Incident në aeroportin JFK-Boris Miska


Tregim

Incident në aeroportin JFK

Boris Miska

Prej gjumit të thellë i zgjoi stjuardesa me lutjen që ta vendosnin rripin e sigurisë se pas pak do të uleshin në JFK, aeroportin e madh të New Yorkut. Cekja e rrotave në tokën amerikane i trembi shumë, e përjetuan ndryshe nga momenti i shkëputjes nga atdheu. Avioni i madh u trondit fort dhe derisa ndali u shoqërua nga uturima e frikshme.
Ngutën pas pasagjerëve të tjerë, me pasaporta në dorë zunë radhë në një nga sportelet e shumta të kontrollit.
Përtej xhamit qëndronte ftohtë një grua me ngjyrë, e shëndetshme me syze skelet trashë, ua mori pasaportat dhe po i shikonte duke i verifikuar sipas fotografive.
Lexoi në dokument emrin e vendit nga vinin, Republic of Albania, pasaporta diplomatike e shërbimi vetëm me vizën amerikane, pa asnjë hyrje-dale në aeroporte, ishte udhëtimi i parë.
Për habi vizat ishin të rregullta megjithatë policja e kontrollit mbeti dyshuese.
Kërkoi ndihmë tek një nga koleget, që u fut në kabinë dhe i pa me kureshti dokumentat e lëshuara nga shteti shqiptar.
-Zotëri, i’u drejtua të parit ambasadorit, pse jeni pajisur me pasaporta diplomatike dhe shërbimi, kush është arsyeja që po kërkoni të hyni në Shtetet e Bashkuara?
Diplomati uli kokën pranë hapësirës së xhamtë të banakut dhe me dorë tek gjoksi i’u përgjigj:
-P’llumi ambasador, ambasador Albania, OKB, my familja ime, my nusja, my fëmijët.
Polici i ardhur në ndihmë të koleges nuk kuptoi asgjë por nga përmendja e fjalës ambasador u shty më shumë në dyshime. Nga Departamenti i Shtetit kishin porosi të kontrollonin mirë vizat dhe dokumentat, që vinin nga ish-lindja komuniste, sidomos pasaportat e shërbimit pasi me to po abuzohej shumë.
U’a bëri me dorë ta ndiqnin pas dhe i futi tek zyra e kontrollit të emigracionit, aty u ulën e po prisnin, ende s’po e kuptonin çfarë kishte tek dokumentat e viza e tyre amerikane e dhënë nga ambasada në Tiranë!
Pas disa minutave në dhomën e kontrollit u shfaq një burrë trupmadh, shtynte një karrocë dore, ku ishin ngarkuar të gjitha bagazhet.
I vuri mbi tavolinë, dy policët e tjerë me doreza plastike në duar filluan t’i hapin dhe kontrollonin imtësisht. Si fillim teshat i nxorën të gjitha, bile kontrolluan edhe xhepat e astarët e pantallonave e xhaketave.
Në fund i erdhi radha baules me ushqime.
Dy punonjës të tjerë obezë mezi e ngritën, sa lëvizën pak zinxhirin, prej saj shpërtheu era kaçkavallit, e zogave të pjekura dhe ushqimit të paketuar, byrekut me qepë dhe presh.
-Food, ulëriti nga larg polici që ndiqte procesin me bërryla të vendosura mbi tavolinën e zyrës.
-My gaaaad!!
Ambasadori, e shoqja dhe fëmijët rrinin të tulatur pa kuptuar pse ai u nxeh sapo qe hapur valixhja e ushqimeve, ato ishin të gjitha të zgjedhura të freskëta, siç i thonë në perëndim: “bio”.
Polici që dukej më kryesori, zuri hundën me dorë, lëvizi nga karrigia dhe urdhëroi kontrollorët t’i nxirrnin ushqimet të gjitha sipër.
Hoqën valixhet me rroba dhe mbi suprinën e gjatë rreshtuan krejt pakot e mbështjella me skoç, ishin aq shumë sa tavolina u mbush si banak shitjesh produktesh ushqimore.
Në zyrën e emigracionit ra heshtja e mbarsur me aromën e djathit kaçavall dhe byrekut me presh, dëgjohej vetëm një ‘my gaaaad’ e zgjatur, duket nga habia e llojshmërisë ushqimore.
Burri obez që solli bagazhet zgurdullonte sytë e ngulura tek ushqimet dhe po lëpinte buzët e trasha. Ai më kryesori vendosi dorezat plastike në duar, u kthye nga P’llumi dhe të parit atij i kërkoi të ngrihej në këmbë dhe filloi t’i bëj kontroll fizik. I’a hoqi të gjitha teshat, këpucët, mbeti vetëm në brekë dhe kanotierë.
Duart e ëdh ja të policit e preknin ngado, ndaj po e tmerronte dyshimi mos kontrolli depërtonte në ekstrem edhe në vendet imtime.
P’llum Karabinaja i bërë dyllë prej padijes ktheu kokën nga familjarët dhe mendoi;
-Çdo ndodhi po t’i zhveshin ata, sidomos Beçën e bëshme!
Mblodhi forcat sapo i’u kujtua se ai kishte imunitet diplomatik. Ishte e ndaluar ta preknin, ta kontrollonin, ta nxirrnin me uniformë si dikur në orën e fizkulturës, ndaj u tërhoq pak dhe filloi të protestoj në shqip, ashtu siç ishte me brekë, biles e ngriti zërin lart në kupë si qëmoti kur recitoi Shqiponjën.
Policët të befasuar ngaqë shqiptarët deri në ato momente po rrinin si në faj pa reaguar, ndalën procesin dhe filluan të flasin me njëri-tjetrin. P’llumi kuptoi vetëm Albania-Albania, të tjerat fjalë nuk i dinte, aq më shumë që amerikanët përdornin aksent tjetër që s’kishte asnjë lidhje me ato pak seanca që u kishte dhënë mësuesi i anglishtes në tre- katër javë.
Ja bënë me dorë të vishej, procedurat nuk i vazhduan me gruan dhe fëmijët. Njëri prej tyre kapi telefonin fiks mbi tavolinë e foli me dikë, priti gjatë me receptorin në vesh derisa doli dikush që ata e kërkonin.
Pas një ore në dhomë hynë sërish policët e kontrollit por këtë radhë ishte me ta një punonjës i veshur thjeshtë pa uniformën e aeroportit.
I pari i përshëndeti burri civil, diku në moshë rreth të pesëdhjetave, fliste shqip, por në dialekt kosovar.

