Janko PALI-Feniksi  i Himarë


 

nga Janko PALI

(Vazhdim )

1930, mbasi kontigjenti i pllakave të inçizuara ishte në një numër të vogël që nuk mund të kënaqte kërkesat që bëheshin nga çdo anë, po dhe një sasi e mirë këngësh e krijimesh të reja kishin dalë nga pena e të papërtuarit Neço, ky mendon që do ishte një gjë e mirë të bëhej përsëri një incizim tjetër që do të përmblidhte krijimet e reja që kish vënë në vijë si: këngë patriotike, dialogje komike, thurje humoristike që s’kish dyshim se do pëlqeheshin dhe do ngeleshin në mendje si ato të parat. Për këtë u vu të kërkojë e të gjejë një mecene të ri që do t’i ndihmonte në atë qëllim.

Dhe këtë radhë u gjet një i tillë i cili u afrua të vinte kapitalet e nevojshme po dhe me kusht që prodhimi që do dilte do të ishte në kopetencën e tij për ta shfrytëzuar. Ky, sigurisht, ishte një kusht që vetëm shpirti i një tregtari të pa shpirt e peshkaqen, si kontrabandisti Vasil Papaj, mund të stipulonte në kontratë, mbasi me atë kusht sigurohej ai për kapitalin që investonte, pa marrë fare parasysh mundimin që pala tjetër kishte derdhur duke krijuar këngë dhe numra që do të inçizoheshin dhe që vetëvetiu përbënin të drejtën e autorit dhe meceni s’e njihte asgjëkundi.

Kjo kishte dhe një të metë tjetër që do rëndonte me siguri mbi shitjen e vetë pllakave, se ato do të ishin në dorën e atij afaristi të pa shpirt, i cili do mund t’ua ngrinte vleften sipas qejfit se i kishte në monopol dhe mund të mos përhapeshin në treg me atë lehtësi dhe me çmime të arsyeshme siç ndodhi në kontigjentin e parë që e pati vetë në dorë autori.

Ashpërsia e këtij kushti lakmimtar e bëri Neçon të ngurojë në vënien e firmës në një kontratë të tillë ku i bëhej një grabitje e pa turp mbi mundimin e tij. Po prej natyre bëhet dhe i interesuar që të pasurohej edhe më me këngë dhe krijime Fonoteka Shqiptare, kështu që u bind kur Mecani i premtoi se eventualisht më vonë e kur të arrinte kontigjenti këtu, do të merreshin përsëri vesh dhe atëherë do t’i caktohej gjoja autorit një përqindje e mirë mbi shitjen e pllakave, përqindje që do t’i siguronte njëfarë të ardhure që nuk ishte për t’u përbuzur!

Bindet Neçua dhe firmos kontratën se prej natyre aspak materia¬liste nuk pikëllohet me dredhinë dinake të palës investuese dhe beson pa pikën e dyshimit se punët do shkojnë ashtu siç u thanë dhe nuk vë në pikëpyetje çështjen, a do mbahet fjala apo jo! Prej natyre zemër¬bardhe ky vetë, kujton se kushdo tjetër ka po ato ndjenja dhe i qetësuar ja fillon punës së grumbullimit të grupit që do ta shoqërojë në udhëtimin për Paris.

Këtë radhë edhe grupi është më i madh dhe i zgjedhur dhe repertori më i pasur, më i përpunuar dhe më tërheqës. Përmban këngë profili të ndryshëm, si patriotike, lirike, romantike, si edhe ndonjë dialog komik, satirik apo humoristik. Kështu niset grupi me në krye Neçon për në Paris për të bërë inçizime të reja, përsëri në pllaka të firmes “PATHE”.

Këngët “Ismail Qemali” “Doli hëna drit’ergjënda”, “Vajza e valë¬ve”, “Pabesa”, “Çifti i bukur”, “Bostanxhiu e shërbëtorja”, “Vashëzo, jo moj jo” e të tjera fort interesante, përmblidheshin në planin e inçizimeve të kësaj here, krijime të gjitha që do të linin emër e do të entuziazmonin publikun, do e bënin më të njohur dhe më të dashur autorin dhe do të shtonin në folklorin e popullit shqiptar këngë e numra që nuk do ishin dëgjuar më herë tjetër, qoftë nga teksti qoftë nga melodia apo ndërtimi i avazit. Dhe duhet t’i njihet e t’i mbetet përgjith¬monë Neço Muko Himarjotit (si çdo herë firmoste – J.P.) merita e pa kontestueshme se i dha këngës monotone pothuaj labe me tre a katër zëra të caktuara tradite e rutine, një hov të ri pasurues, i shtoi një zë që “ja pret” dhe që i ëmbëlson melodinë e këngës, i shton asaj muzikalitetin dhe lind kështu një melodi e re, këngë që qysh atëherë vazhdonjnë të pëlqehen nga publiku edhe sot mbi gjysëm shekulli me emërtimin e posaçëm “avaz himarjotçe” !

