Intermexo në vitin 1997…Kristaq Turtulli


PËRSE GJITHË KJO KATRAHURË?!!

Shkërmoqja shtetit i ngjau piramidës së rërës. Ndërsa dështimi i demokracisë së brishtë, si lotët drithëruese së fëmijës jetime. Pelenat u përlyen me gjakun e pafajshëm të ëndrrave të përvëluara për 45 vjet. Ëndrra leqendisur u bë masë ngjitëse, hidhëruese në folenë e hutuar të trurit të turmës…

Qyteti çakorduar prej ankthit dhe pështjellimit, mblidhej, shtrinte gjymtyrët në kllapi.

‘Ata’ mbërritën në krahun e kundërt të qytetit, pranë luadhit të madh me gropë konike.’ Thanë lajmësit e parë.

‘Cilët ‘Ata’?’

‘Ata pra, kapuçonët e zinj,’ Lajmësit zëngjirur, kërkuan ujë, s’ flisnin, u ishin tharë buzët. Qytetarët të trembur, vrapuan në çezma mbushën gjyma, kazanë, tenxhere, tiganë dhe u dhanë lajmëzve të pinin ujë sa të dendeshin.

Të tjerë lajmës, zbritën nga kodrat e thepisura të memecit, erdhën grupe-grupe, pinë ujë me gllomka të mëdha, fshinë ujin që u kullonte nëpër fytyra, me shikime të ngulura drejt qiellit të vranët ngulmuan se kishin parë në horizont tym e flakë dhe lëvizje të rrëmujshme, dyqind metra larg vilës së mbretit.

Ardhacakët e tjerë nuk pranuan të pinin ujë, tërhoqëm kokat mënjanë kur u afruan bidonët me ujë të freskët dhe thanë:

‘Fusha të përmbytura përgjatë shtegtimit tonë të mundimshëm. Na jepni të hamë uria gërryen xhanë.’

Ata mbanin pallto të gjata, përlyera me baltë, ku përfund dalloheshin këmbët e zbathura dhe noçkat e nxira. Me zëra të ngjirur, të lodhur, tregonin se kishin dëgjuar fort mirë ulërimat e çmendura të sirenave të makinave, diku tutje pranë Përroit të thellë me hithka, ku përmirreshin plakat.

Dikush nga lagja e qorrave e qytetit, fqinj jugor, mbiu kur nuk pritej. Ishte lajmëtari i fundit, këmbëzbathur, rreckosur, u derdh drejt qendrës së qytetit dhe bërtiti me sa zë që kishte në kokë:

-Hej milet mbani vesh, përqendrimi i trupave është te Guri i madh me Vrimë… kaq di të them unë….

Ne prisnim të mësonim diçka më shumë, por lajmësi u ul këmbë kryq në mes të sheshit, rrotulloi sytë si gjynahqar dhe kroi deri në gjakosje gjoksin e tij të dobët. Nuk kërkoi të hante dhe as të pinte. Shkuli prej trupit pallton e shkalafitur të bërë copë nga shtegtimi e shkeli me këmbë.

Qëndrova i hutuar. Thashethemnaja rrokullisej mbi qytet, dhe mbërtheu nga të gjitha anët me krahë të zinj, të lyrshëm oktapodi. Ç’ishte kjo lufte dhe ardhje e cmendur në kohë paqe?!

Tjetërsimi i fjalëve hodhi mjegullnajën e së pabesueshmes, si një eter i rëndë vjellavrer. Verbëria i vuri barrierë dritës me kafshimin idhnor të së paditurës.

Oshtima e përcjellësve të stresit godiste hidhshëm memecllëkun e topitjes së një qyteti dhe shteti të tërë. Fjalamania ngrihej dhe ulej dallgë deti të tërbuar. Nuk merrej vesh nga do vinte goditja, do ish tokësore apo yllësore. Me armë të mbledhura nga lashtësia apo armatim modern, të kohës. Në çast pasohej heshtje e thellë, njerëzit vështronin përreth të hutuar, majtas, djathtas, lart poshtë. Nuk guxonin të vështronin njëri tjetrin në sy, i trembeshin leximit të përballshëm të frikës.

Thashethemnaja pengohej në sofate, pirgje, ngrehina, strukej në hatulla, fshihej në blozën e oxhaqeve, dredhonte bënte kërcime të hatashme dhe përpinte qytetin me një frymë.

Një mendim i çakërdisur mbiu në çast dhe, vështrimet u përqendruan drejt godinës karakteristike të muzeut antik. Po sikur… Qytetarët trup i vetëm, lëvizën nxitimthi drejt godinës trekatëshe. Hapen derën me kangjella, u ngjeshën pas njeri tjetrit në oborrin e ngushtë shtruar me pllaka, pastaj ngjitën shkallët e mermerta. Përgjegjësi, një burrë thinjosh me cullufe të bardhë mbi ballë, hundë rinoqeronti, u doli përpara vështrim nemitur. U bëri me shenjë të mos bënin zhurmë dhe mos trazonin gjë. Turma e shtyu mënjanë, s’ dëgjoi ankimet e tij dhe vështroi me kujdes gjithçka që ndodhej aty. Mjedisi qe i paprekur, hijerëndë. Armët e ftohta të lashtësisë, ishin të pa luajtura si më parë, rënduar nga ndryshku i kohës, e nga trishtimi i pafolurës. Morën frymë të lehtësuar.

