Janko Pali-“mësues i merituar”-Nga Petraq Pali


Nga Petraq Pali
JANKO LL. PALI
“MËSUES I MERITUAR”
1897-1994
Natyrisht të shkruash në pak radhë për një njeri, që jetoi afro një shekull, nuk e ke të lehtë, e aq më tepër kur ky burrë është edhe babai im, edhe mësuesi im i parë. Jo vetëm kaq. Ai ishte me një botë e kulturë të madhe, një europian i vërtetë dhe unë jetova e mësova prej tij, po pa e njohur dimensonin e kësaj madhësie ashtu si duhet.
Pamja e tij, veshja e tij, shtatlartësia e tij, rregullsia e tij, e bënin për tërë jetën të qe një burrë sa i kompletuar aq edhe fisnik. Burrë kollos në sjellje dhe në paraqitje, i bukur, me sy blu, i qeshur dhe serjoz!
Prezenca e tij të impononte respekt. Atë e donin të gjithë pa përjashtim, i madh e i vogël. Ai ishte etaloni i të mires. Ai ishte futur në zemër të qeparotasve dhe krahinës së Himarës, jo vetëm pse jetoi gjatë, por fjala e tij brilante, e meçur, e urtë, domethënëse, shpresëdhënëse, e matur, e zgjuar, hodhi rrënjë të thella tek kultura dhe sjellja e qeparotasve. Ai dha dritë e ndriçim terë jetën. Ai kishte vlera që ruhen në kujtesë të kujtdo që e njohu, e jetoi në kohën e tij.
Duke shkruar këto radhë druhem se mos, si bir i tij e teproj me elozhe e me komplimenta, të tepërta, për të cilat qeparotasi jo vetëm do më qeshë, por do më përbuzë. Por në figurën e mësuesit e të babait tim, asnjë qeparotas nuk shikon asnjë teprim a llustrim! Ai qe dhe do ngelet i të tërëve dhe i madh.!
Ai vdiq, por edhe momenti i vdekjes tregoi se ç’vend kish¬te zënë emri e fuqia e tij në mëndjen e njerëzve. Ruajmë letrat e telegramet që na erdhën, kur ai u largua përgjithmonë, mesa¬zhet e panumurta, pa folur për telefonatat pambarim nga shumë shtete të botës, se fatkeqësisht vdiq kur ish nxënësit e tij, fshati i tërë, e krahina kishin mërguar përtej detesh, për një jetë më të mirë. Vdiq sapo u çelën e u shqyen kufijtë shteterorë.
Kjo ndodhi pikërisht më 12 shator 1994 dhe për ne, fëmijët e të afërmit e tij, ai vërshim mgushëllimesh e mesazhesh të sinqerta, jo vetëm na lehtësuan dhimbjen, por na e bënë më të qartë nderi¬min e respektin që gëzonte ati ynë në zemrat e njerëzve. Edhe ne vetë e ridimensionuam më mirë fuqinë dhe veprën e tij, prej njeriu e krijuesi poliedrik të pashtershëm dhe shumë dimensional. Nuk e teproj të them kështu, për vetë karrjerën dhe gjurmët që la në krahinë dhe më gjërë.!
Unë jam përpjekur këto vite të ekspozoj pak a shumë me mu¬ndësitë e mia, një pjesë të krijimtarisë tij me kujdes dhe me maturi, ku jo vetëm janë të shumta por janë thesare, të një cilësie tepër rigoroze, të kontrolluara e metrike, gramatikore, drejtëshkri¬more etj. Ai nuk ia lejonte vetes që dikush më mbrapa të hiqte nga shë-nimet, letrat, krijimet e tij, qoftë edhe ndonjë presje, kështu ndodhte dhe me përkthimet që bënte. Një fjalë mund ta krahasonte e ballafaqonte edhe në disa gjuhë, duke shfletuar dhjetra fjalorë, enciklopedi derisa t’i gjente përshtatjen në shqip, ose anasjelltas.
Ai nuk kish kufij kohorë kur shkruante e punonte. Për dekada raciononte kohën dhe asnjë minutë nuk ikte pa produkt, derisa vdiq. Asnjë qeparotas, dhe kur ishte shumë i plakur, nuk e pa me tespije në dorë, por veç me laps e me letër, me libër në duar. Nëpër çanta, në xhepa xhaketash e kudo mbante fjalorë të vegjël. Është ky një realitet që s’duhet mohuar dhe Qeparotasi në çdo kohë e dëshmon këtë realitet.
