Irma Kurti & Petrika Agolli sjellin këngën “Streha” për të gjithë emigrantët


Poetja dhe autorja e qindra teksteve të suksesshme të këngëve Irma Kurti sjell për publikun shqiptar këngën “Streha” në bashkëpunim me kompozitorin Petrika Agolli, me Montazh të Studio Fokus Art/Arben Hyska, regjistruar në Studion Artisti, drejtuar nga Aleksandër Kolshi në Rovereto, të Italisë.
Kjo këngë me tekstin e shkruar nga Irma Kurti interpretohet duet nga vetë autorja shqiptare si dhe kantautori i mirënjohur, autor i plot seneratave Petrika Agolli.
“Jam e gëzuar dhe njëkohësisht e emocionuar të sjell këtë këngë për dashamirësit e muzikës së lehtë edhe për faktin se këtë herë e interpretoj vetë këngën. “Streha” u dedikohet të gjithë emigrantëve, kthimit të tyre në atdhe dhe pikërisht në atë shtëpi ku kanë lindur dhe janë rritur, në atë strehë të mbushur me kujtime të çmuara e të pavdekshme që na pret krahëhapur në çdo stinë. Kënga gjithashtu është një himn për prindërit e mi si dhe për të gjithë ata që nuk jetojnë më, por që janë përsëri pjesë e së përditshmes, e shpirtit tonë” – tregon Irma Kurti.
Kjo këngë mbledh së bashku krijues me gjeografi të ndryshme që jetojnë jashtë Atdheut, por që kontribuojnë çdo ditë me forcën e artit të tyre në vendet ku ata ndodhen: Kantautori Petrika Agolli jeton prej vitesh në USA, Irma Kurti dhe Aleksandër Kolshi në Itali dhe Arben Hyska në Francë.

STREHA

Muzika: Petrika Agolli
Teksti: Irma Kurti
Këndojnë: Irma Kurti & Petrika Agolli
Regjistruar në studion ARTISTI në Rovereto, Itali
Montazhi: Studio Fokus Art/Arben Hyska