-A shqiptarë jeni aaa, foli rëndë terxhymeni!
P’llumi nguti të përgjigjej i pari i çelur në fytyrë:
-Po shqiptarë jemi.
-Jam Mahmuti, përkthysi i shqipes, u prezantua burri i gjatë.
-Unë quhem P’llum Karabinaja, përfaqësues i Republikës së Shqipërisë në OKB, i zgjati dorën të sapoardhurit.
Kosovari i befasuar nuk ia lëshoi pëllëmbën, e vështroi me kureshti nga koka tek këmbët, u tërhoq pak dhe po qëndronte mes palëve që deri në atë çast nuk ishin marrë vesh.
Ambasadori nguti të ankohej.
-Mirë, që erdhe vëlla Mahmut se këta nuk na besojnë, s’po e kuptoj çfarë duan nga ne, do protestoj, sa të shkoj në përfaqësi do njoftoj Tiranën, ky është skandal diplomatik, jam prekur me dorë, sa s’më hoqën edhe brekët, m’u hapën bagazhet me vulën diplomatike, turp dhe nga kush, nga këta që na konsiderojnë edhe miq.
Kosovari u kthye nga policët, që po prisnin dhe filloi
t’u shpjegojë në anglisht se kush janë në të vërtetë shqiptarët e sapombërritur.
Ata filluan t’i shikonin ndryshe, nga dyshimi në sy u shfaq një lloj hutimi e pasigurie, nisën të debatojnë me kosovarin dhe kur ai ngriti zërin u tërhoqën e dolën për pak minuta jashtë.
P’llumi me të vetët s’po kuptonte çfarë kishte ndodhur por që pas ardhjes së bashkatdhetarit situata kishte kaluar në favor të tyre. Këtë diplomati i ri e nuhati, ndaj filloi të ecte i nervozuar me hapa nëpër zyrë, duke pritur rastin të çlirohej e ta qëndiste atë që kishte ndërmend, kartën e protestës.
Kishte dëgjuar për nota diplomatike, por s’dinte si ta formulonte, kujt do t’ia paraqiste.
OKB-së, joooo!
Organizata ndërkombëtare s’kishte gisht fare në këtë skandal, përkundrazi ajo me siguri do i dilte për zot, ta mbronte përfaqësuesin e vet.
As Departamenti i Shtetit s’besoj ta kishte provokuar këtë incident, ndaj përfundoi tek adresa e postës së policisë në JFK. Aty do e bënte ankimin me gojë, ose tek shefi i komisariatit të policisë së Manhatanit, por i’u duk e pamjaftueshme.
Vinte vërdallë në zyrën e emigracionit, i ngrysur në fytyrë, me duart prapa si dikur në skenë kur luante rolin e komandantit të ballit.
Pas pak u rishfaq në derë përkthyesi së bashku me tre policët e emigracionit që prisnin pa folur me sytë e fokusuara tek ambasadori të cilin tani po e shikonin ndryshe.
-Nigjoni këtu bashkatdhetarët e mi, foli me zë fundor
përkthyesi i shqipes!
-K’ta ju lypin t’falun se nuk e kanë dit me kë kanë me
ba, e kanë kuptue gabimin, por meqenëse edhe ju keni shkel rand lixhet e Amerik’s tuj shti food, sende t’ndalume, k’ta po thon me e lan barazim, dmth me u pajtu.
-Xene se s’ka nodh gja, ju n’pun tuj’k’ta n’pun t’vet.