Këto që them nuk janë as shtrembërime, as fryrje. Këtë e provon gjithë njerëzia që e kanë njohur dhe janë gjallë, por e vërteton edhe krijimtaria e tij e larmishme dhe e madhe që na ka lënë nëpër duar ne fëmijëve, nipave e mbesave të tij, fshatit, krahinës dhe Shqipërisë.!
Megjithatë unë desha ta njoh lexuesin, si bir i tij, t’i ekspozoj këtë punë që ka tematikë e diapazone madhore në kohë dhe në vlerë.
Ai doli në pension si arsimtar në vitin 1964, kur ishte 67 vjeç d.m.th., 12 vjet më vonë se sa dilte një mësues i zakonshëm (55 vjeç). Ky privilegj ju bë me vendim të posaçëm nga Drejtoria Arsimore e Seksioni i Arsimit të rrethit Vlorë. Të themi se kishin nevojë për mësues nuk qëndron, se po atë vit e vitet më pas, dolën në pension dhjetra arsimtarë nga krahina dhe rrethi ynë, gjithashtu nga Pedagogjiket dhe Institutet e vendit dilnin çdo vit mësues të përgatitur.
Në një seminar të mbajtur në rreth për arsimin, me të dërguar të ministrisë përkatëse, im atë mbajti një kumtesë e cila u vlerësua, dhe shumë mësues, thoshnin që “ne kemi nevojë të rrimë akoma në mësimdhënie”, merrnin si shembull këtë njeri që po e mbanin gjatë… në arsim. Ai ishte i nevojshëm nga kultura e përvoja e madhe që mbarte, nga gjuha e tij, komunikimi i veçantë me nxënësit dhe me njerëzit. Kur doli në pension, mbas 37 vjet mësimdhënie, thotë: “Tani nuk e kuptoj dot jetën pa zhurmën e tyre…, (nxënësve)”.
Pedagogjia e tij kishte veçanti. Ai qe pajisur me kulturë dhe edukatë evropiane dhe të gjithë e shikonin si rrallësi, qoftë sjelljen, qoftë etiketën, brenda dhe jashtë mesimdhënies. Ai qe një metodist model, aq sa i ëmbël, aq edhe i rreptë në detyrë. Çdo kush nga nxënësit e tij kujton edhe mandolinën ..por edhe shufrën* (…ashtu ishte ajo kohë)!
Ky njeri, nuk ndenji duarkryq. Jeta ecën dhe ai e ngjeshi jetën me program të sforcuar të linte sot emrin dhe veprën e tij, e cila çmohet dhe respektohet nga një krahinë dhe më gjërë.
Nuk është e lehtë të shkruash jetën e tij. Ajo është shprehur në vargje, me mijëra, dhe në prozë në dy volume madho¬re “Re¬minishenca 1-2”, ku kronologjikisht ka për çdo vit (1917-1937, dhe 1937-1990), të gjitha ngjarjet dhe ecurinë e jetës së tij, në situatat e rënda të vetë jetës që preferoi. Ai la me bindje të plotë, por jo pa dhimbje, të shumë¬dritshin Paris për Qeparonë me çirak e fener. Ai ndërgjegjësisht erdhi për t’i dhënë ndriçim vendit të tij e njerëzve të tij, me dëshirë, pa u kursyer tërë jetën, derisa me reformat kulturore, artistike, kontribuoi në civilizimin dhe zhdukjen e injorancës që kishte vendi i ynë gjatë atyre viteve. Ai me zemër të pastër luftoi që ky ndriçim të flakërijë në breza!
