuar skajshmërisht nga të gjithë kolegët gjuhëtarë e që mbeti gati për botim në Institutin e Studimeve Gjuhësore e që u zhduk më vonë me ardhjen e komunistëve në fuqi.
Më 1936, me ardhjen e qeverisë së Mehdi Frashërit në Tiranë, ai i bëri thirrje gjithë Mërgatës kundër zogiste të kthehej në Shqipëri, e të hynte në marrëveshje me Mbretin Zog, për të rivendosur në vend një dialektikë demokratike mes forcave të ndryshme e rrymave përkatëse politike, në dobi të interesave madhore të Shqipërisë. Ai propozim u hodh poshtë nga shumica e Mërgatës. Nga Zara Mustafa Kruja u shpërngul në Genova e më pas në Gjenevë të Zvicrës.
Pak muaj para 7 prillit 1939, Mustafa Kruja, edhe në emër të gjitha grupeve të Mërgatës, zhvilloi bisedime me qeverinë italiane rreth ndryshimit të gjendjes politike në Shqipëri. Me që projekti italian nuk mbante sa duhej parasysh pavarësinë shqiptare, Mustafa Kruja, në një mëndje me të gjithë Mërgatën shqiptare, i u drejtua Giovanni Giros, përfaqësuesit të qeverisë italiane, me këto fjalë: ”Po qe kështu Zogu le të mbretërojë edhe njëqind vjet në fronin e Shqipërisë”.
Mbas pushtimit ai u kthye familjarisht në atdhe. U zgjodh njëri ndër katër senatorët shqiptarë të Mbretërisë dhe mori drejtimin e Institutit të Studimeve Shqiptare, i vendosur që të mos merrte asnjë post qeverisje. Ky zotim u mbajt deri në vjeshtën e vitit 1941, kur u themelua partia komuniste shqiptare, si pasojë e sulmit hitlerian mbi Bashkimin Sovjetik. Në Shqipëri lëvizja komuniste arriti të bashkohet në një parti të vetme, nën organizimin dhe drejtimin e të dërguarve të Partisë komuniste jugosllave. Mustafa Kruja parashikoi rrezikun më të madh për Vendin mbas mbarimit të luftës, marrjen e pushtetit nga Partia komuniste, me rikthimin e “Tokave të lirueme” shtetit jugosllav. Atëherë Kruja vendosi të marrë përgjegjësinë e qeverisjes me një synim të vetëm: “E quaja detyrë time të shenjtë patriotike të ndaloja fatkeqësinë më të madhe që kishte pësuar ndonjëherë Vendi im”.
Ai ishte i vetëdijshëm për vështirësitë që do të përballonte, duke vënë në lojë edhe personalitetin e tij, por qëllimi ishte më i lartë se çdo gjë tjetër e çdo flijim për të i qetësonte ndërgjegjen. Shumë vjet më vonë, në bisedat me letra me miqtë e tij ai shprehte bindjen se “po të ishte kthyer mbrapa do të kishte bërë të njëjtat gjëra”.
Nuk i a arriti atij qëllimi për arsye të ndryshme, që pjesërisht i shtjellon në “Vetëparaqitja”, kërkesa për strehim politik në SHBA. Mbas trembëdhjetë muajsh Mustafa Kruja dha dorëheqjen e pakthyeshme, kur u vra në Vlorë Komisari i qeverisë e miku i tij i ngushtë, heroi i Vlorës, Qazim Koculi, i dërguar prej tij për të organizuar në fshehtësi qëndresën kundër italiane. Ai qe akti i fundit politik i tij. Ato trembëdhjetë muaj qenë, lumturisht, kohë të bashkimit të trojeve shqiptare, ndërmjet të tjerëve edhe Ulqini, të hapjes së shkollave shqipe në “Tokat e lirueme”, të heqjes së shenjave të Liktorit nga flamuri shqiptar, të heqjes së gjuhës italiane me detyrim për shkollat fillore, të largimit të këshilltarëve italianë nga institucionet, të mos zbatimit të “Dekretit antihebraik” në tokën shqiptare, të shpëtimit të hebrenjve në atë tokë, të veprimtarisë monumentale, në lëmin e kulturës shqiptare, të zhvilluar nga Instituti i Studimeve Shqiptare, të vizitës së parë të një Kryeministri shqiptar në trojet e ribashkuara me “shtetin amë”. Në ato vite Shqipëria, edhe se nën pushtim, jetoi sendërtimin e ëndrrës së saj tridhjetëvjeçare, asaj të Shqipërisë etnike, e si e tillë mbeti në kujtesën e bijve të saj si një kohë e artë.