 -Ti zotni ambasador po thu nuk m’kan prek, as mu as bagazhet, as zojën, k’ta policat po thojn s’ka pas gjana t’ndalume, s’kena pa gja me sy n’bagazhe.
-Si thoni!
P’llumit i’u duk pazar i mirë, pranoi ngaqë ai ishte në gabim dhe që në atë çast hoqi dorë vullnetarisht prej protestës, aq më shumë që po ta bënte të madhe do merrej vesh në Tiranë, nuk i dihej si do kalonte. Filloi të mendonte ftohtë si diplomat, s’po i pëlqente ta niste ters, sapo vunë këmbë në tokën amerikane.

-Ok, nxori fjalën i pari, u tha u bë, ta mbyllim me kaq e ta lemë këtu!
U kthye nga policët i takoi përzemërsisht.
Ata të çliruar nga makthi me shpejtësi i vunë bagazhet në karrocë dhe e porositën burrin e madh t’i shoqëronte me respekt miqtë deri tek dera e taksisë.
E përshëndetën me dorë dhe uruan:
– Thank you Mr ambassador, good job.
Ndarja ishte miqësore, e lanë pas shijen e hidhur të incidentit diplomatik dhe nxituan të shoqëruar nga kosovari përkthyes që u afroi makinën e tij për shërbim falas.
Dritat e Manhatanit i hutuan, harruan shpejt çdo gjë, sapo kishin prekur botën e lirë, atë vend që e patën ëndërruar me dekada sa e sa shqiptarë.
P’llumi u ndje në pendim që kishte filluar të thurte sebepe për t’i larguar djemtë arrakatë që po i
krijonin probleme. Për fat atë plan s’e kishte vënë në jetë, atyre trimoshave të shkathët që e patën ulur nga hekuri i varur kokëposhtë u detyrohej shumë, pa ata çapkënë nuk e di se ku do të ndodhej tani. Buzëqeshi mirënjohës me imazhin e çunave në sy dhe vështrimin e ngulur mbi një ndërtesë të lartë që ai s’mund ta quante karabina, ajo ishte e frikshme, e panjohur për të, asaj i shkonte veç fjala shqipe; kullë. Njeriu i parë që takuan, përkthyesi i gjuhës shqipe po i çonte tek ndërtesa shumëkatëshe ku ndodhej përfaqësia shqiptare, apartamenti me numër 145, në katin e 16-të.
P’llum Karabinaja ambasador, mbështetur pas sediles së veturës, me pëllëmbën kapur tek doreza shikonte i ngazëllyer qytetin me dritat magjike, i zhurmshëm me rrugët e gjëra plot reklama e lëvizje pafund, njerëz që rendnin në trotuaret e gjëra, taksi, autobusë dykatësh mbushur me turistë, semaforët, policët mbi kuajt e mëdhenj.
Çdo gjë ishte marramendëse.
Për një çast mendoi si do dukej ai qytet po ta shikonte ndryshe i varur në një hekur si atë ditë në shfaqjen e fundit!
Kullat kokëposhtë, taksitë njerëzit në ajër kthyer me rrota e këmbë përpjetë, semaforët, reklamat të gjitha do i lexonte së prapthi.
Prej fiksimeve që s’po i ndaheshin as aty, e shkëputi frenimi i makinës nga miku i sjellshëm shqiptar, kishin sosur.
Burri tek porta, major door, i’u afrua veturës, hapi derën dhe i uroj;
-weelkom!
Ndërkohë që portjeri po shkarkonte bagazhet nga
makina, P’llum Karabinaja u afrua tek hyrja dhe po shikonte në kolonën djathtas disa mbishkrime të ngjitura me emra dhe adresa sipas kateve.
Sytë i ndalën mbi njërën ende e pandryshuar dhe lexoi:
‘Diplomatic mission of the Socialist People’s Republic of Albania, nr 145-16’…