Inkubacion-Llesh Gjoka


Farëza fjalësh urate presin të mbijnë

brenda mjedisit të tyre mistik prematurë.

Si kokrra tespije

duan të thonë

dhjetra fjalë liturgjie.

Amin për një të nesërme të bekueme.

Farëza lulesh që duan të bëhen embrion

për përurimin e paqes së re

që duhet të lindë bashkë me diellin

ndër sy të njomë fëmijësh.

Dhe të bëhen prologu i kohës

që Valsi i Lumturisë

t’ua pushtojë zemrat aguridhe.

Farëza shpresash të marra në shenjë

udhës së një gjallnimi.

Idole hapash në ecjen e gjatë.

Vagullim sysh që duan të qeshin

me ritmin e frymës së jetës.

Farëzat e një dashurie që nuk duhet të thahet.

Janë aty, parathënia jonë fatshkruar.

Mëngjesin tjetër ndoshta do të mbijnë

për një buzëqeshje të nesërme

mbi një lot të së shkuarës.

Farëza ëndërrash pas një nate të trishtë

Në çelnajë duan të jetësohen.

Dhe pastaj

flaurí le të shpërthejë gëzimi

në kopshtin e bukur

nga fidanishte e sotme.

Mund të jetë një imazh i luleradhiqe dhe bazen uji