Një ditë pune e tij:
Për çdo ditë, në vite e dekada çohej shumë shpejt. Nga ora 5,30 e mengjesit, në çdo kohë, në çdo mot, cingor, ftohtë, shi, dëbo¬rë, kudo ku ishte, në fshat, në hotel, në Vlorë tek ne fëmijët e tij (ne banonim dy në Vlorë, njeri në Elbasan dhe një në fshat), do ishte para çezmës, mosllukut, llastikut, kanaçes dhe lante kokën me ujë të ftohtë me shkumë nga mesi e lart përdite. Asnjë ditë nuk harronte pa larë mirë e fort dhëmbët, në mëngjes dhe në mbrëmje. Kur qe periudha e portokalleve a limonave çdo ditë në mëngjes pinte një gotë me lëngun e tyre, para se të bënte xhiron e mën¬gjesit… Ndërrohej çdo ditë me ndërresa të lara, të hekurosura e të pastra, qysh nga çorapet e në vazhdim: këmishë, kostum, kolla¬ron. Këto veprime i bënte me shumë kujdes edhe shpejt si ushtarak, dhe gjithmonë mbahej e vishej më bukur se e djeshmja. Nuk e duronte dot hallakatjen ose kotjen gjë që e shprehte shpesh edhe me ne, për dembelizmin tonë në të veshur ose në veprime. Dilte nga shtëpia nga ora 6.15 dhe përshkonte një rrugë të gjatë gati 5 km, gjer në kufi me Borshin karshi detit, në ajër të pastër të përzier mal, edhe det, në “Kundruall”. Atje quhet edhe vendi “Potoni i mësuesit” një tip shpelle e vogël që të mos e zinte era, e rregulluar më së miri nga dora e tij që ruhet edhe sot dhe asnjë nuk i ka hequr ndonjë gur, se…ishte vendi i shenjtë, i mijërave orëve të mësuesit që lexonte në atë mrekulli panora¬meske. Ai qe bir i vendit më të mrekullueshëm të botës, Qeparoit, dhe e shijonte aq shumë.
Kur kishte mësim, në orën tetë pa çerek ishte në shkollë. Për këtë kthehej nga shëtitja, ndërronte kanatjere e ndërresa, rregullohej, pinte kafen e mëngjesit dhe në orën e caktuar shkolla që e rreshtuar. Klasat e mësuesit ishin gati t’i para¬qisnin këtij njeriu, rregullsinë që kishte kultivuar dhe mbjellur me punën dhe sakrificat e tij ndër vite.
Kush nga mijëra nxënës nuk kujton rreshtimin ushtarak të klasave të 7-vjeçares së Qeparoit! Mëngjeset le të ishin të ftohta me shi a dëborë, ose vapë, gjithmonë bëhej përshëndetja nga ko¬mandanti i çetës dhe çdo mësues, mbasi paraqitej në drejtori ku merrte regjistrin, shpërndahej nëpër klasa, fillonte mësimdhënia dhe asnjë zhurmë nuk ndihej rreth oborrit të gjelbëruar të asaj shkolle model, rregulluar e mirëmbajtur me sakrificat e mësuesve. Disiplina atje ishte si shkollë ushtarake. Me fondet e tyre u krijuan ambjente fiskulturore e sportive që as shkollat e qytetit nuk i kishin në atë kohë. Zilja në oraret fikse ishte dhe orë për fshatarët, që s’e kishin një të tillë në shtëpitë e tyre. Nënat tona e dinin kur qe ora e parë, e dytë e tretë dhe cilës orë të ditës i përkiste. Ajo shkollë qe busull për lindjen e të resë.
Nga puna model e këtij njeriu, nga korrespodenca e shkollës, praktika, nga AMZA e çdo viti, e shkrojtur si dokument historik u krijua ai fond themeltar që u shërbeu më pas njerëzve ish nxënës, se nëpërmjet saj fitonin pensione dhe dëshmonin moshën, etj. Kjo, është një histori më vete të cilën ai vetë e ka shkruar me detaje. Çdo vit në përfundimin dhe fillimin e vitit shkollor bënte fotografi sipas klasave, me një aparat fotografik në formë kubi dhe një dhomë të errët me ekran si fizarmonike, sjellë nga Franca me 1928, vit ku filloi edhe mësuesinë në fshat. Para atij aparati pozuan me mijëra fëmijë nëpër breza, poza të cilat ruhen edhe sot nga nxënësit dhe nga ne, brez pas brezi e klasë mbas klase. Çmoje rregullsinë ishte një nga divizat e tij…
Me këtë rregull vazhdonte mësimi, bile edhe koha e lirë! Dhe për çudi, me vite asnjë fëmijë nuk endej rrugëve të fshatit, se kishte pasoja, me shumë lloj pedagogjish… të fjalës por edhe të “purtekës”. Po të zhveshen në rrugë fëmijët do çohe¬shin në mësim në çdo lëndë…! Kështu edhe frikë, por edhe të mos humbnin kohën e studimit kot. Asnjë fëmijë për vite nuk shkonte të blente qoftë dhe një shkrepse nëpër kafenera se… të nesërmen do të ndodhej para dërrasës së zezë… E kështu iknin vitet.
