Janaq Pani:Ma ktheni bukurinë


Janaq Pani

Apel për pushtetarët

Vendosni, ma ktheni të prindërve token

Të brezave rradhë gjyshit e stërghjyshit,

Ai dhe atyre në gji u mban kockat

Kur ju uzurponjës ishit e nuk ishit.

Sa lehtë e vulosët ju një antiligj

Bëtë të këndellen zuzarë e hajdutë,

Nderin e mbërthyet si Krishtin në kryq

Dhe një pllakë varri mbi krye i vutë.

Veshur Gjipogdani kostumin e blertë

Ujin qelibar e shtrydh Lizikoi,

Brezare ullinjsh nuk u rritën vetë

Mundi i sa brezave kodrat lulëzoi.

Që poshtë Megajthit gjer lart te Gradishta

Dallgëzon si det një pyll me ullishte,

Nuse e stolisur dhe fusha mes brigjesh

Në det bukurie bie po nuk vritesh.

Blerim’ i përjetshëm si t’i lëbyr sytë,

U ngjizën këtu fidan dashuritë,

Ylbere në sy – bukuritë e tua

Po më drithërojnë dhe sot gjer në thua.

Vij në vendin tim e ngjaj si i huaj,

Shkel trojet e mia e mbushem me vaj,

Një qiri do ndez dhe për shpirtin tuaj

Me ju uzurponjës inat nuk do mbaj.

Çdo thërrime dheu nga ky dheu ynë

Është i gjithi yni brezash trashëguar,

Bula gjaku e djerse te rrënjët u rrinë

Kësaj bukurie parajsë ndërtuar.

Kësaj bukurie i hodhët zinxhirë

I hodhët mbi supe një mjegull trishtimi,

Mos ia zini frymën, lereni të lire

Si çel manushaqja do çelë gëzimi.

Është toka jonë, është vetë Muza

Si dallga, gëzimi na gëlon në gji,

Shkuan dy dekada që i plasi buza

Por askujt bujarja nuk i mban mëri.

Kthemani bukurinë, kur të ndërroj jetë

Shkruar do ta lë këtë amanet

Tej në Lekëkonde të më shpien djemtë

Asnjë dhe i huaj mua nuk më tret.

Kthemani bukurinë, ndaleni këtë rrëngë

Të lindë një diell sërish i gëzuar,

Të na mbushet shpirti i gjithi me këngë

Këtë bukuri ta mbajmë në duar.

About Post Author