I pajisur pra grupi me gjithçka që i duhet, shkon ne Paris, i vihet punës, mobilizon, për t’i dhënë kësaj shije dhe ndoshta edhe më auto¬ritet apo shans suksesi, studentët e konservatorit aty, Tefta Tashko, Klio Jorga, Ll. Turtulli, pajton artisten Tula Paleologu që e mëson të kapërcejë pengesat e idiomit e të këndoje disa këngë apo të lozi disa numra në gjuhën Shqipe, që ajo nuk e di. Me të mbaruar programin grupi kthehet në Shqipëri, jo pa i dedikuar, përmes një kënge të posaçme (Valltarja), mirënjohjen e merituar kësaj të fundit, për ndihmën që pati dhënë edhe vitin e parë edhe këtë herë, po edhe për shkathtësinë dhe estetikën e saj manjetizuese, mbasi është dhe e para zonjushë që pati kënduar në pllakat “Pathe”. Të njëjtat ndjenja qëndrojnë edhe për gjithë të tjerët si K. Çakalli, një tenor legero-amator, fort i dëgjuar dhe i admiruar për zërin e tij metalik dhe që merr pjesë pothuajse në të gjitha krijimet e mikut tij të ngushtë, autorit; Ll. Turtulli, tenor, atëherë student i artit të këngës ne Milano të Italisë dhe A Bales* (Andrea Balës, shën. im P.J.P.), këngëtar i shquar për melodine e këngës labe, që së bashku dhe me Pano Kokaveshin, formojnë dy zërat prerës dhe zvarritës a shoqërues të këngës vençe.

Përmendëm më lart zonjushën Tefta Tashko, të cilës autori i atriubon një zë të ëmbël artistik dhe që këndon në tetë këngë të tij si soprano. Kjo është studente në Konservatorin Kombëtar të Monpeli-erit, simbolizon ndoshta “Korçaren e bukur si pupe” të këngës që u inçizua në pllakën Nr. 44022 dhe është objekt i një profecie të goditur e me vend të autorit, i cili e quan “Një yll artistik i ardhëm i Shqipë¬risë”. Dhe vërtetë ashtu doli ajo, u shqua, triumfoi e korri suksese derisa pa kohë u shkëput nga jeta dhe nga qielli i artit shqiptar!

Sa për këngëtaren Kleo Jorga që mori pjesë në inçizimin e pllakave 44015 dhe 44022 si kontralto-amatore duke kënduar bashkë me z. Tefta Tashko “Dashuria e parë” dhe “Korçarja e bukur”, ishte në atë kohë artiste e Teatrit Kombëtar “Odeon” të Parisit.

Z. Mitro Rumbo, bariton-amator, këndoi në shumë pllaka, sidomos në herën e parë kur grupi ish i kufizuar dhe zëri i tij dëgjohet pëlqyeshëm qoftë në këngët vençe, qoftë në krijimet e autorit.

Mbasi kryen pra të gjitha pikat e programit të caktuar dhe përsërit një numër të mirë pllakash me inçizime të reja, grupi me në krye autorin, kthehet në vend dhe në Sarandën e tij gjithë “naze*”… (emërtimi i një kënge. shën. im P.J.P.) e presin miq e admiratorë që dhe e urojnë për suksesin e tij dhe e mirëseardhën.!

Suksesi i inisiativës me të vërtetë qe i madh, emri i autorit u bë më i njohur dhe inçizimet e kësaj radhe do të kënaqnin publikun, qoftë se në numër ishin më të shumta se ato të vitit kaluar, po dhe nga ana tjetër, varieteti dhe tematika e tyre ishte më e zgjedhur po edhe cilësia e të ekzekutuarit ishte më në lartësi, sepse grupi ishte edhe më i plotësuar po ndoshta edhe më cilësor.

Ishte pra e natyrshme që autori, si inisiator dhe drejtues i të gjithë sipërmarrjes, të kish patur avantazhet dhe dobitë e mbarë punës me shpërndarjen e materialit nëpër klientët amatorë dhe shitjen e pllakave.

Po kapitalisti investitor e kish menduar ndryshe dhe, pa arritur ende pakot e pllakave të inçizuara dhe për t’u siguruar ai vetë, larg nga çdo i trete për ç’kish derdhë, shkoi në doganë e protestoi mallin që do vinte për “PIF-PAF”-in, duke e reklamuar si të tijin dhe s’deshi të dëgjonte protestat e ankimet për padrejtësinë që i bënte autorit, i cili në këtë mes nuk pati punuar e munduar veçse për të shndërruar kapitalin e një tregtari kontrabandist me material fitimprurës siç do ishin pllakat e inçizuara po që i kish punuar, menduar e krijuar një tjetër kush e jo ai.

Fjalën që i pati dhënë autorit as deshi ta përmendte dhe, duke përvetësuar mallin e monopolizuar shitjen e pllakave, i grabiti pa turp e pa frikë autorit të drejtën që kishte si krijues, ndonëse pati thënë në marrëveshje e sipër se do ta njihte!

