“Janinë, të rëntë zjarri…


Eduard Demo

Gjatë studimeve të bëra për toponimet e vendbanimeve të vjetra në krahinën e Lumit të Vlorës, nga grykëderdhja e tij e deri në malet e Kuçit, shpesh herë kemi gjetur vjersha, perla të folklorit, të cilat përcjellin nga vitet e shkuara ngjarje të mëdha. Në Vranisht të Lumit të Vlorës, vëmendjen kryesore na e tërhoqi vjersha e Janinës, e krijuar në vitet 1905 – 1911 në prag të luftërave Ballkanike, ku fqinjët tanë, sidomos Greqia dhe Sërbia, planifikonin copëtimin e Shqipërisë. Dhe ja çfarë shkruan poeti popullor, si thirrje për mbrojtjen e vendit, fjalë që mbeten të paharrueshme kur i lexon edhe sot :

“Janinë, të rëntë zjarri
Raftë e të mbuloftë Mali
Të erdh’ te dera junani

Janinë, çerek Stambolli
Dalt’ e të mbuloftë Gjoli
Hapi sytë se të mori.”

Vetëm gjashtë vargje të transmetojnë lehtësishtë, në mënyrë të menjëhershme, një ndjesi gjëme të pakthyeshme në përmasa biblike. Impresionante kur e lexon e mbushesh me një mori ndjenjash dhimbjeje, madhështie, krenarie e atdhedashurie. Kënga të përcjellë njëherazi tiparin më të rëndësishëm të shqiptarëve, patriotizmin, e tregon se asnjëlloj dasie nuk mund t’a mposhti atë. Më qartë se tek kjo këngë ku një krahinë e besimit musliman vajton për një krahinë të besimit ortodoks nuk mund të gjendet. Në librin “Autobiografia e Popullit tim në Vargje” shkrimtari i madh Ismail Kadare shkruan për folklorin tonë: “Është më shumë se Art…Poezinë popullore është vështirë t’a quash thjesht poezi. Eshtë një botë e kompletuar me gjithçka, e përgatitur për një jetesë autonome.”………. Shkruar nga @eduarddemo 

About Post Author