Vinte në shtëpi dhe puna e parë lante duart, ndërrohej, vishte bizhamat, hante drekë, qetësohej shtrirë në krevat një orë, as më shumë e as më pak, ngulej rreth një ore tjetër mbi telat e mandolinës a kitares dhe argëtohej nëpërmjet notash e pentagramesh muzi¬kore, se ishte instrumentist i këtyre veglave, mësuar me pasion qysh në Francë. Ai ka sajime dhe krijime muzikore të vetat vetë, në atë shkallë sa të kënaqte dëshirat e vetvetes. Ruante dhe shfle¬tonte fletore të tëra muzi¬kore, të sjella qysh nga Franca. Ai zbër¬thente çdo lloj penta¬grami të çdo lloj muzike. Me një fjalë, dinte gjuhën e notave dhe e lexonte atë..! Sa herë ndjente lodhje a mërzi ishin pikërisht kitara dhe mandolina që e qetësonin. Sa të vështirë e ka patur, nga Parisi…në Qeparo! Po Qeparoit i duhej dritë e kulturë dhe më mirë se bijtë e tij, kush mund ta shkrinte jetën për të. Dhe ashtu ndodhi, ai u shkri dhe u lidh një me Qeparonë!
Nga miqësia dhe shoqëria me të madhin Neço Muko, ishte dashuruar me muzikën. Materialet e shumta muzikore e letrare, organizimi i këngëve, teksteve dhe teatrove, ka shpesh dhe autorë¬sinë e tij.
Shkollat e vendit në atë kohë nuk njihnin instrumente dhe nuk e kishin këtë privilegj. Mandolina, kitara e gramafoni i markës “PAFE”, la gjurmë në atë fshat…, se në qytet nuk besoj të “mungo¬nin”! E kush nuk e dëgjoi mësuesin dhe tin¬gujt e asaj mandoline që ngelën në kujtesë për dekada, për pleq, plaka, burra, gra, të rinj e të reja. Tek rrugica e kalldrëmtë ndalonin hapat dhe nga ballkoni dëgjonin ëmbëlisisht tingujt, që nxirrte ajo mandolinë magjike. Kjo qysh nga viti 1928 deri më 1990, vit kur jo vetëm munguan tingujt e mandolinës se mësuesit, po nuk u ndien më zëra të bukur fëmijësh. Njerëzia iku si e tërbuar drejt dherave të huaja… dhe mësuesi me gjithë mandolinën iku mbas nxënësve të tij…!
Mbasi linte mandolinën, pinte përsëri një kafe të hollë e të ëmbël, e cila nuk i mungoi asnjë herë tërë jetën, dhe në kohën e krizës, se kushdo do ruante një pako po ta kërkonte mësuesi. Po këtë e siguronte sidomos im vëlla, i cili për vite punoi në repartet mekanike të tregtisë në qytetin e Vlorës, dhe tregtarët ishin nxënës të xha Jankos.
Fillonte bënte ditarin dhe pregatitej për ditën e nesërme” ç’do spjegonte, ç’do merrte nga nxënësit. I pëlqente zbatimi rigoroz i programit mësimor, gjë që e kërkonte dhe tek vartësit, dhe tek kolegët më pas, (natyrisht, si më i moshuar, atë e respektuan jo si koleg, por si prind edhe mësues, një plejadë e tërë e bijve e bijave mësues qeparotas). Ai qe shumë i prerë, nuk pranonte e nuk lejonte në asnjë rast të neglizhonte mësimdhënien, të cilën e quante të shenjtë, si mjekët para betimit të Hipokratit. Ai të qortonte po qe se neglizhoje, kishte rëndësi në fjalë, autoritet, jo vetëm për nxënës e kolegë pa përjashtim, por edhe për bashkëfshatarët, të cilët e respektonin në masë dhe e nderonin, si edhe ai ata. Kur hynte në kafene, (rrallë natyrisht), i hapej vendi duke u çuar në këmbë, për respekt se në përgjithësi, ata kishin qënë nxënës të tij, e sot baballarë e gjysha.!
I kudondodhur, ai nderonte trapezat e gëzimet. Ai në dasma shpërthente, kërcente e vallzonte çift si Europa. Qe valltar i rrallë dhe në kohën kur analfabetizmi kish hedhur rrënjë, ai në çdo muhabet të impononte ta dëgjoje me vëmendje. Në vakira e vdekje të rënda gjente momente për ta zbutur dhimbjen, sa i zoti i shtëpisë, e donte për natë mësu¬esin të largonte sadopak ato ditë zie. Këtë e dëshmojnë kujti¬met dhe muhabetet që ngelën legjendë nga jeta e tij, e që për¬menden edhe sot nga brezat që jetojnë!