Neços, atij bohemi fisnik dhe aspak materialist, i erdhi sigurisht keq për karakterin me dy faqe të një tregtari të madh e “patriot” të Sarandës, me të cilin kish hyrë në relacion tregtie pa e njohur mirë si biznesmen të pa skrupull e të pa turp, i cili ndërron e shkel fjalën e dhënë si kameleoni lëkurën dhe që në çdo bashkëpunim (dhe me fisin e tij vetë, J.P) vë në lëvizje mashtrimin, dinakërinë, padrejtësinë. Po Neçua nuk bëhet merak shumë për këtë grabitje, i kënaqur se krijimet e tij do përhapeshin në popull dhe fonoteka e këtij do të pasurohej me një sërë këngësh e numra të rinj estrade… dhe kjo i mjaftoi.

Megjithatë, pak më vonë, i shtyrë me tepër nga insistimi i disa shokëve të tij, e thirri palën grabitëse në gjyq për t’i njohur një të drejtë që ia kishte pasë mohuar. Po gjyqet në atë kohë dilnin jo në favor të atyre që ankoheshin se kishin një të drejtë që u shkelej, po në favor të atyre që …. siç ndodhi edhe këtë radhe…

Vasil Papaj kishte kapitale …mandej edhe miq, kështu që kërkesa e ankuesit u rrëzua para hatrit të peshkaqenit grabitqar e kondraban¬dist. Dhe do të binte pa dyshim padija e Neços, një bohemi proletar që kish ngrehur kundër një kondrabanisti pelivan të njohur dhe jashtë vendit tonë si shitës i talentuar opiumi dhe substancash narkotike.

Neçua mban çelur në Sarandën e tij plot “naze” atë dyqanin e vogël prej liliputi dhe merret me tregtim vogëlsinash e aksesorësh për gramofona të markës Frënge “Pathe”, për të cilën kish pasë siguruar qysh vitin e parë përfaqësimin e shitjes për të gjithe territorin shqiptar!

Funksionet e tij prej tregtari me shumë nge, e lejojnë që të jepet vazhdimisht në sportin e pëlqyer prej tij, thurje e krijime të reja, këngë, monologje dhe numra estradash si revista teatrore “Marrëzia e Përgjithshme” apo “Saranda qesh”. Ai s’lë rast feste pa i vënë në skenë për t’u dhënë sadopak diversion banorëve të paktë të Sarandës së asaj kohe, banorët ende gjallë të së cilës i kujtojnë dhe sot me mallengjim shfaqjet teatrore e estradat e viteve 1930-31, të gjitha të krijuara e të montuara vetëm prej Neços dhe grupeve që ai organizonte, ngrinte dhe mbante në efektivitet !

Është ai vetë but-an tren-i i grupeve dhe gjithmonë në lëvizje thur, krijon, organizon, këndon pa pushuar dhe mund të merret si prototip i të riut qejfli, të shkujdesur, jo të rënduar nga probleme të tjera të moshës së tij, menefregist, jo interesaxhi, besnik në miqësi, bujar dhe me karakter nga me pozitivët.

Ndoshta për arsye subjektive Neçua nuk shfaqi asnjëherë konfik¬sione politike të caktuara, po ndjenjat e tij prej demokrati të vendosur i kishte shfaqur qysh kur ishte i ri. Ai ishte bërë anëtar i Organizatës “Bashkim-Përparim” dhe me ato ide vazhdoi dhe nuk ndryshoi më. Kjo mund të dalë edhe nga veprimtaria e tij e mëvonsh¬me kur, dhe në rrethana që për ndonjë tjetër do lejonin përvakjen e ndjenjave që aso kohe nuk i pajtoheshin situatës politike të vendit, ai nuk u mor asnjëherë t’i thurte hymne e lavdi, a dedikime këdhelëse prej dall¬kauku të përvujtur, ndonjë të madhi të kohës a të mburrte të “mbarat” e të “mirat” që regjimi i lig zogollian i pati siguruar popullit shqiptar qysh nga krijimi i zonave (1924) e deri me tradhëtine e tij të ndotur të dezertimit, si tradhëtar por edhe si hajdut (1939).

Vjershëroi, hymnizoi dhe këndoi për vendin, për qytetet, për varfërine, për dashurinë, mburri bukurinë, thuri vargje epike, krijoi ritmin e posaçëm të këngës Labe, pasuroi grupin polifonik me një zë më shumë, shtoi në folklorin këngës krijime të reja dhe shpërndau qejf, dëfrim e kënaqësi gjatë gjithë kohës që veproi si këngëtar, krijues e organizues gazi dhe dëfrimi.

Në pllakën e parë që inçizon, vë “Hymnin e Flamurit” me një anë dhe në anën tjetër i konsakron një këngë të tij, vetë vendit, Shqipë¬risë, i adopton muzikën e një kënge frënge (Valencia) dhe i thote:

Shqipëria ! Vend i bukur, Vend i lumtur

Plot kujtim e plot magji

Shqipëria Je hyjnore, qiellore

Paradis’ i dytë je TI

Shqipëria Me të parë na ke marrë

Shpirt’ e zemra vërtetë

Të dua ! Dhe gjë tjetër s’më pëlqen

Dhe s’dëshiroj në këtë jetë.

