Irma Kurti shpallet në Itali “Poetja më e mirë vitit 2022”


Poetja dhe shkrimtarja shqiptare Irma Kurti vlerësohet me çmimin “Poetja më e mirë e vitit 2022” në Itali. Në diplomë shkruhet: “Juria e jep këtë mirënjohje pas vlerësimit të teksteve, poezive dhe aktiviteteve të zhvilluara gjatë vitit 2022”. Ky vlerësim i jepet nga Shoqata Kulturore “Chimera Arte Contemporanea” në Lecce, e cila ka vlerësuar edhe herë të tjera poeten për cilësinë e krijimeve dhe karakterin ndërkombëtar të veprave të saj.
Shoqata “Chimera Arte Contemporanea” drejtohet nga Anna Maria Gentile, botuese dhe regjizore. E krijuar në1994 për të promovuar artin, artistët dhe letërsinë jo vetëm në Itali, por edhe në nivel ndërkombëtar, ajo përfaqëson një realitet kulturor që ndër vite është forcuar në sektorë të ndryshëm.
Irma Kurti është poete, shkrimtare, autore e teksteve të këngëve, gazetare dhe përkthyese. Ka filluar të shkruajë e të botojë poezi që në moshë të vogël. Në vitin 2013 fitoi çmimin ndërkombëtar “Universum Donna” për letërsinë dhe emërtimin “Ambasadore e Paqes” nga Universum Academy dhe Universiteti i Paqes në Lugano, Zvicër.
Në vitin 2020, për kontributin në fushën e poezisë, nderohet me titullin “Akademike dhe Presidente Nderi” e Enciklopedisë Poetike Italiane. Në vitin 2021 nderohet me çmimin “Liria” nga Komuniteti Arbëreshë në Itali. Në 2022 emërohet Ambasadore për Shqipërinë nga Akademia e Arteve dhe Shkencave Filozofike në Bari. Është anëtare jurie në disa konkurse letrare në Itali, si dhe përkthyese pranë Fondacionit “Ithaca” në Spanjë.
Irma Kurti ka botuar 26 libra në gjuhën shqipe, 19 në italisht dhe10 në anglisht. Ajo ka përkthyer gjithashtu13 libra të autorëve të ndryshëm, si dhe të gjitha veprat e saj në italisht dhe anglisht. Librat e saj, përveçse në Shqipëri, janë botuar edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada, Francë, Itali, Rumani, Turqi, Kosovë, Filipine, Kamerun dhe Indi.

About Post Author