Mbasi përfundonte detyrat për mësimdhënien plotësonte ditarin e ditës së nesërme, kë nxënës do pyes, përse do ta pyeste, parashikonte përgjigjet që mund të jepnin, në disa variante, i shënonte dhe i dokumentonte mirë, i arshivonte për çdo vit, (një pjesë e mirë është e ruajtur edhe sot).
Mbyllte ditarin dhe zbriste nga zyra. Një dhomë e shtëpisë me përmasa të zakonshme, me ballkon, shërbeu me vite si zyrë pune për të ku kishte: një raft, biblioteka e vogël, sepse në dhomën tjetër, qe ne e quanim “sallë”, se e tillë qe, gjendej biblioteka e madhe me mbi 4-5 mijë vëllime, të blera e të grumbulluara gjatë viteve. Një almanak rendor, përgatitur me merak, të orientonte të gjejë në çast një libër, një fletore që i duhej dhe në një qosh vareshin reliket e familjes: dy armë të gjata “karafil”, dy pisqolla të vjetra, dy shpata të gjata me këllefe e me dhëmbë elefanti në doreza, dy pisqolla dore, të vogla, përdorur nga gjyshërit tanë në luftën e Lëkurësit, albume fotografish, albume kartolinash, albume revistash… Kur lejohej nga shteti ardhja e pakove dhe e dhuratave nga jashtë këtij njeriu i vinin vetëm, La Ruse, fjalore, enciklopedi, vëllime historike të kulturave botërore…, pulla poste, me përmasa kombëtare, serira të mirë sistemuara. Shkëmbente e merrte letra nga miq në gjithë botën si nga miqtë Esperantiste me të cilit korrespodenca e tij ishte e madhe. Ndodhte kjo gjer në kohën që e lejonte shteti se më pas…letrat dhe miqësitë e mësuesit u ndërprenë si për gjithë intelektualët shqiptarë. Asgjë e huaj në duart e shqiptarit! Edhe në det… të gjeje një shishe bosh “coca-cola”, ta vije në bufe për reklamë zbukurimi, në darkë thirreshe nga pushteti e operativi për sendin e gjetur nga “ideologjia” borgjeze. Besoj e dimë të gjithë atë kohë që nuk zgjati pak vjet, por la gjurmë, mbyllur në kuvli si…rrallë njerëz të tjerë në botë.!
Zyra kishte një tavolinë e sirtare, makinën e shkrimit në të djathtë që nuk i mungoi gjithë jetën, (njërën e “morën” partizanët në kohën e luftës, por me pensionin – ndihmë – që merrte nga Franca kish siguruar një të tillë tip “Becuet” e shkëlqyer, portative), radjon e dorës “AIWA” me korent dhe bateri në krahun tjetër, stilografa, stilolapsa, bojë e penë të sistemuara mirë e bukur. Këto si dhe mandolina, kitara e gramafoni, në krahun e djathtë të poltronit me zunkth, prodhim egjypti, i jepnin çdo vizitori mendimin se këtu punon një intelektual, i saktë dhe me mend. Kujtdo që e shikonte këtë zyrë të vogël të një mësuesi fshati me emër të madh QEPARO, ajo i impononte respekt me madhë¬shtinë e saj. Të dukej vetja se po hyje në një ambasadë të vendeve mike. Studioja e punës, drita e ndezur gjer vonë, tingujt e radios, të mandolinës e kitares linn përshtypje të thella. Këtë e themi për vitet e errësirës nga 1928 e mbrapa, sepse pasi erdhi drita elektrike, pasi hynë radjua e televizori, edhe puna e mesuesit kompesohej goxha nga mediat… Por kur nuk ishin këto…, të dëgjoje në një fshat një tingull mandoline, të dukej se dikush po i binte dikush lart nga hëna…!
Dilte në një verandë që kishim mbi oborr nga ku pejzazhi ishte marramendës, me pamjen e malit Gjivlash karshi, që reflektonte mbi të bukurin detin Jon. Gjethet e ullinjve, të dendura e të panu¬mërta, sillnin freski e jetë në atë vend shkëmbor. Qeparoi për të ishte i rrallë. Ai e ka lënë të shkruar këtë në thirrjen që u bënte gjithmonë bashkëfshatarëve: “kujt i pëlqen jeta dhe do të jetojë gjatë, t’i afrohet urgjent Qeparoit. Atje do jetojë sa të dojë, por do t’i ketë bukuri edhe jeta se je në erën tënde, në plehun tënd, në ujin tënd dhe në diellin tënd, d.m.th, je dhe jeton atje ku të është shkruar dhe atje ke fatin, se po ju largove, mund të ndjesh kënaqësi momen¬tale, por jo, në vendlindje është jeta deri në amëshim…” Kjo qe thirrja e tij për këdo dhe gjithë jetën. Ai e vlerësonte dhe i këndoi mallit për Qeparonë. Kënga e tij e mban të gjallë mësuesin tim e të shumë brezave.