Në pllakën 44019, pasi i këndon Tiranës brigje-brigje, jep si refren:

Hajde Tirana, qesh moj qesh

Si jeshe një herë e si je sot !

Paris i Shqipërisë do të jesh

Rroftë Tirana, rroftë, rroftë!

Bën një kënge tjetër të goditur dhe ja dedikon Shkodrës, atij qyteti të bukur dhe me refrenin e saj i numëron të mirat duke i thënë:

Oh ! Shkodër e bukur !

Pamjen tënde magjike, poetike

do ta kujtoj !

Oh ! Shkodër e bukur !

Plot me shpresa, kujtime, dëfrime

që s’i harroj !

Me vajza plot si ujë i ftohtë, që mëndja të qëndron

Me liri e gjallëri, me shik e san fason !

Oh ! Shkodër e bukur! Shijen e djalërisë njeriu atje e kujton !

Në anën tjetër të pllakës 44020, ku është i inçizuar krijimi i tij për Shkodrën, regjistrohet kënga popullore “Llaj-çoban”, e shoqëruar me një muzikë të azhornuar prej tij dhe që në fund të saj i shtohet një vaj tepër patetik e kaq mallëngjenjës sa s’lodhesh së dëgjuari vazhdimisht e shumë herë atë!

Në pllakën 44021 i këndon qytetit të tij të preferuar, Sarandës, gjithë naze, që është e vogël por kanakare nga çdo qytet tjetër i Shqipërisë.

Unë jam Saranda gjithë naze

Edhe me kaq bukuri !

E vogël po kanakare

Nga çdo qytet në Shqipëri !

I këndon varfërisë në pllakën 44013 me këto vargje:

Ti që bën zemrat të kullojnë

Gjak, gjithmonë, o varfëri

Ke dhe të mira që shërojnë

Kur ke dhe nderin për shoqëri!

Për dashurinë e parë thur një këngë që e këndojnë të dy artistet, Jorga dhe Tashko dhe e incizon në pllaken 44015, në formë tangoje –sentimentale:

Të gjitha vënë e vijnë

Të gjitha i harrojmë

Po dashurinë e parë

Gjithmonë e kujtojmë.

Me letra t’ arta shkruhet

Sa rron njeriu e ndjen

Dhe si një natë e ndritur

Në mëndjen tonë shkëlqen !

Ref:

Ah ! Dashuria kur është e parë

Nga mendja s’të del kurrë

Nuk e harron !

Në shpirt rrënjoset si fara në arë.

Në zemër thellë jehon !

Siç përmendëm edhe më lart, Neçua i pati dedikuar sopranos amatore Tefta Paleologu këngën e tij “Valltarja”, si kujtim dhe mirënjohje nga ana e autorit për kontributin e vyer që ajo i pati dhënë atij në të dy herët që ai u mor me inçizimet. I përshtatet asaj për shkathtësinë që tregon në rolet e saj si valltare, apo si këngëtare, apo si recituese dhe fjalët e këngës janë:

Valltarja: Valltarja e famshme unë jam

E njohur anë e mbanë

Dhe në sallone të mëdha

Trondit e tund dynjanë.

Kori :

Si një princeshë me të vërtetë

Dukesh kur hedh tangonë !

Të gjithë zilia jote i tret

Rroftë valltarja, thonë !….

Zëri i ëmbël i valltares, shkathtësia dhe çapkënllëku që ajo përdor në të kënduarit, po sidomos në të kërcyerit, e bëjnë atë shumë tërheqëse dhe kënga e saj për një “vajzë sarandite”, inçizuar në një anë të pllakës 44008 me titullin “Saranditja”, ka lënë e do të lërë nam, se me kënaqësi të madhe do t’i përseritet refreni që ka dalë kaq rrëmbenjës dhe entusiazt ! Me këto fjalë këtu poshtë:

Ref: Moj sarandite

Ah ! Ç’më trondite

Kur shkon e tunde, tunde, tunde

Trup e afe si sorkadhe ( afe…??)

Moj kanakare, moj lajkatare

Ah ! Ç’na ke ndezur brenda

Një merak të madh !

Ole ! Ole ! Ole ! Ole

Nga jeshe, nga na dole ! (bis)

Ana tjetër e pllakës përmban këngën popullore “Vajza e malit” që e këndojnë në mënyrë të shquar K. Çakalli, Dh. Rumbo dhe autori me avazin e saj të posaçëm dhe me fjalët orgjinale Bukolike-Lirike të goditura:

Ç’erdhi prilli u shkri bora

maleve

Mbani vesh bie këmbora

majave !

…Është karakteristike se edhe në këtë këngë si pothuajse në shumicën e krijimeve të Neços, fillohet me një ritëm gazmor, me përshkrimin e bukurive të natyrës dhe gjallërimin e jetës, po më në fund të saj, vrarë nga marazi i ndarjes, e lë vetveten të bjerë kur vajza bën zë duke thënë:

O dynja, dynja e bukur

Të lë shpejt

Dhe ti djalë qofsh i lumtur

Me shëndet

Lamtumir’ për jetë !