Mustafa Kruja u largua nga Shqipëria më 1 shtator 1944, jo për t’i shpëtuar vendimit të gjyqeve komuniste, por për t’i u gjendur pranë birit të tij të vogël, Besimit, që ishte student në Vjenë dhe i sëmurë rëndë. Besimi vdiq më 21 nëntor 1944 dhe babai i tij iu nënshtrua një tjetër mërgimi të gjatë, atij më të dhimbshmit, duke mbajtur në shpirt shqetësimin për familjen në burgjet dhe kampet e internimit, dhimbjen për kushërinjtë e vrarë nga regjimi e tragjedinë e Atdheut.
U end në atë mërgim i shoqëruar nga motra e tij e vogël, Haxhireja, nëpër Itali, deri sa gjeti një farë sistemimi në Aleksandri të Egjiptit, i ftuar nga Mbreti Zog, ish kundërshtari i tij politik, por i vlerësuar prej tij si “i vetmi që mund të shpëtonte Shqipërinë nga katastrofa” që në vitin 1943. Shtatë vjet pranë Mbretit e shfaqjes së bujarisë së tij, nuk qenë vetëm vite të një qetësie relative larg vendit të tij e familjes, por edhe vite pune të pandërprerë në fushën e kulturës shqiptare, vite prodhimtarie të pasur studimore historike e gjuhësore, vite marrëdhëniesh të ngushta me shumë miq e bashkëpunëtore të ngjarjeve të shkuara në shërbim të Shqipërisë, nëpërmjet letrave.
Në vitin 1955 për arsye të ngjarjeve të grushtit të Shtetit në Egjipt, Mustafai së bashku me motrën u larguan për në Francë. Ndërkaq kërkesa për strehim politik ishte pranuar nga SHBA dhe në çastin që edhe motrës i u dha mundësia për të shkuar atje, ata fluturuan për në atë vend, për t’u bashkuar me djalin e tij, Bashkimin, që ishte sistemuar në Niagara Falls, pranë ujëvarës së famshme. Aty ndërroi jetë në moshën 71 vjeçare, mbas një ndërhyrjeje kirurgjikale në tëmth, më 27 dhjet0r 1958. Hiri i tij mbeti në tokën amerikane deri në vitin 2006, pastaj u vendos në një varrezë të Latinës, në Itali, e më 2 qershor 2007 përfundimisht prehet në varrezat e qytetit të lindjes, Krujës së tij të dashur.
Të gjitha dorëshkrimet e Mustafa Krujës mbetën në dorën e motrës Haxhire ose siç njihet ndryshe Anxhela Muka, që i ruajti me shumë dashuri e kujdes për 34 vite, e ia dorëzoi familjes së kthyer nga internimi në Grabian në vitin 1991. Që nga viti 2001 e deri në vitin 2021, familja e tij, me pak përjashtime, kryesisht me shpenzimet e saj, ka botuar 19 vëllime e është në përgatitje i njëzeti. Duhet theksuar se gjashtë nga këta vëllime pasqyrojnë letërkëmbimet e të parit të tyre me personalitete të ndryshme të jetës kulturore e politike të Shqipërisë. Mbas vdekjes së tij, njëri ndër intelektualët më të spikatur të botës shqiptare, shkrimtari, poeti e publicisti i madh, Ernest Koliqi shkruajti: “Aty ku Mustafa, mandej arrîn në përsosje letrare âsht stili epistolár. Ata qi patën fatin me pasë letra prej tij, duhet t’i ruejnë me kujdes sepse në to âsht derdhun nji visar i paçmim i shqipes”
Duke u bazuar në këtë vlerësim të profesor Koliqit, por edhe të të tjerëve, familja mendoi t’i bënte publike ato letra që kishte në dorë, duke i përgatitur për botim e duke i botuar në gjashtë vëllime (njëri është botuar dy herë). Ato titullohen “Kuvend letrash me miqtë”, një titull i zgjedhur nga nipi i gjuhëtarit, Eugjen Merlika, që është marrë me përgatitjen për botim të shumicës së veprave.