Unë u nisa të shkruaj këto radhë për një ditë pune të tij po pa dashur pena rrëshqet dhe mendimet e kujtimet për të më detyrojnë dhe me obligojnë si bir i tij, dhe nxënës i tij, të mos lë gjë mangut, por është shumë e vështirë. Jeta e tij qe shumë e larmishme dhe si e tillë duhet realizuar ashtu siç ka qënë në gjallesën e tij, megjithatë…
Mbasditeve dilte bënte një xhiro në qendër “Qafe” ku takohej, përshëndeste bashkëfshatarët, dikur privatë e më pas koopera¬tivistë që ktheheshin nga puna. I pyeste si vajtën, a u lodhën, a u lagën. Shumë prej tyre, me ditë e vite, e ftonin të pinte ndonjë kafe. Kur kish kohë edhe ulej me ta, po gjithë jetën kafenenë e quante kohë të humbur. Largohej shpejt me ndonjë mësues a shok tjetër bashkëfshatar më i ri a më plak, ish nxënës a kushdo qoftë. Bënte dhe xhiron e mbrëmjes deri tek “Udha e re”, ku fshati ishte përballë. Shpesh, kur e shiko¬nin buzë mbrëmjes mësuesin të shoqëruar që bënte xhiro, gratë e nënat tona punëtore të ropatura, që pregatisnin darkën duke ndezur zjarr me dru, nëpër oborret e shtëpive karakte¬ristike çati më çati, e rrugëve të kalldremta…, thoshin: “Ja, vajti ora 7,30 se tani doli mësuesi… për xhiron e mbrëmjes.”
Babai e mësuesi im e i shumë brezave ndihej krenar që nga duart e tij dolën, ministra, qeveritarë, ushtarakë të lartë, mjekë, inxhinierë, studiuar në vend edhe jashtë, avo¬katë, pilotë, profesorë, arsimtarë, shoferë e lloj-lloj përsonalitetesh e profesionesh. Krenohej mësuesi me brezat që rriteshin e ngjiteshin dhe i vinte mirë kur mendonte se në rritjen e tyre kishte ndikuar edhe ai. Ai që në fëmini, (në klasat e ulëta), fëmijëve, nxënësve u mësonte punë dore, si të ndërtonin, si të qepnin shollë, si të krasitnin, si të bënin gurëgdhendësin, zdrukëthtarin, se vetë ushtronte çdo zanat. Ai dinte të bënte mur guri, suva, saçe, të qepte opinga, të bënte dritare, bucela. Ai qe politeknik. Qeparotasi e ka shikuar mësuesin me çdo lloj zanati si duke punuar në kudhër si kovaç, si duke bërë riparime mekanike me mandravidha etj., etj. Në shtëpinë e mësuesit, do gjeje qysh nga zdrukthi, çekanët e llojeve të ndrysh¬me, pinca, kaçavida hekur këpucësh, lloje limash, e çdo vegël, që rrallë mungonte. Të gjitha ishin magazinuar mirë sipas reparteve në “patar” a nene, (emër ky i ardhur ndoshta nga Franca prej tij), ku vendoseshin veglat. Kur tringëllonte zilja e oborrit tonë, thoshim… ose do të kërkonin ndonjë vegël për ndonjë punë ose është korjeri i këshillit që do sillte ndonjë mysafir të huaj për t’u bujtur, se natyrisht, më mirë se tek mësuesi, ku mund të strehohej në ato vite mysafiri dhe punonjësi i shtetit, kur vinte për mbledhje e kontroll, në arsim, kulturë. Atje hahej bukë në tavolinë me servise e pecetë. Atje s’mungonte vera, lugët, pirunjt, thikat, pjatat e porcelanit të ardhura nga përtej detit, çinijtë (kabashet) prej qelqi e prej bakëri të kallajisura, relike dhe moderne.