Dhe nuk është i vetëm ky rast kur në këngët, sidomos ato që pati krijuar Neçua, të shohim fillime të mbara dhe plot entren për zbavitje dhe dëfrim dhe mbarimet të dalin të rënduara prej një lloj pesimizmi a melankolie me të cilat ndoshta, pa dashur, pati shkarë pena e tij!

Kishte tendenca të krijojë krijime sentimentale dhe nuk duhet të habitemi në qoftë se inçizimet e tij figurojnë në 13 prodhime me muzi¬kë “Tangoje”, ngaqë dihet që muzika e tangove është më tepër e avashtë, prekëse dhe u drejtohet ndjenjave me një sentimentalizëm që dominon mbi tërë prodhimin. Po dhe në një numër këngësh popullore si “Vajza e malit”, “Vajz’ e valëve”, “Pabesa”, “Llaj çoban”, “Dolli hëna”, “Jo moj jo” dhe në ndonjë tjetër si “Mbeçë more shokë mbeçë” etj., etj., senti¬mentalizma induktive e vetë autorit depërton në to dhe diku-diku afron një lloj fatalizmi që s’dihet nga do t’i ketë depërtuar në shpirt të ziut Neço, asokohe në lulen e moshës dhe në kapacitet të plotë krijimtarie!

Mos vallë dekurajimi dhe pengesat që e mbytën në kohën e shtegëtimit patën lënë mbresa në shpirtin e tij të ndjeshëm prej të riu ëndërrimtar e më tepër melankolik, të mendueshëm më tepër se sa Proliks?

Sidoqoftë, një nga këngët e tij i dedikohet “Korçares së bukur” në një faqe të pllakës 44022 që këndohet në duet nga dy artiste që kemi përmendur më lart dhe që refreni i saj dhe dy strofat e ngashërojne dëgjuesin në një mënyrë që nuk harrohet më !

….Në mes të natës në qetësi

Nën ballkonin shkojmë

Biem qithares me ëmbëlsi

Rrimë dhe këndojmë !

Ref:

Ah, moj korçare e bukur si pupe

Me shik, me naze shumë si nuse e re

Kur shkon nganjëher’ vetëm në bulvar

Në zemrën tonë ndizet flakë e zjarr !

Ana tjetër po e asaj pllake (44022) përmban të inçizuar një dialog midis “Meraklliut” dhe “Meraklleshës”, me këngëtim e muzikë të aranzhuar prej autorit vetë, ku dallohet një dozë e fortë humori dhe satire për rolet hipotetike që dëshiron sekush nga partnerët të kishte, vetëm e vetëm për të bërë të lumtur palën tjetër dhe përgjegjet po me ato ndjenja të palës tjetër, për të kënaqur partnerin e parë.

Dhe thonë:

Moj meraklleshë të isha unë

I zot i gjithë botës…

Do të jipja për çiflik

Të katërtën e botës

Merakllesha:

Ç’e dua unë pasurinë

Kur shpirti im kënaqet

Uroj për Perëndinë

Kur dredh dhe një herë mustaqet !

Po në këtë atmosferë është dhe melodia orientale (amane) në tekst shqip, e adaptuar nga Neçua duke kurdisur këngën “Stambollitja” që është e inçizuar në pllakën 44013, në të cilën kori i gjegjet stambollites, kur ajo me një të kënduar zvarritës shfaq dëshirat e saj jo për gjëra të mëdha, po vetëm për fjalë dashurie e lodra, këngë e valle kështu:

Stambollite, stambollite

Ti je për sevda

Stambollite, stambollite

Aferim sana !

Një dialog tjetër, fort i thurur mirë, me frymë satirike dhe me një komicitet që s’të lë indiferent kur dëgjon automburrjet e burrit a të gruas dhe satirizimin e tyre aty për aty nga partneri tjetër, është inçizuar në pllaken nr. 44030 dhe tregon në një farë mënyre dhe gradën e një kulture të mirë të autorit, kulturë që i pati lejuar të shëtisë fantazia e tij në horizonte të kohëve dhe epokave të ndryshme:

Gruaja: Kam një burrë, pa shikoni

I bukur si Apolloni.

Burri : Gruaja ime i ngjan Xhikondës

Është për muzenë e Londrës!

Gruaja (vetes) Ja ! Tuk është miss Evropa

Burri (për të) Bukuria vetë si lopa!

Gruaja : Vlefta ime në Parisë do çmohet

Burri: (për të) Çmim’ i limonave do shtohet …

Vlen të përmendet edhe një dialog tjetër, por këtë radhë në prozë, që u incizua në pllakën 44034 dhe që mban për titull “Bostanxhiu dhe Shërbëtorja”. Në këtë lozin dy të rinj në moshën e dashurisë dhe, pas një shkëmbimi të pak fjalëve, pajtohen dhe thurin ëndërra për jetën e tyre të ardhme së bashku, gjatë së cilës premtojnë se do i japin njëri-tjetrit çdo të mirë që posedojnë, ai si tregëtar perimesh e frutash dhe ajo si vajzë e re plot shije e dashuri.