Tjetërsimi i fjalëve vazhdonte të rridhte rrëke, përmbyste bulevarde, rrugica të kalldrëmta dhe humbiste në rrethinat e qytetit të hirtë. Minutat shtyheshin ngadalë me vështirësi dhe bëheshin orë. Dita ofshante me të madhe, e kish të pamundur të mblidhte gjymtyrët e shkapërderdhura pas vargonjve fjalomani.

Në asfaltin e qullur të rrugëve të qytetit, drita ndezur ulërinin makinat, rrotat fërshëllenin dhe të harbuara turreshin drejt territ. Kuajt hingëllin dhe kamxhikët e karrocierëve fshikullonin ajrin. Përplaseshin qepenat e magazinave. Më në fund njerëzit vështruan njeri tjetrin të hutuar, i trembi frika e tyre, kërcyen përpjetë, rendën, bërtitën. Vonë u kujtuan të mblidhnin fëmijët, çamarrokët, kureshtarët, të shpërndarë nëpër qytet.

Befas u bë qetësi e rëndë. Dukej sikur një çelës magjik lëvizi dhe mpiu gjithë qytetin. Dielli u fiksua në një vend dhe s’kishte ndërmend të lëvizte, edhe pse minutat thërrmoheshin zhurmshëm nëpër memorie. Ndoshta dielli bëri marrëveshje të heshtur me hënën.

Kur gjithçka u mbyll, u drynos, dhe qyteti i mpakur lëvizi krahët kuturu të gjente jorganin e ronitur që i kish rënë në fund të këmbëve. Dielli lëvizi ngadalë me përtesë, me mëshirë të madhe.

Ra nata. Qyteti nxinte. Nëpër rrugë qentë dhe macet kërlesheshin e ulërinin me lebeti. Hëna s’pranoi hipokrizinë e diellit u fsheh dhe nuk doli më. Fjalamania mbërtheu dhomat e ngushta, të ulëta të pallateve dhe oborret e shtëpive.

Banorët ngjeshën fytyrat e zbehta nëpër dritaret me hekura të përdredhura, të shihnin zemërdredhur hatanë e tmerrshme. Rrapëllinte me potere tik – taku i orës së madhe të qytetit.

“Ju lutem, ndaleni atë dreq ore!?” Thirri dikush.

“Është zemra jone qe rreh me potere, u përgjigj nje tjetër.

“Oh Nene, nene, perse duhet te vuajmë ne!”

“ Hesht! Qepe atë hale!”

Heshtje e trembur e rëndë. Gjumi u arratis përfund maleve, u shtri i leqendisur. Të gjithë mallkuan zërat e çmendur. Fëmijët u mblodhën kutullaç në krahët e prindërve. Pleqtë pallto krahëve mërmërisnin, luteshin me shikimin drejtuar qiellit të zi. Simfonia e maceve dhe e qenve ngarendte ngado…

Të nesërmen turma e çakërdisur u turr drejt depove të armëve, u shqyen dyert e hekurta, u shkatërruan, kasat, arkat e municioneve, u rrëmbyen tanket, aeroplanët, topat e rënda dhe të lehta, armët. Ngado zbrazeshin me breshëri të gjitha llojet e plumbave drejt qiellit të vranët, rënduar me re.

Ngado bëheshin shkatërrim, vjedhje, pështjellim. Çmenduri. Hata. U tha kënga dhe ninulla në buzët e nënave. Ngado mbiu urrejtja dhe u ndezën vështrimet e egërsuara.

Kërkohej shkaktari i katrahurës së llahtarshme por nuk gjendej. Nuk kishte shtet. Gjithçka ishte shpërbërë. Vendi ishte në qorrsokak, ecte si somnambul në humbëtirë.

Rrugët ishin mbushur me horra që kishin rrëmbyes situatën në dorë. Të ndershmëve dhe intelektualeve u ishte lidhur gjuha dhe mpakur zemra.

Të pasnesërmen njerëzit e llahtarisur ikën nga sytë këmbët. Vaporët u mbushën me ikanakë të çakërdisur dhe shumë prej tyre u mbytën në mot të keq dhe det të hapur.

Nënat shami zeza qanin me kuje bijtë e tyre.

Pse të ndodhte kjo katrahurë, ky shkatërrim, kaos i paparë, pluhurizim i shtetit, çmenduri, hata e paparë?

Kush duhet të mbajë përgjegjësi, për atë ngjarje të tmerrshme, masakër, pluhurizim i shteti dhe shkatërrim i vendit, gjithë ato viktima të pafajshme që u vranë dhe përfunduan në fund të detit, në gojën e peshkaqenëve?

Edhe pse kanë kaluar më shumë se 26 vite pyetja torturuese ka mbetur pa përgjigje.

PËRSE GJITHË KJO KATRAHURË?!!

Kristaq@Turtullli