Babai me rregullsinë e ditës së tij, e kishte zakon që pasi kthehej nga xhirua e darkës, dëgjonte për gjysmë ore radion, që s’e ndau gjithë jetën. Mbyllej në një dhomë, me grillat dhe dritaret mbyllur dhe lëvizte nëpër tastjerën e ekranit të vogël stacionet e më se 9-10 gjuhëve të huaja. Nga një herë kryetari i këshillit, një njeri i mirë e babaxhan, që e respektonte plakun, si me shaka i thoshte: “O mësues, “ule” një çikë atë zërin e radios…se na “shurdhove””. Po këta nxënës, oficerë e pilotë, këta prefesorë e kryetarë, e mbrojtën figurën e mësuesit… kur në disa raste kërcënohej dhe i tërhiqnin veshin,.. për sjelljet “perëndimore” në fshat! Ata ditën ta mbronin edhe atëherë kur babai hezitoi e nuk ju përgjigj menjëherë thirrjes për të hyrë në kooperativën bujqësore, kur Partia e kërkonte me ngulm. Për reputacionin që kish, e hoqën vetëm nga k/mesues, por mund ta linin dhe pa arsim, ose ta transferonin në Kuç a gjetkë…
Po mëria vazhdoi…
Më 1959 e zbresin nga makina në mënyrë fyese, me urdhër të sigurimsave…, të mos merrte pjesë në mitungun e madh popullor kur Nikita Hrushovi vizitoi Vlorën… se ngjante si “perëndimor” dhe të mos bënte propagandë!!! E kush guxonte aherë të nxirrte zë…? Më pas u organizua një diskreditim publik për disa pleq të fshatit. Ishin të gjithë njerëz që kishin ardhur nga kurbeti, Franca, Egjypti, Greqia, Anglia. Irreshtoi pushteti, në një gjyq shembullor brenda në kishën e fshatit ende të pa shkatërruar me akuzën se donin të bënin “revolucion” për të mbështetur grekun…të rrëzonte Hoxhën! (hajde mëndje, hajde).. Atje u aludua dhe ju hoq rëndë veshi edhe tim eti nën kërcënimin e sigurimsave. Po floriri nuk përdhoset, sado baltë të hedhësh mbi të… ai tërë jetën ngelet flori… Mësuesit ju vu në dukje se ishte shprehur…në mes “miqsh”, “…po ky dreq (Enveri), edhe me rusët e prishi, me kë të pa udhë do rrojë tani, se edhe ujku që është ujk vetëm nuk jeton!”.. Kjo shprehje e të tjera, të shtuara e të fryra, tkurren për jetë zemrën e mësuesit. Kjo ndodhi rreth viteve 1964-65, kur sekretarët e e sigurimasit donin ta bënin kala të kuqe Shqipërinë…, siç edhe e “bënë”!
Ca më pas ai doli në pension dhe vetvetiu ndërroi rregullin dhe orarin e veprimeve. Dalja në pension i dha mundësi më të mëdhaja për të krijuar por edhe xhiron karakteristike që e bënte deri në “Kundruall”, shpeshherë e zgjaste drejt Borshit, “Lemenje¬rave”… dhe pastaj ngjitej në majë të malit ku Qeparoi ka hedhur rrënjët e tij shekullore në kuotën 320mh, mbi det. Tani me një bastun në dorë, republikon në kokë e xhaketën në dorë, me kurriz pak sa të tkurrur, vazhdonte odisenë për të shijuar atë jetë të gjatë… Shkroi, punoi dhe në vitin 1990-94 në Korfuz la të shkruar një epope me meditime për rrugën historike, ikjen e sfor¬cuar nga vendi, të shprehura në vargje… Në moshën 90 vjeçare e më lart ato poezi që dëshmojnë këto data janë më të fuqishme se aherë kur jeta ecte e qetë dhe vaj…. Mirëpo xhiron e përditshme me gaze¬të në dorë nuk e la, i binte Korfuzit vërdallë ishullit çdo ditë me 5-6 km rrugë që i përshkonte mëngjeseve dhe rregullisht. Kur kishte kohë të keqe, që nuk mundësohej dalja nga shtëpia për moshën që kishte, në prag të viteve të fundit të jetës së tij, xhirua e tij ishte në korridorin e shtëpisë të një njeriu tonë që rrinim në kohën e emigracionit, ai e përshkonte korridorin e gjatë që ishte 17ml, 50 herë vajtje dhe pesëdhjetë herë ardhje baraz këto me 1.7km. Çdo ditë, dhe kur vinte ndonjë vizitor a i afërt i yni nuk linte pa përfunduar xhiron, e përshëndeste dhe i thoshte me të ëmbël e të qeshur: “Të lutem futu brenda të mos ngatërroj… numërimin!”