Përmenden në këtë dialog edhe mjalti i Kaninës, edhe Perandori Napoleon, Ademi i Paradisit edhe Eva, (Havaja), femra e parë në Botë si dhe stër-stërmbesa e saj, Jozefina, Perandoresha e parë e francezëve, zihen në gojë me godi imame, priftëresha, mollë të Stambollit etj..etj., të gjitha për të zbukuruar dhe pasuruar dialogun në fjalë!

Kënga popullore, karakteristike për muzikën që e shoqëron dhe për avazin e saj veçanërisht romantik, titullohet “Dolli hëna dritë¬ergjenda” dhe inçizohet në pllakën me nr. 44036.

Kjo është këngë fort sentimentale dhe hymnizon dashurinë ro¬mantike në dritë të hënës. Është një thirrje që i bëhet vajzës së re të përfitojë kohës së mirë se…

Rrefren: Dolli hëna, hëna dritëergjënda

Del, moj Dritë, del e mos rri brenda

Del dhe ti ndriço, del dhe ti gëzo

Kujto ato netë të ëmbla !

Dije që do shkojë djalëria

S’ka qëndrim në Bot’ as lumturia !

Eja ! Mos vono ! Eja, mos mejto,

Vdes e shuhet shpejt, o dashuria !

I prekur në kulm nga bukuria e natës nën dritën e hënës, bën i riu dhe një thirrje tek vazhëza që siç duket rri e ndrydhur brenda dhe s’ka mend të dalë natën për të bërë dashuri, e penguar ndoshta prej një ndjenje turpi për atë kohë po dhe prej një modestie fallso të kohës sonë dhe i thotë:

Oh, se ç’natë ! Hëna drit’ergjenda

Ndriçon edhe shkëlqen!

Si duron e si rri atje brenda

Asnjë merak s’të zën?

Del ! Të të dëgjoj njëherë zënë

Del ! Mos me leqendis !

Të këndojmë bashkë nën hënë

Këngët e dashurisë…!

Po kënga, të cilën që në fillim e deri në mbarim e përshkon një ndjenjë fort e brengosur dhe ku dekurajimi shpirtëror i çastit apo endemiku i kohëve të para e shtyn Neçon të shkruajë e të radhitë vargje të trishtuara të një gjëndjeje të vajtueshme, është padyshim kënga me titullin “Vajza e Valëve”, e inçizuar në pllakën nr. 44033.

Në këtë krijim bëhet fjalë për një jetime të pa njeri, të cilës iu largua i vetmi që donte, merr kurbetin, vdes aty dhe e lë vajzën kërcu mbi dhé. Kur e shikon në ëndërr, ai e porositë që të martohet. Po vajza në një gjëndje të pashpresë ankohet për fatin e tyre që ashtu qe, dhe e siguron se së shpejti do vejë edhe ajo ta gjejë atje, se në Botë s’ka gjë të vërtetë dhe, mbasi i lë lamtumirën jetës së rreme, hidhet e mbytet në dallgën e detit!

Vajza e Valeve, zemra s’ja mban

Mbi një gur nd’anë të detit, qan e zeza qan !

Pret atë që pret, e një dhimbje ndjen

Gjithë bota venë e vijnë, por ai nuk vjen !

…Një jetime jam, pa nën’ e baba

Një që kisha një që doja, iku e më la !

Erdhi dimër’ i keq, një mengjes të zi

Ç’u nxi qielli e deti, gjëmon e bie shi !

O i dashur djal,’ shkove dhe më le

S’pate faj as ti as unë, ashtu qe për ne !

Ne u ndam’ këtu, qielli atje lart

Do të na bashkojë, o djalë, prit se vij për pak !

Haj, dynja dynja ! S’ke gjë të vërtetë

Lamtumir’ o jetë e rreme, merrëm, o val, o det !!

Siç shihet, nuk ka varg në këtë këngë që të mos depërtojë në të ndjenja e dëshpërimit dhe e hidhërimit për jetën kaq fatkeqe të jetimes së pa fat dhe kështu, vetë kënga në tërësi, kur këndohet nga grupi polifonik i Çakallit, Balës, Kokaveshit dhe autorit, del tepër mallëngjyese dhe patetike. Duket se gjatë këndimit për inçizimin e kësaj kënge, i ziu Neço pati vënë gjithë shpirtin e tij të ngashëruar nga mallëngjimi që del prej brendisë së tekstit dhe zëri i tij, që jep tonin e këngës duke ja “kthyer”, është aq i dallueshëm sa nuk arrin të mbulohet as prej kompleksit të zërave të tre të tjerëve !

Po dhe në vjershën “Pabesia”, si këngë popullore me avaz të posaçëm, që incizohet në pllakën nr. 44032 dhe që këndohet prej grupit polifonik, tashmë të njohur, fillohet me vargje në të cilat qysh në fillim radhitet me fjalë të vëna në vend, pamja e trishtueshme e natyrës për t’u pajtuar me gjëndjen shpirtërore të një të riu që një e pabesë e ka tradhtuar !

Dhe fillon kështu :

Qielli i zi, nata çu nxi

O nat’ e ligë, o nat’ e keqe! Bie shi !

