Ishte një burrë
———————–
Gurin e bardhë të shkembit e treste,
E digjte në turrën e druve të beharit,
S’kshte kohë ti jepte as shkëndija eshkës,
Nga çasti në çast vinin shirat e vjeshtës,
Po harkun e furrave si gjysëm hëne,
Me tullat e kuqe vetëm ai e qëndiste,
Deri sa të piqej buka e parë prej misri,
Aty i heshtur ulur mbi një gur do priste.
Nëse çekani dëgjohej atij “Baballëku”,
Dikush kishte ikur në botën pikëllimë,
Kapakët e çeliktë me durim i gdhendte,
Që ujerat e dimrit, mos hynin në thellimë.
Nëse pjatat e dasmave ishin plot mish,
Aty kuptohej hysmeçiu do të ishte ai,
Nuk e dinte se çishte dora dhe torba,
Nuk lyhej me dhjamë tutje në fshehtësi.
Ky ishte Brahimi, që kurrë s’kërkoi gjë,
Muret e nxira i zbardhte në çdo faqe,
Furrat të mbanin dhe dimrit nxehtesi,
Te vdekurit i bënte të preheshin në paqe.
S’di në ç’kohë në ç’stinë iku nëpër natë,
Me cigaren ndezur me gishtat nikotinë,
Me pallton krahëve me kollën e thatë,
Dhe përtej vdekjes thërret ndershmërinë.