Vëllimi i parë përfshin letër-këmbimet me Ndue Gjomarkaj dhe prof. Zef Nekaj. Vëllimi i dytë pasqyron letër-këmbimet me profesorët e njohur Ernest Koliqin, Karl Gurakuqin, Martin Camajn, Namik Resulin, At. Zef Valentinin dhe Stavro Skëndin. Vëllimi i tretë sjell letër-këmbimet me Familjen Mbretërore, me Eqerem bej Vlorën, Dhimitër Beratin, Baba Rexhepin, Abaz Kupin, Tahir Kolgjinin, Fan Nolin, Kol Bib Mirakajn, Ago Agajn dhe Ismail Goranin. Vëllimi i katërt është ribotim i letër-këmbimit ndërmjet Mustafa Krujës dhe atë Paulin Margjokajt, më i ploti ndër to. Vëllimi i pestë përmbledh letër-këmbimet e Mustafa Krujës me Luigj Gurakuqin, Dom Lazër Shantojën, Anton Palucën, Miftar Spahinë, Hamdi Oruçin, Preng Grudën, Fiqret Jukën, Agim Karagjozin, Reshat Agajn e të ndryshëm.
Po i rrjeshtojmë këtu në rend kronologjik gjithë botimet që pasqyrojnë trashëgiminë kulturore që Mustafa Kruja i la atdheut të tij:
“Anthologji historike” Sejko 2001
“Vëzhgime iliro – shqiptare” Camaj-Pipaj 2004
“Aleksandr’i Madh” Volaj 2005
“Letër-këmbim Mustafa Kruja-Atë Paulin Margjokaj” Camaj-Pipaj 2006
“Kujtime vogjlije e rinije” Shtëpia botuese 55 Tiranë 2007
“Nji studim analitik – Gjuha e Frang Bardhit dhe shqipja moderne” Çabej 2007
“Fjaluer kritik i shqipes Gërmat A dhe B” Çabej 2008
”Shkrime historike” Omsca 1 Tiranë 2011
“Rishkrimi i historisë dhe figura e Mustafa Krujës” Botime Françeskane Shkodër 2011
“Mustafa Kruja në historinë shqiptare” Omsca 1 Tiranë 2012
“Kuvend letrash me miqtë” vëllimi i I Omsca 1 Tiranë 2012
“ Probleme gjuhe” Omsca 1 Tiranë 2012
“Kuvend letrash me miqtë” vëllimi i II Omsca 1 Tiranë 2013
“Kuvend letrash me miqtë” vëllimi i III Omsca 1 Tiranë 2013
“Kuvend letrash me miqtë” vëllimi i IV Omsca 1 Tiranë 2014
“Gjysmë shekulli me pendë në dorë” Publiçistika Omsca 1 Tiranë 2015
“Shqiptarët e Fuqitë e Mëdha” Klubi i Poezisë Tiranë 2015
“Kuvend letrash me miqtë” vëllimi i V Omsca 1 Tiranë 2017
“Lashtësi shqiptare” Berk Tiranë 2021
Shkurtimisht kjo ishte jeta e Mustafa Krujës. I hyrë në histori si “At i Kombit”, në sajë të firmës së hedhur mbi dokumentin më të rëndësishëm të historisë shqiptare. U përpoq gjithë jetën e tij t’i shërbejë idealit kombëtar. Këtij qëllimi i shërbeu edhe trashëgimia e tij kulturore, e cila nuk u pranua kurrë nga kultura zyrtare komuniste e pas komuniste.
Nëpërmjet leximit të tyre sot shqiptarët janë në gjendje të japin gjykimin e tyre mbi figurën e Mustafa Krujës, ta nxjerrin atë nga errësira, në të cilën e ka zhytur antikombëtarizmi komunist, i cili nuk i fali kurrë atij “mëkatin” e përpjekjes së tij për ta parë Shqipërinë jo të qeverisur nga komunistët e jo të ndarë në pesë shtete, “jo një provinckë të perandorisë sllavo-komuniste, që do të shtrihej nga deti i Japonisë deri në Adriatik”, siç u shpreh ai vetë në “Vetëparaqitjen”. Koha i vërtetoi fjalët e tij, duke dëshmuar largpamësinë dhe atdhedashurinë e tij. Sot mendojmë se është çasti, që figura e tij të gjejë vendin e merituar në kujtesën historike të kombit.