Nata vazhdon, deti gjëmon

Jeta qetësohet, zë s’dëgjohet, është vonë !

Jashtë s’ka njeri, në vetmi rri

Jam unë që pres, që të thërres, që qaj për TY

Në shkretëtirë, në errësirë !

Se ç’zemër ke, këtu më le jashtë, pa mëshirë !

…Fryn e gjëmon, po ti s’dëgjon

Do vijë një ditë që do qash…po do të jetë von’ !

Një sektor me rëndësi në krijimet e Neços dhe që ka korrur një sukses në të vërtetë spontan dhe entuziast me anë të pllakave të inçizuara, ka qënë ai i këngëve popullore.

Janë këto të ndryshme nga brendia si patriotike, lirike, dasmore, historike, komike, satirike dhe, në avazet që këto këndohen, ka dhe ritmin tradicional labçe, po ka dhe variantin që vetë Neçua u shtoi dhe një sasi e mirë e tyre këndohen mbas një avazi të improvizuar nga vetë autori për tekstet që ai vetë thuri !

Kjo shihet në këngët “Syzeza” (pllaka nr.44004), ose në këngën “Borziloku” (pllaka nr. 44015)! Këngë tepër e shtruar, melodioze, po dhe me një tekst fort mirë të goditur është dhe ajo që këndohet nga autori, Çakalli dhe Rumbua dhe që titullohet “O Katina nina-nina”, të cilën Neçua e pati thurë në Sarandë, d.m.th në moshën kur syri nxit zemrën që të ndjejë dhe kjo mbush trurin me dëshira dhe epshe dhe e bën gojën të thurë fjalë e shprehje që i quajmë dashuri ndaj asaj që pa syri dhe bëri zemrën të gufojë dashurisë!

Gjithashtu këngët “Lule je lule të thonë” (44003), “Jo moj Jo” (44028) “Naze naze puna jote” (44010), të pajisura me muzikë apo jo, ngrihen peshë për avazin e tyre karakteristik Labçe, po pak të diferencuar për hir të vargut refren që shoqëroi çdo vijë strofe.

Kënga Patriotike e “Ismail Qemalit” (44021), e ngritur për të përkujtuar ngritjen e Flamurit në Vlorë dhe shpalljen e vetëqeverisjes së vendit tonë, si dhe kënga historike “Nëndëqind e dhjetë viti” (44029), që u krijua për të përkujtuar një rast shtrëngese që përdori Turqia, ndërmjet shumë të tjerëve, me qëllim që të pranonte krahina e Himarës prishjen e venomeve që gëzonte qysh nga shekulli i gjashtëmbëdhjetë, janë dy krijime që kanë zënë vend të mirë në folklorin e popullit tonë dhe do këndohen vazhdimisht se kujtojnë dy ngjarje me rëndësi me sa i përket historisë së vendit në tërësi po edhe krahinës sonë në veçanti!

Sa për këngët e tjera popullore që pasurojnë repertorin e inçizi¬meve të realizuar nga autori ynë, si: “Këngë darsmore” (44018), “Kon¬dispolitja” (44018), “Mbeçë more shokë mbeçë” (44019), “Llaj çoban” (44020) “Derepolitisia” (44023), “Lule Manushaqe” (44025), “Minush Aga” (44030), apo “Çerçiz Topulli” (44031), nuk janë puni¬me të drejt¬përdrejta të autorit tonë, po janë pjesë nga gurra e pashterr¬shme folkloristike e popullit tonë dhe atje i mori ai, i shtoi ndonjërës muzikë të azharnuar apo jo, i këndoi në grupin e tij të zgjedhur para manje¬tofonit të një Enti të famshëm inçizues në zemër të Evropës, u dha atyre jetë të re dhe freski, i bëri që të kërkohen me shumë kënaqësi.

Figuron në repertorin e incizimeve kënga “Daveli” (44016).

Fjalët e kësaj janë krijim i vetë i Neços, që pati ditur e përshtatur si tekst në muzikën origjinale të një kënge të vjetër po me atë titull që flet për kryehajdutin Davel. Ky, në shoqërim dhe me Kakarapin e Funduqin, bëri të flitet për të aty nga mesi i shekullit të kaluar, si një trim i pa shoq, guximtar deri në çmenduri dhe që kish shkuar nëpër mëndje të rrëmbente vetë birin e mbretit si rob, me qëllim që të shtrëngonte qeverinë e vendit (Greqinë) t’i akordojë atij dhe shokëve të tij një amnisti të përgjithshme, ose t’i lejojë të dalin pa pengesë jashtë shtetit. Ai u vra tradhëtisht dhe çeta e tij u asgjesua në vendin Zemene të Atikës, po populli i pati thurë këngë të shumta dhe të ndryshme që i këndon me një melodie të posaçme (kleftike).

Po atë origjinë ka edhe muzika e këngës “Kthimi në nisi”, teksti i të cilës u thur nga vetë Neçua, i ndodhur në Pire, u këndua prej tij, Çakallit, Tullës dhe Tashkos duke u inçizuar në pllakën Nr. 44031.