Ai u shtrua në spital më 4 shtator, dhe gjatë gjithë ditës ishte nën kujdesin tone. Ai rrinte me gazetën greke në dorë duke zgjidhur kriptograme nga Greqishtja e Vjetër, sa edhe mjekët e Korfuzit çuditeshin me mëndjen dhe dijet e tij.
Më 11 shtator e nxorëm nga Spitali ku ju bënë të gjitha shërbimet me ne të gjithë në këmbë – nipa, mbesa, djem, miq dhe shokë. Dhe më 12 shtator 1994…në orën 24.00 përfundimisht mbylli sytë, babai im dhe mësuesi im, që në këtë shkrim të gjatë nuk hodha dot të gjitha dhe lashë shumë gjëra mangut dhe nuk i përmenda asnjëherë emrin.
Vdekja e tij fizike, nuk e ndau nga ne, nga njerëzit. Ai jeton se ka lënë dritën e mençurinë e mëndjes së tij, këtë kapital mendor e shpirtëror që përpiqemi në tre djemtë e tij, me nipa e mbesa, me kursimet e familjeve tona, pa na ndihmuar asnjëri të kënaqim veten me emrin e tij, por edhe fshatin. A mund të harrohen nga qeparotasit përkthimet e letrave nga jashtë, vërtetimet, nxjerrja e pensioneve shumë fshatarëve që punan në vite minierave të Saint Etienit? Pena e mëndja e mësuesit ishin si zyrë bamirësie për këdo. Ardhja e Demokracisë, e nderoi qysh në vitin 1991 me titullin e lartë “Mesues i Merituar” nga të rrallët në krahinën e Himarës. K/pleqesia Demokrate, Këshilli bashkiak Himarë dhe miratimi në Vlorë i dhanë emrin shkollës së re në Fushë-Qeparo “Shkolla 8 vjeçare JANKO Ll. PALI, Mesues i Merituar”, emër të cilin e mbajti shkolla deri më 1997, duke disponuar çdo dokument e deftesë, praktikë e korrespodencë … Por, me ardhjen në pushtet sërish të neokomunistëve, nuk përmendet më emri i kësaj shkolle…me emrin e tij! Koha dhe brezat do ta gjykojnë!
Im atë duhet të jetonte edhe dhjetë vjet të tjera, siç e shprehte gjithmonë… “Unë – thoshte ai – do jetoj 104 vjeç, por dhjetë vjet, m’i kini ju borxh që, më gjithë përpjekjet dhe supër përpjekjet e mia, nuk mundësuat asnjeri të merrnit një shkollim të plotë, një universitet por ngelet teknikë me shkollë të mesme, njeri teknik mekanik, tjetri teknik ndërtim dhe tjetri, teknik elektrik! Të gjithë qeparotasit e dinë dhe kanë jetuar me këtë merak të mësuesit të tyre …që të tre djemtë e tij e mbyllën arsimimin me një shkollim gjysmak…! (Një histori më vete kjo, natyrisht e shkruar dhe e vjershëruar edhe prej tij.)
Po i mbyll këto shënime me thënien e njohur të tij, që le të shërbejë për brezat, si thënie me mend: “Është fatkeq ai fëmijë që prezanton veten në shoqëri e në miq…që “unë jam djali…i filanit” (duke u mburrur me emrin e mirë të prindërve..) dhe fat lumtur ai prind që thotë …”unë jam babai i doktor filanit, i inxhinier filanit”. …”. Sa herë sjell ndërmend këtë merak të tij gjykoj se vërtet, qoftë edhe për gëzimin e tij, ne duhet të ishim të tillë, dy mjekë dhe një inxhinier. Prandaj këtij babe e mësuesi e ndjej thellë se i kemi dhjetë vjet borxh nga jeta! Atë që s’mundëm ta arrinim në shkollimin e rregullt, jemi munduar ta kompensojmë duke punuar me ndërgjegje kudo ku ka qënë puna, duke lexuar, duke shkruar, duke hyrë në ato sfera të mendjes e shpirtit që i donte aq shumë im atë. Ai le të prehet i qetë në baltën e Qeparoit se dhe varri i tij ka një veçanti mbi pllakë. Ai ka të vizatuar një libër, një fletore të hapur, një penë, një bojë dhe …një A, B, C. Nëse ka jetë më pas… ai është duke dhënë mësim në përjetësi!Faleminderit
4 mars 2003.
autor Petraq Pali