Kemi përmendur në faqet e para të kësaj Monografie se në vitin 1923 Neçua, i ndodhur në Pire, pati përpiluar një numër estrade “Ta Pam¬faliria” në këngë, skeçe, monologje etj…, që nuk mundi t’i ngrinte në skenë. Atë material ose pjesë të tij, po edhe të shtuar në krijime të reja e të pasuruar me frymëzime e vjershërime të kohës, autori ynë e sendërgjoi disa vjet më vonë dhe e interpretoi si një reviste teatrore me titull “Orea Forea” dhe “Marrëzi e Përgjithshme” si numra estrade që u luajtën në qytetin e Sarandës në vitin 1929-1930 a më tutje!

Nga ai material pati incizuar në pllaka “Pathe” monologun “Z Mersin (44003), “Uzo raki amane” (44004), “Mitrushi” (44007), “Marsh i karnavalit, Sarandës” (44009), Automobili-Pasaxhe-rat”(44010), “Këngë dasmore” (44014), “Tetari, kapteri…” (44017), “Mitrushi ushtar” (44027), “Mitrushi gjellëbërës” (44028), “Ushtarët, infermjerja” (44029), “Arisokrati-Popullori” (44032), “Mitrushi në Paris” (44034), dhe në të gjitha dallohet një farë humori e pyetje – përgjigjeje shumë spirituese, shakatare dhe që të sjellin gëzim.

Fort i pëlqyeshëm ka dalë dialogu “Aristokrati-Popullori” në të cilën secili prej këtyre personazheve mburr veten për jetën që bën në veçanti nëpër qendra e ambiente të ndryshme simbas gjëndjes vetjake, dhe pëlqehen fort përshkrimet diametralisht të kundërta që bën secili për veten e vet.

Arist.

…Si të mëdhenjtë në Muzikë Holl

Që venë, prehen, çlodhen

Vete dhe unë e degjoj…

Verd, Shubert, Bethoven

Popull.

Neve nuk betohemi…me do, re, mi, fa, sole

Po marrim ndonjë Labiko – Selam Labi, o lule !

Arist.

Ne dansing si një xhentelmen,

Natë për natë ndodhem

Me Madmazella, komilfo-

Kërcej e nuk lodhem !

Popull. Un’ sazexhinjve jap dy lek,

Rrapos edhe Idrizit

Dhe ia marrim me qejf,

Bimbashit e Çerçizit !

Dukej se ishte thënë që Neçua, i cili i pati kënduar pa rreshtur dhe zëri i tij që dallohej i fortë e i pamundur nga polifonia e të tjerëve, sado që këta të ishin, në çdo pllakë ose jashtë këtyre, dukej, pra se ishte thënë që Neçoja nuk do ndjente lodhje të tepruar dhe zëri i tij s’do linte rast pa ju përgjigjur kërkesave që ky i bënte pa pushim…

Por aty nga viti 1932 sikur diçka ndien në grykë dhe zëri i ngjirret dhe nuk arrin të gjejë melhemin që ta shëronte. I alarmuar për atë ngjirje që nuk i pëlqen ose më mirë e shqetëson, shikohet, konsulton mjekësinë, po e keqja, ndoshta e lehtë në fillim, nuk vonoi të rritet edhe më. E ndjen i ziu Neço t’i griset zëri dhe t’i çirren kordat vokale dhe dëshpërimi i tij ishte i pa ngushullueshëm.

Ai, që me atë zë pati kënduar aq shumë dhe me atë pati vënë në jetë frymëzimet e krijimet e tij për vite me radhë, goditet tani pikërisht në organin që ai ka më të çmuar e që i mbyll përgjithmonë çdo inisiativë, a krijim, a zbatimi, sepse një faringjit turbekular ja asgjëson çdo mundësi veprimi.

Meraku dhe dëshpërimi i humbjes së zërit e bjerr shumë dhe fare shpejt arrin i mjeri të ndjejë se është goditur rëndë dhe pak janë shpresat për t’i bërë ballë efektshëm sëmundjes së tmerrshme që e mposhti e do ta zhdukte në moshë të re dhe në kohën që e ndjente se do të jepte akoma më shumë, sikur t’i gjendej shërimi!

Për fat të keq të tij dhe për hidhërimin e pa masë të të gjithë atyre që e njohën dhe e deshën, i mjeri Neço nuk rezistoi dot dhe më datën 12 të dhjetorit 1934 ndërroi jetë avash-avash në shtëpi të prindërve të tij në Himarë, në vendlindjen e tij, i pa martuar.

Mundemi të themi vallë se ai lloj pesimizmi, a dëshpërimi për fatin jo të mirë të tij, ajo ndjenjë dekurajimi në subkoshiencën e tij që depërton në shumicën e krijimeve të tij, e për të cilën ankohet ai me anë të “Vajzës së Valëve”, mos ka qënë veçse një parandjenjë e hidhur e fatit të keq që do ta godiste?!

Janko Ll Pali,

Qeparo, Prill 1976.

Në përkujtim të shokut e mikut të mirë1

About Post Author